Kapet pas dy orë ndjekjeje autori i dyshuar i plagosjes në Lezhë

Ka zgjatur vetëm dy orë arratia e autorit të dyshuar të plagosjes së sotme në Lezhë, Gjergji Gjini, i cili qëlloi me armë zjarri në këmbë Hil Gjinin.

Policia thotë se autori i dyshuar është kapur pas dy orë ndjekjeje falë kërkimit dhe mbështetjes së qytetarëve dhe ka mundur që ta arrestojë atë në rrethinat e fshatit. Ai ka pasur me vete edhe armën e krimit, një pushkë që e mbante pa leje.

Policia e Lezhës, menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur në fshatin Balldre, Lezhë, organizoi punën dhe falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta e profesionale bëri të mundur që pas dy orë ndjekjeje dhe kërkimesh, falë edhe mbështetjes së qytetarëve, të kapë në rrethinat e fshatit Balldre dhe të vërë në pranga shtetasin Gjergj Gjini, 69 vjeç, banues në Balldre.

Ky shtetas dyshohet se për motive pronësie ka plagosur në këmbë, me armë zjarri, shtetasin Hil Gjini, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Strukturat hetimore të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, po vijojnë punën për dokumentimin e plotë te kësaj ngjarjeje./Bl.Ba/Fjala.al