Tërmeti tragjik i 26 nëntorit/ Varhelyi publikon pamjet e trishta: BE vazhdon të qëndrojë pranë Shqipërisë

Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka dhënë një mesazh në 1-vjetorin e tërmetit tragjik që tronditi Shqipërinë.

Ai ka publikuar pamje të trishta nga rrënojat dhe ekipet e kërkim-shpëtimit, një vit më parë.

Varhelyi shkruan se edhe pas një viti Bashkimi Evropian vijon të qëndrojë pranë Shqipërisë, duke ndihmuar në rindërtimin e shkollave dhe vendeve të trashëgimisë kulturore, të dëmtuara nga tërmeti me magnitudë 6.4 të shkallës rihter.

“Një vit pas tërmetit shkatërrues në nëntor 2019 në Shqipëri dhe pas solidaritetit të madh të treguar në Konferencën e Donatorëve të organizuar nga Komisioni Evropian në shkurt, Bashkimi Evropian vazhdon të qëndrojë pranë Shqipërisë, për të rindërtuar shkollat dhe vendet e trashëgimisë kulturore. E rëndësishme është që rindërtimi pas tërmetit ndjek parimet e përgjegjësisë, transparencës dhe ndërtimit më të mirë”, thekson komisioneri.


Tërmeti i 26 nëntorit me magnitudë 6.4 që shkaktoi 51 viktima dhe shumë dëmë materiale ishte një nga më të fortët që është regjistruar ndonjëherë në vendin tonë.

Pa.Va/Fjala.al