Romani “Qyteti i fundit”, i Petro Markos

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

(Në 107-vjetorin e lindjes të shkrimtarit antikonformist)

 Nga Petrit Palushi

 Romani “Qyteti i fundit” (1960), ishte një pikënisje në prishjen e skemave që po krijoheshin dhe me të cilat po operonte letërsia shqipe e kohës. Kritika letrare përgjithësisht e pranoi romanin, por vlerat e tij u panë të përgjysmuara; asnjëherë s‘iu afrua si duhet dhe sa duhet romanit që t’i përcillte ashtu si duhet vlerat dhe mesazhin e tij: dhe n’ato raste që e analizoi atë, e pa dhe e ripa njëanshëm dhe e qortoi veprën pikërisht aty ku vlerat ishin më të shumta dhe më emancipuese.

Në roman, dyzimi referencial (përqëndrimi total i rrëfimit në luftën dhe paqen), ka krijuar mundësi që të shpalosen fate njerëzore të shumëllojta, ndërsa kohët përthyhen, integrohen në njëra – tjetrën ose ndërrohen midis tyre. Shkrimtari gjithashtu ka sendërtuar relievin estetik të luftës dhe paqes, që do të bëhet objekt i këtij shkrimi.

Romani ishte një shfaqje moderniteti në letërsinë shqipe të kohës (ndërtimi kompozicional, thyerja ose këmbimi i formave të rrëfimit, arsyetimi filozofik, përsiatjet esejistike, pra, konceptimi tërësor i veprës). Veç kësaj, shkrimtari Petro Marko kërkonte të hapte artistikisht dritaren e paqes dhe të humanizmit njerëzor, të shkrinte gjithashtu akujt e ngrirë që dukeshin si akuj të përjetshëm. Romani sillte një mesazh harmonie tek njerëzit, dhe përmes arsyetimit të tij filozofik dhe përsiatjeve esejistike, shkrimtari ngrihej mbi dogmat e letërsisë konformiste. Kjo do të thotë që romani erdhi si vepër jashtë konformizmit. Raporti që krijohet në roman midis toger Lekës dhe Ana Maria Montit, është pa dyshim, një nga pikat më vepruese dhe gjallëruese të veprës.

Romani në kontekstin letrar të kohës

Romani “Qyteti i fundit”, tregime të Anton Pashkut, romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i Ismail Kadaresë, etj., janë ato vepra të para që prishën skemat e letërsisë shqipe të kohës, letërsi e cila vegjetonte kryesisht në shtratin e tradicionalitetit. Me romanin “Qyteti i fundit” ka ndodhur ajo që thoshte shkrimtari D. Agolli se “Shënoi një epokë në historinë e romanit shqiptar, pasi është i pari roman modern… Po të mos ishte shkruar romani “Qyteti i fundit”, Kadareja nuk mund të kishte bërë veprën e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Ky roman lindi pasi Kadareja imitoi Ernest Heminguein si përvojë botërore dhe Petro Markon si përvojë kombëtare”.

Romani “Qyteti i fundit” theu akullin, prishi skemën dhe në formën më emancipuese, shkrimtari i kësaj vepre tregoi se letërsia duhej të lirohej nga dogmat, nga angazhimi i dhunshëm dhe ndërkohë futi një lloj shkëlqimi të tejdukshëm dhe emancipues në veprën e tij: atë të dashurisë njerëzore dhe të izolimit të urrejtjes.

Lufta, paslufta dhe fate njerëzore

Romani “Qyteti i fundit” i P.Markos është një vepër për luftën, paqen njerëzore dhe humanizmin njëkohësisht: është një vepër e fuqishme antidiktatoriale. Në një vepër të tillë shpalosen fatet e njerëzve: fatet e realizuesve makabër të luftës dhe fatet e viktimave, ku njeriu del prej lufte si prej shkretëtirës së vdekjes. Tragjika që përshkon fatet e njerëzve mbi të cilët ka rënduar lufta rrjedh në formën e ankthit të pandërprerë. Kështu, p.sh. fati i Ana Maria Montit është fati i njeriut me një jetë të shumëvuajtur dhe me një dashuri tragjike. Ajo del nga lufta e lodhur, e konsumuar, me një terr tragjik shikimi dhe me një dashuri tragjike njëkohësisht. Është një lloj avulli tragjik që e mbështjell këtë krijesë njerëzore. Paralizimi i saj është fizik dhe mendor:

– Mos u tall me të vdekurit.

