U arrestua për vrasjen e çiftit Pasho, kush është Elona Kaleshi

Mëngjesin e kësaj të marte policia italiane ka arrestuar 36 vjeçaren Elona Kalesha, e cila dyshohet si autore për vrasjen e prindërve të ish të dashurit të saj, çiftit Teuta dhe Shpëtim Pasho nga Vlora në 2015-ën.

36-vjeçarja e lindur në Durrës, nuk është një person i panjohur për drejtësinë italiane pasi ka një të shkuar penale për drogë. Arrestimi i saj është bërë me urdhër të lëshuar nga prokurorja Ornella Galeotti.

Ndaj ish-të dashurës së Taulantit, rëndojnë akuzat për vrasje, fshehje dhe masakrim të trupave të dy bashkëshortëve, Shpëtim dhe Teuta Pasho, 54 dhe 52 vjeç.

Vajza e çiftit Pasho, Vitoria ka thënë se ka qenë Kaleshi ajo që ka parë prindërit e saj për herë të fundit, ndërsa ish-e dashura e Taulant Pashos ka mohuar një gjë të tillë.

Vrasja në mënyrë makabre e çiftit Pasho në Itali ka shokuar opinionin publik. Pas vrasjes trupat e tyre mësohet se janë prerë me sharrë elektrike dhe janë mbështjellë me materiale të ndryshme, ndërsa u zbuluan më 15 dhjetor.

Ekspertët e kriminalistikës thonë se mbetje të dy kufomave mund të jenë mbajtur në frigorifer për disa kohë. Çifti mendohet se është masakruar dhe trupat e tyre janë futur në disa valixhe./Bl.Ba/Fjala.al