Tiranë/ Nuk iu bind dhe kanosi efektivin, polici ekzekuton në mesnatë 25-vjeçarin

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur orët e para të mëngjesit në zonën e Laprakës në kryeqytet ku një 25 vjeçar është qëlluar për vdekje nga një polic. 25-vjeçari nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar madje është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri.

Njoftimi i policisë:

Me datë 08.12.2020, rreth orës 01:45, shërbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta.

Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte por personi nuk i është bindur urdhrit të Policisë për të ndaluar.

Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë për të ndaluar përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri.

I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë punonjësi i policisë ka qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jetën në spital.

Menjëherë është ngritur Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia.

Prokurori ndodhet në vendngjarje dhe po ndjek e monitoron të gjitha veprimet që po kryhen nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në MB dhe nga Policia për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Punonjësi i policisë shtetasi N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Vijon puna intensive nga grupi hetimor për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.