– Si?

– Unë jam e vdekur.

Prandaj shparalizimi i Ana Maria Montit përmes raportit komunikues Ana Maria Monti – toger Leka, është një farë forme edhe përpjekja e shkrimtarit që me një dritë njerëzore të kthejë në jetë njeriun, është fillimi i një jete lirike pas asaj tragjike. Është fati i njerëzve të munduar, që sapo kanë kapërcyer luftën, të cilët sakrifikuan vetveten përmes idealeve mashtruese dhe me ç’rast shkrimtari ka krijuar bindshëm raportin diktaturë – individ, apo diktaturë – grup individësh, për të dëshmuar se raporte të tillë janë gjithmonë tronditëse dhe në prishje të përhershme.

Thamë më sipër që raporti ndërmjet toger Lekës dhe Ana Maria Montit është ndër pikat më vepruese dhe gjallëruese të veprës. Pse themi kështu? Romani u botua në vitin 1960 dhe përmes linjës dashurore toger Leka – Ana Maria Monti, si linja më e dukshme dhe mbizotëruese e romanit, shkrimtari Petro Marko krijoi një realitet dashurie që prishte muret, ose një dashuri pa mure dhe pa pengesa. Ky realitet artistik që modeloi shkrimtari në veprën e tij, ishte refuzimi, ose shfaqja më e dukshme e tij ndaj realitetit të kohës. Kjo do të thotë se romani “Qyteti i fundit” ngacmonte mjedisin shqiptar të atyre viteve, mjedis i zhytur në absurdin e moskomunikimit, ose të komunikimit të pjesshëm. Romani kësisoj jep profilin e një dashurie pa mure, të një dashurie me gjeografi të shtrirë. Dashuria ndërmjet toger Lekës dhe Ana Maria Montit është një dashuri e liruar, vepruese, shkurt, një komunikim real. Në këtë rast, edhe kodi moral i personazheve është i përcaktuar: më parë se dashuri në kuptimin klasik të fjalës, dashuria në romanin “Qyteti i fundit”, shihet më së pari si dashuri për njeriun, si shenja më e dukshme e humanizmit. Tek “Qyteti i fundit”, gjeografia e dashurisë është pa cak, pa kufizime, dashuri me liri reale në kuptimin e plotë të fjalës. Por, duke parë realizimin e kësaj gjeografie të dashurisë vetvetishëm mund të flasim edhe për gjeografinë e humanizmit. Dashuria në roman i shpërfill kufijtë, prish ngastrat, kapërcen muret dhe modelohet si një dashuri realisht e prekshme. Një shqiptar (toger Leka) dashuron një italiane (Ana Maria Monti) dhe vetvetishëm artistikisht realizohet simboli. Në kontekstin më të gjerë, thjesht vetëm si një dashuri midis dy vetëve. Por, romani ka parapa për më tepër. Përndryshe, pesha e romanit do t’ish më e lehtë dhe aftësia komunikative e tij do t’ish për një rreth shumë të kufizuar. Romani s’është thjesht pasqyrim i një dashurie të zakonshme.

Lexo edhe :  Shorti i ‘Eurovision 2025’, ja kur do shfaqet Shqipëria në gjysmëfinale

Le ta shohim romanin më në natyrshmërinë e tij, pikërisht reflekset që mund të kapen, aq sa mund të kapen, nga kundrimi tërësor i kompleksitetit njerëzor që prezenton. Në planin e përgjithshëm, dashuria midis njerëzve mund të merret si opus komunikativ, si shprehimësi virtyti; vetë dashuria (si ndjenjë), mund të shihet si pjesë, si një peizazh brenda këtij opusi komunikativ. Është peizazh që merr frymë brenda komunikimit të përgjithshëm. Prandaj mesazhi i veprës është i qartë: dashuria për njeriun i prish muret; në këtë rast dashuria në romanin “Qyteti i fundit” merr formën e një lëvizjeje të plotë artistike.

