Panajot Haxhimihali, Kapiteni që u vra në fushën e minuar nga gjermanët

113 563 lexime

106,048FansaPëlqeje

Vasil Premçi

Familjen e tij dhe atë të vëllait, Janit, Panajoti i donte si beben e syrit. Pas çminimit të një ndërtese banimi e lajmëruan se duhej t’ia niste një beteje edhe me të vështirë dhe të rrezikshme; çminimin e bregdetit. U paraqit në kohën më të shkurtër atje dhe, i shoqëruar nga kolegë të formacioneve partizane të zonës, u njoh me detyrën nëpërmjet një rikonjicion të shpejtë.

Për të zbutur disi mallin për prindërit, kërkoi një ditë leje për t’u hedhur një vrap deri në shtëpi. Ishte i heshtur dhe i menduar. Kishte një çehre të ngrysur sepse kthehej nga fushat e vdekjes. Ato fusha të minuara, të trishtuara e të shkreta nën atë peizazh dimëror me ngricë e brymë i kishin mbetur në mendje e në sy, me shqetësimin e një rreziku që përgjonte i fshehur tinëzisht. Sa burra, gra e fëmijë të pafajshëm mund të humbnin jetën nga ato? Në fshatrat pranë Durrësit e Kavajës paralajmërimet ogurzeza kishin marrë dhenë. Si në legjendat e moçme Shqiptare, flitej sikur në brigjet e detit ishte shfaqur sërish Bajlozi i zi.

Kapiteni drejtonte grupin xhenier të çminimit që sapo kishte mbërritur me të shpejtë ndër ato vise të kërcënuara nga vdekja. Po kthehej në shtëpi vetëm për pak çaste. Ç’i kishte shkrepur ashtu ajo dëshirë e zjarrtë dhe tunduese që në prag të ditës së Ujit të Bekuar të shfaqej patjetër, qoftë edhe për fare pak kohë midis njerëzve të dashur të familjes? Për këtë nuk kishte asnjë faj. Ndoshta njeriu që duhet të përballojë një detyrë aq të rëndë e të mundimshme, kur vdekja e gjithëpushtetshme e kërcënonte si një lubi kudo që hedh hapin, kishte shumë nevojë për pak çlodhje e qetësi për qetësimin e nervave nga tensionet dhe streset e mëdha.

Panajot Haxhimihali

Kapiteni ishte bir i qytetit mijëravjeçar të Beratit, ndaj tradita qytetare ngriti krye dhe mposhti tek ai çdo lloj hezitimi; mund të qëndronte një beratas larg shtëpisë ditën e festës së Ujit të Bekuar? Jeta vazhdimisht grish me shpërthimet e saj të jashtëzakonshme njerëzit që i duan gëzimet e saj në çdo rrethanë, sado e rëndë qoftë. Kishte mundur të gjente pak kohë në vrullin e punëve të ngutshme dhe të sillte dy – tri kilogram peshk në një shportëz prej thuprash shelgu.

Ja, tani çatisi pranë shtëpisë. Hej ç‘festë e vërtetë shpërtheu midis njerëzve të familjes. Për të ndezur zjarrin dhe harenë e një familjeje të varfër mjaftojnë vetëm britmat dhe klithmat e gëzuara të fëmijëve që këndojnë si zogjtë në degët e një lisi dhe që i hidhen në krah babait të tyre. Elpiqini, e shoqja iu lut e përgjëruar të qëndronte atë mbrëmje me ta. Një zemër e çfarëdoshme mbase mund t’i bënte ballë lutjeve të bashkëshortes. Të mos u dorëzohej cicërimave të djalit të vogël, Dhimitraqit katërvjeçar, që i ishte qepur në krah si dhe dy vajzave, Teutës e Liljanës, duhej të ishte stoik i vërtetë.

-Erdhe që erdhe, të paktën qëndro vetëm natën e festës,-këmbëngulte e shoqja duke e parë në dritën e syrit. -Pastaj baba Taqi është aq i mërzitur dhe i brengosur sa nuk tregohet dot… Askush deri më sot s’i ka sjellë ndonjë lajm për fatin e djalit të internuar nga gjermanët, Janit. Qëndro, pra, ai do të gëzohet më shumë se unë dhe fëmijët!

Nga shëtitja ne bulevardin e Tiranës me bashkëshorten dhe fëmijët, 1944

Në ato pak çaste heshtjeje kushedi se çfarë lufte e brendshme zhvillohej brenda shpirtit të kapitenit. Për të kuptuar sadopak përmasat e saj, duhet të jesh një ushtarak i karrierës, i edukuar thellë me disiplinën e fortë ushtarake, me ndjenjën e detyrës dhe të përgjegjësisë për zbatimin e saj. Nga natyra kapiteni ishte njeri i qetë e i butë, por edhe me shpërthime të brendshme e pasione të mëdha, cilësi këto që pasqyroheshin’ në vështrimin e tij të ëmbël dhe në fytyrën eshtake me një ballë fisnik.

