Nëse mund të bëhet një krahasim mes organizmit të një shteti dhe organizmit njerëzor, duhet thënë se shkolla i përket atyre organeve që kanë funksionin e krijimit dhe shpërndarjes së gjakut, që dërgojnë në çdo pjesë të qenies, ditë pas dite, rrahje pas rrahje rinovimin e jetës.
E tillë mund të konsiderohet edhe Shkolla Normale e qytetit të Elbasanit e cila hapi dyert e saj më 1 dhjetor 1909. Si e para shkollë e mesme në gjuhën shqipe, hapja e saj erdhi si rezultat i drejtpërdrejtë i realizimit të aspiratave madhore të mbarë popullit dhe të Rilindësve tanë të shquar për zhvillimin e arsimit dhe përparimin e kombit shqiptar.
Kjo shkollë u konceptua dhe u realizua si qendra më e rëndësishme për edukimin patriotik të njerëzve, për lëvrimin e gjuhës shqipe dhe për të hedhur bazat e metodave bashkëkohore arsimore e pedagogjike.
Mundësinë e hapjes së kësaj shkolle e paraprinë dy kongreset e zhvilluara më parë. Kongresi i Manastarit (Qershor 1908) i cili zgjidhi përfundimisht problemin e alfabetit të gjuhës shqipe dhe Kongresi i Arsimit i zhvilluar në Elbasan (2-9 shtator 1909) i cili vendosi hapjen e shkollës normale në Elbasan Përhapi dritë e dituri, sot 111 vjet nga hapja e Normales së Elbasanitmë 1 Dhjetor 1909.
Në shkollë u regjistruan nxënës nga të gjitha viset shqiptare (pra jo vetëm nga Shqipëria), por edhe nga Kosova, Maqedonia, Çamëria e Mali i Zi.
Luigj Gurakuqi, drejtori i parë i kësaj shkolle, ditën e parë të shkollës, do të shprehet para nxënësve: “Elbasani sikundër ashtu mesi i Shqipnisë kërthise, ashtu do të jetë edhe mesi i Shqipnisë mendore; do të jetë truri, do të jetë zemra e të gjithë shqiptarëve”.
Për 90 vjet kjo shkollë përgatiti mijëra e mijëra mësues që u quajtën normalistë, të cilët shërbyen në të gjitha trojet shqiptare për arsimimin dhe edukimin e brezave pasardhës.
Me të drejtë kjo shkollë quhet Universiteti i parë shqiptar Pedagogjike pasi mësues dhe drejtues të kësaj shkolle si Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Haki Peci, Petër Dodbiba, Dhimitër Papakristo etj janë personalitetet më të shquara të arsimit kombëtar dhe shkencëtarët e gjuhësisë shqiptare.
Pas Gurakuqit, drejtorë të Normales ishin edhe Aleksandër Xhuvani (emrin e të cilit e mbanë sot Universiteti i Elbasanit), pastaj Sali Ceka (nga Çamëria), Ahmet Gashi (nga Kosova), Vasil Komani, etj, të cilët ishin edhe profesorë të asaj Shkolle.
Normalja e Elbasanit kishte karakter mbarëkombëtar, jo vetëm pse pranonte nxënës nga të gjitha trojet shqiptare, të të tri besimeve fetare, por edhe për nga përmbajtja e lëndëve mësimore për formimin patriotik të personalitetit të mësuesve të ardhshëm. Normalja e Elbasanit u bë një unazë e forte e boshtit kurrizor etnik të shqiptarëve.
Fillimisht Shkolla filloi punën me 111 nxënës, prej të cilëve 50 ishin nga Elbasani, ndërsa të tjerët nga të gjitha trojet shqiptare. Nxënësit nga Kosova dhe Shkupi mezi arritën në fillim të muajit shkurt të vitit 1910.
Normalja si fidanishte e mësuesve, u bë tempull i vlerave dhe cilësive, që e bëri Elbasanin qendër arsimore, të dijes, edukatës dhe kulturës, që përmes mësuesve të përgatitur këtu, e të shpërndarë gjithandej në trojet shqiptare, rrezatoi e përhapi dritë e dituri.
Ngjarjet, luftërat që u zhvilluan më vonë, veprimet e armiqëve të kombit tonë greko-sllav, por edhe reaksioni xhonturk bënë që Normalja e Elbasanit disa herë të ndërpret punën, por me angazhimin dhe nën presionin e popullit dhe patriotëve shqiptarë, ajo ringjallej e ngritej si feniksi, e fillonte dhe vazhdonte punën përsëri./Bl.Ba/Fjala.al