Dashuria për njeriun merr formën e një dashurie integruese; kjo dashuri njerëzore mund të marrë frymë në çdo pjesë të globit, por këtë frymë mund t’ia japin gjithashtu edhe vetë protagonistët nga çdo pjesë e globit, pavarësisht se ku ndodhen. Romani është shkruar si roman i veçantë për dashurinë, për komunikimin dhe humanizmin njerëzor. Mbi të gjitha, në roman është derdhur dashuria e vetë autorit. Duket se autori e ka shkruar veprën pa komplekse, pa paragjykime.

Ia vlen të besosh se vepra përmban një alarm, por një alarm për të reflektuar për çfarë po ndodhte përreth. Këtë mund ta themi se shoqëria e kohës përmbante dramën e vetërrënimit. Vetë shkrimtari Petro Marko bën pjesë në ato shkrimtarë që përjetoi një liri të kufizuar, dhe mund të themi një liri si ajo e Poradecit apo e Kutelit. Por në veprën e vet, në gjithë veprën e tij në tërësi, por veçanërisht në romanin “Qyteti i fundit”, shkrimtari Petro Marko krijoi modelin e asaj që i mungonte, modelin e dashurisë komunikuese ndërmjet njerëzve.

Do thënë se dashuria toger Leka-Ana Maria Monti është vendosur funksionalisht në tekst në spektrin e komunikimit njerëzor dhe dashuria e tyre i ka dhënë romanit pamjen e një të vërtete për komunikimin. Me gjithë dramën vetjake të Ana Maria Montit, romanit i mungon trajta dëshpëruese apo pikëlluese. Për autorin e librit duket se edhe dëshpërimi, edhe pikëllimi, mund të kishin vend tjetërkund, por jo në personazhet e librit të tij. Kjo gjë e ka veshur komunikimin midis toger Lekës dhe Ana Maria Montit me një klimë të ngrohtë.

Të tjera tone komunikuese janë, për shembull, ndërmjet protagonistëve kryesorë te “Harkut i triumfit” të E. M. Remark-ut, mjekut Ravik dhe Xhoanë Madusë, por ndërsa në romanin e E. M. Remark-ut, është dhënë një shoqëri para futjes në në tunel të errët, atë të pushtimit nazist, në romanin e Petro Markos, është vizatuar një shoqëri krejt tjetër, pikërisht momentet e para të daljes së shoqërisë nga tuneli i njëllojtë.

Protagonistët e romanit “Qyteti i fundit” janë të veshur me dritë, që marrin liri për të vepruar. Në këtë rast, protagonistët janë vizionarë dhe veprojnë sipas rregullave që përmban komunikimi real. Kjo gjë i ka dhënë romanit frymën e një romani jo skematik. Veç kësaj, njeriu shikohet si qenie njerëzore, me gjithë kompleksitetin e rrethanave, të veprimeve (është fjala përsëri për protagonistët toger Leka dhe Ana Maria Monti). Prandaj po të shohim në thellësi fatin e këtyre protagonistëve, do të shtonim se edhe gjeografia e humanizmit, ashtu si ajo e dashurisë, është një gjeografi e shtrirë./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

I zhdukur prej pesë ditësh, nisin kërkimet për 54-vjeçarin në rezervuarin e Kamenicës

I humbur prej disa ditësh palombarët nisin kërkimet në rezervuarin e fshatit Kamenicë. 54 vjeçari është shpallur i humbur nga...

Ministrja Koçiu apel për dhurimin e gjakut

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu i bëri apel sot qytetarëve që të dhurojnë gjak. Ministrja Koçiu tha se njësitë lëvizëse gjatë...

Virozat dëmtojnë zemrën/ Mjekët: Mund të shkaktojnë miokardit. Kujdes të sëmurët kronikë

Gripi dhe viruset e tjera në qarkullim mund të shfaqin probleme dhe me zemrën. Nëse viroza ju zgjat më  shumë se dy javë, shoqërohet...

Shkurti nis me diell dhe vranësira! Parashikimi i motit për fundjavën

Nesër e shtunë 1 shkurt, vendi ynë do të ketë mot të qëndrueshëm, me mbizotërim të kthjellimeve megjithatë nuk do të mungojnë alternime të...

PD kundër strategjisë së SPAK për krimet zgjedhore: T’i hetojë Prokurori i Përgjithshëm

Të pyetur pas takimit me Çelën për strategjinë e krimeve zgjedhore të SPAK përfaqësuesit ligjor të PD, shprehën rezerva duke thënë se SPAK nuk ka treguar...

Lajme të tjera

Web TV