Të gjithë ditarët e tij dëshmojnë se familja ishte për të një çerdhe e shenjtë. Ai nuk mund të fshihte mallin e pamasë që e kishte mbërthyer për ato qenie aq të brishta, fëmijët e tij, që tani së bashku me nënën e tyre i luteshin e i përgjëroheshin secili në mënyrën e vet. Oh, sa e vërtetë ishte thënia se njeriu e çmon lumturinë kur e humbet atë… Ja, në fare pak çaste, vetëm me një vështrim, kishte arritur të lexonte trishtimin dhe ankthin në fytyrën e plakur të babait, Taqit.

Gjatë viteve të mungesës pa nam e nishan të djalit të madh, Janit, por ca më shumë edhe të dukje – zhdukjeve të Panajotit, atij i ishte bërë zakon qëndrimi i ulur mbi një stol prej druri përpara portës së shtëpisë me një vështrim pothuajse të shuar, të mbërthyer në një pikë të horizontit dhe në një pritje të gjatë e torturuese. Me majën e bastunit plaku shënonte në tokë ca vija misterioze që dukej se ishin pjesë e sistemi të tij llogaritës që vetëm ai e kuptonte.

Intuita e tij priste të ndodhte diçka e rëndësishme dhe e papërsëritshme; diçka e ngjashme me atë rrokullimën që merr një shkëmb i vjetër honeve në greminë… Askush nuk mund ta kuptonte nëse ajo që priste plaku kishte të bënte me atë vetë apo bijtë e tij… Ndoshta malli për fëmijët kishte mbledhur me stërmundim të jashtëzakonshëm forcat e fundit dhe risillte në sytë e tij pamje që ende gjallonin thellë në skutat më të errëta të kujtesës. I bëhej se dëgjonte edhe zërat e të dashurve të dikurshëm. Ndaj dhe kohë më kohë fliste me vete. Ashtu siç mbështillen me kërcëllimë metrat e fundit të një filmi në bobinë, ashtu mbaronin dhe kujtimet e plakut.

Atëherë, një rënkim i thellë dilte nga gjoksi i tij i drobitur. Internimi i Janit në Gjermani dhe mungesa e lajmeve për fatin e tij po e rrëzonin shëndetin e plakut nga dita në ditë. Nuk bëri as përpjekjen më të vogël që të fshihte sadopak helmin dhe pikëllimin që e pushtuan në çastin e ndarjes me të Panajotin. Me zë të ngadaltë e të ngashëryer i tha: -Sikur e kisha pak, mor bir, një të keqe! Ja tani dhe kjo tjetra, e jotja… – dhe duke trokëllitur shkopin në kalldrëmin përpara shtëpisë, hyri brenda për të fshehur në një farë mënyre lotët që s’mundi t’i ndalonte.

Të gjitha këto episode do ta kishin mposhtur me siguri kapitenin stoik, sikur të mos e mundonte ndjenja e zbatimit të detyrës me grupin e xhenierëve, që tanimë duhej t’i kishin ngritur çadrat e fushimit pranë fushave të minuara.

– E dini si është puna? – iu drejtua së shoqes, ndërsa puthi me afsh të parin, kanakarin e tij, Dhimitrin e vogël katërvjeçar, që nuk i shqitej nga trupi si një engjëll; – Ja ku ju pashë të gjithëve. Zemrën ma mbushët plot me gëzim. Duke puthur vajzën e dytë gjashtëvjeçare, Liljanën, vijoi: – Luftë është baba edhe mund të mos kisha ardhur fare!

Tani ai kishte marrë në duar fytyrën e ëmbël dhe të njomë të vajzës tetëvjeçare Teutës. E puthi edhe atë fort e shtoi: – Ta dini, ju kujtoj çdo çast dhe kudo që jam! Kapiteni bëri disa hapa në oborr dhe pastaj si të donte të shtonte dhe diçka tjetër të pathënë, u kthye nga ata, valëviti dorën dhe i puthi nga larg. Prej andej, në errësirën e natës, mundi të shquante në fytyrën e bashkëshortes lot ngashërimi.

