Vrasja e efektivit, një nga autorët e dyshuar është vetëdorëzuar në polici

Nikoll Sherrniku, një prej autorëve të dyshuar të vrasjes së efektivit të FNSH-së, Xhulio Prela është vetëdorëzuar në polici.

Report tv ka siguruar dokumentin, i cili dëshmon se Sherrniku është vetëdorëzuar në polici më datë 19 dhjetor në komisariatin e policisë së Kurbinit. Ndërkohë policia njoftoi se ai ishte arrestuar ditën e djeshme.

Ai ka mohuar të ketë lidhje me ngjarjen, duke thënë se atë natë ka qenë në banesën e tij.

Nikoll Sherrniku është një prej të arrestuarve si autor i dyshuar i ekzekutimit të efektivit të FNSH-së Xhulio Prela i ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të datës 5 dhjetor.

Lidhur me këtë ngjarje është shpallur në kërkim dhe Brilant Martinaj i cili rezulton se pak ditë pas ngjarjes është larguar drejt Turqisë për shkak të problemeve me shëndetin e një familjari.

Ka shumë gjasa që Brilant Martinaj, të dorëzohet në polici dhe të sqarojë pozicionin e tij për këtë ngjarje të rëndë.

Por në këtë ngjarje janë përfshirë 3 persona, ku identiteti i personit të tretë nuk bëhet i ditur nga policia. Ai është shpallur në kërkim dhe dyshohet të ketë qenë personi që ka qëlluar me armë drejt Xhulio Prelës.

Efektivi i FNSH-së, Xhulio Prela u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të datës 5 dhjetor me një plumb në gjoks teksa po kthehej nga Shkodra për në Tiranë.

26-vjeçari është nisur nga Tirana për në aeroportin e Rinasit në orën 01:00 të natës për të marrë një mikun e tij e për ta dërguar drejt fshatit Kosmaç në Shkodër.

Pasi e dërgoi mikun e tij në Shkodër, gjatë kthimit efektivi i policisë ka parë një automjet dhe një person që kishte dalë nga makina, po ia bënte me drita me një elektrik dore. Hetuesit dyshojnë se punonjësi i policisë Prela, ka menduar që personi që ia ka bërë me drita, ka kërkuar ndihmë, ndaj dhe Prela është kthyer mbrapsht.

Lexo edhe :  Aksident i rëndë në Krumë, raportohen një i vdekur dhe dy të plagosur

Ai ka kthyer makinën me sens drejtimi nga Tirana në Lezhë dhe i është afruar personin që ia ka bërë me dritë.

Ka ulur xhamin dhe ka parë një individ, që sipas policisë, ka shumë gjasa që ta ketë njohur. Punonjësi i policisë ka tentuar të largohet me shpejtësi, ndërkohë është përballur me të shtënat e armës, një pistoletë tip TT që kishte agresori.