Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku i është përgjigjur akuzave lidhur me ndërtesat ku janë bërë investime të cilat do të shërbejnë për shpërndarjen e patentave. Nga Fieri teksa pa nga afër drejtorinë rajonale për këtë qytet, Balluku theksoi se kjo është një ndërmarrje me vetëfinancim e cila ndryshon “fytyrën” e dhënies së këtij shërbimi në Shqipëri.
Balluku deklaroi se këto ndërtesa nuk janë as luks dhe as ekzagjerim ndërsa shtoi se sot qytetari nuk futet më në një kioskë për të marrë patentën, duke thumbuar këtu qeverinë e mëparshme. Ajo i bëri thirrje punonjësve të DPSHTRR-së të vazhdojnë punën pa u ndikuar nga këto akuza dhe presione.
“Ne mund të bëjmë ndërtesa të bukura dhe fasada por nëse burimet njerëzore nuk e ofrojnë shërbimin me cilësi pjesa tjetër nuk ka vlerë. Ne e kemi nisur dhe kemi arritur të vendosim limite kohore me fjalën që i shpjegon të gjitha kohë rekord. Mundohen të na godasin duke na thënë se po bëni ndërtesa dhe fasada.
Ato nuk janë as luks dhe as ekzagjerim. Fakti që përpara është operuar në kioska dhe çadra nuk na bën ne fajtor që po përmbushim këto kushte sot. Ju jeni një ndërmarrje që punoni me vetëfinancim. Qytetari nuk futet më në kioskë ku një pjesë i shërbente deputetit të zonës. Edhe ne kemi raste por sot qeveria Rama ka të gjithë të drejtën për të kërkuar një mandat të tretë. Kemi punë përpara.
Kemi shumë për të bërë. Askush nga ju nuk duhet të tutet kur sulmohen për fasadat. Kjo është një godinë që i shërben qytetarëve të Fierit. Askush nuk e meriton më ta marrë patentën nga kafja e lagjes. Vazhdoni punën e mirë si në bashki edhe në drejtoritë rajonale pa u tutur nga shigjetat që hidhen pa pushim. Qytetarët janë gjëja më e rëndësishme që ne kemi”, tha Balluku./Bl.Ba/Fjala.al