Tani gruaja u ishte dorëzuar plotësisht parandjenjave të kobshme: i bëhej se në ato çaste po shihte për herë të fundit njeriun më të dashur të zemrës. Ndërkaq, silueta e të shoqit po humbiste diku tutje në errësirë. U dëgjuan edhe për pak kohë trokitjet e këpucëve të tij ushtarake nëpër gurë, por që u shuan shpejt në terrin e thellë të asaj nate të ftohtë dimri. Ai ishte kapiteni i xhenios, Panajot Haxhimihali, komandanti i parë i grupit të çminimit të bregdetin shqiptar. Ishin ditët e para të janarit të vitit 1945…

Shqetësimet e kapitenit te xhenios

Komanda e Korparmatës së parë të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare kishte ngarkuar një përfaqësues nga shtabi i saj, për të përcaktuar në zonën e Shqipërisë së mesme zonat ku do të niste zbulimin dhe kërkimin grupi i drejtuar nga kapiten Panajot Haxhimihali.

Ato përfshinin: Krujën, Ishmin, Shijakun dhe zonën bregdetare në qytetin e Durrësit. Sipas idesë paraprake të Komandës, kërkimet duhej të fillonin në plazhin e Durrësit, në sektorin: Ura e Dajlanit deri te Shkëmbi i Kavajës. Grupi xhenier i drejtuar nga Panajoti, fillimisht nisi punën në zonën e Currilave ku dallgët e detit, herë të qeta e herë të trazuara, përplaseshin brigjeve të kodrës piktoreske, fshehur disi nga syri i banorëve. Por në fundin e muajit dhjetor, ai merr një urdhër të ri.

Duket, një kërkesë e befasishme dhe alarmuese e fshatarëve të Maminasit e kishte bindur Komandën e Korparmatës të bënte një ndryshim vendor në përshtatje edhe me stinën. Ideja ishte e thjeshtë dhe logjike: plazhi i Durrësit paraqitej zonë e një rëndësie të veçantë dhe duhej t’i ishte nënshtruar një minimi sasior nga nazistët gjermanë. Për fat të mirë ishte fillimi i vitit dhe kulmi i dimrit, larg muajve të nxehtë të verës, kur brigjet e plazhit pritej të populloheshin nga pushuesit.

Një arsye tjetër që ndikoi në vendimin e mësipërm të Komandës së Korparmatës së Parë, ishin dhe mundësitë e saj të pakta për kërkimin dhe çminimin në dy fronte njëherësh. Në qendër të vëmendjes së punës të grupit të xhenierëve u vu fshati Maminas. Detyra ishte të pastroheshin nga minat tokat e bukës. S’kishte rrugë tjetër; nga çasti në çast mund të priteshin viktimat e para… Ndërsa udhëtonte së bashku me grupin e vogël xhenier, për në fshatin Maminas, në rrugën plot gropa të dëmtuar nga plasjet e predhave, Panajoti risolli ndërmend gjithçka për të vlerësuar më mirë situatën që lidhej me detyrën e re. Një ushtaraku të karrierës i është bërë natyrë e dytë radha e punës që duhet të ndjekë pas marrjes së detyrës nga komanda eprore.

Duke shfrytëzuar informacionet e mbledhura prej fshatarëve në bashkëpunim me të ngarkuarin e shtabit të Korparmatës së Parë, ata ndërtuan një skemë ndihmëse por që askush nuk mund të vinte dorën në zjarr për saktësinë e saj; megjithatë, ajo do të ishte shumë herë më e mirë se sa të nisej nga hiçi! Në idenë e komandës eprore partizane mbizotëronte mendimi se vendosja e minave ishte bërë në funksion të mbrojtjes të njësive gjermane, si dhe për t’u shërbyer atyre gjatë tërheqjes së organizuar për t’iu bashkuar trupave të tjerë në kryeqytet.

Lexo edhe :  Manuali 432-vjeçar për distancimin shoqëror

Sipas të ngarkuarit të Komandës, fshati Maminas ishte konsideruar një lloj porte për hyrjen e trupave aleatë nga Durrësi në Tiranë. Një ide e tillë është mjaft bindëse kur njihesh me relievin e thyer me vargun e kodrave të pambarimta që zbuten si valët e detit në breg, në zemër të fshatit. Vetvetiu, Panajotit iu shfaq e gjallë para syve, si në një film, lufta e Tiranës. Ndonëse kishin kaluar aq ditë, ai ndjente ende lodhjen nga tensioni i punëve dhe veprimeve me karakter xhenier që i ishte dashur të kryente.

Pengimi apo vonesa e tankeve gjermane në barrikadat e ndërtuara në rrugët e kryeqytetit, i kishin dhënë një kënaqësi të veçantë jo vetëm kur ishte brohoritur nga grupi i partizanëve që organizuan pritën kundër tyre, por edhe tani që i sillte ndër mend ato çaste.

Në ditët e luftës për çlirimin e Tiranës, partizanët e Brigadës së Parë e kishin ndjekur me vështrime që pas bunkerëve ku mbroheshin, kur ai zbërthente mjaft mina sikur të ishin enë të vjetra kuzhine… Ata ndalonin përpara tij dhe kur shihnin kapicë minat e çarmatosura dhe të pajetë, mend u ngrinte zemra nga tmerri i përfytyruar.

Disa prej partizanëve i tregonin njëri-tjetrit rrugën e pastruar prej rrezikut të minave duke folur me siguri: – Këtej mund të kalohet pa frikë, vëllaçko! Ka venë dorë ai, kapiteni që luan me vdekjen. Por, kishte edhe nga ata që e quanin të marrë dhe të luajtur nga trutë e kokës, këtë kapiten që luante me vdekjen. Sidoqoftë, askush prej tyre nuk kërkoi t’ia mësonte emrin e vërtetë.

Ndoshta sepse u pëlqeu më shumë ta kujtonin me admirim ashtu siç e pagëzuan në fushën e luftës: kapiteni që luante me vdekjen. Tani kur lufta kishte mbaruar edhe ai mund të ishte kthyer pranë familjes si shumë të tjerë. Por nuk ndodhi ashtu. As vetë Panajoti nuk dinte si ta shpjegonte atë shtysë të brendshme që e detyroi të qëndronte pranë formacioneve partizane edhe gjatë këtyre ditëve… Një zë i brendshëm, që s’ishte veçse zëri i ndërgjegjes së tij e vinte pareshtur në një alarm të vërtetë: fëmijë e fshatit mund të ishin nga çasti në çast preh të vdekjes… Si mund ta lejonte këtë ai? Ata që e njihnin nga afër kapitenin, nuk mund të mos vinin re edhe një shtysë tjetër, krejt rinore, që i gurgullonte në shpirt edhe tani në moshën e burrërisë: ai ishte një romantik i lindur që e donte botën gjithmonë e më të bukur sikurse donte edhe lumturinë e njerëzve. Jo, ai nuk do ta lejonte vdekjen të hidhte vallen e saj të kobshme dhe do ta mposhtte atë të pabesë…

“Kirurgu” i tokës

Gjatë gjithë paradites, grupi i xhenierëve përballoi nxjerrjen nga toka të njëzet minave. Secilën prej tyre e tërhoqën me një litar tridhjetë metrosh me një çengel në krye. Tre prej minave shpërthyen me gjëmime shurdhuese: kishin qenë të paheqshme.

Pasditen e 4 Janarit të vitit 1945, grupi i xhenierëve nisi kërkimin e çminimit në bahçen e fshatarit Ramazan Jella. Në atë kohë bahçja ishte plot me drurë frutorë. (Edhe sot mund të shihen shumë prej tyre). Midis parcelave të drurëve, në hapësirat për kalimin e mjeteve të motorizuara, dyshohej se mund të kishte mina të llojeve të ndryshme. Një bar i gjatë e i zverdhur, i pakorrur prej kohësh, si dhe ca shkurre dhe gjembaçë të verdhë gëlonin ngado. Zona si këto janë mjaft të përshtatshëm për vendosjen e minave Stock prej çimentoje, që kanë brenda tyre copa metali.

Por edhe të minave të përziera, sepse terreni i dendur ndihmon maskimin e tyre. Minat thërrmuese kundër këmbësorisë shoqërojnë vendosjen e minave kundërtanke për të penguar këmbësorët që të afrohen për heqjen e tyre. Ato vendosen mbi një kunj prej druri të ngulur në tokë, kurse shkrehësi i lidhur me një tel të tendosur qëndron i gatshëm të vërë në veprim minën edhe me prekjen më të vogël.

Sa orë kaluan vallë, ashtu shtrirë në tokë, duke u zvarritur në çdo centimetër?! Të gjithë ishin të lodhur. Edhe Panajoti. Qëndrimi barkas, për një kohë të gjatë, mbi tokën e ngrirë kallkan, pranë një mine që mund të shpërthejë edhe me ngacmimin me të vogël, të acaron aq shumë nervat, sa nuk mund të durosh as zhurmën më të vogël. Sa do të donte atë çast të pushonte diku larg, në një vend tjetër, në një lëndinëz të mbuluar nga bari gjelbërosh… Muzgu po mbulonte me shpejtësi gjithçka dhe pamjet përreth po humbisnin trajtat e tyre të rregullta. Në të vërtetë, puna mund të ishte ndërprerë, por kishin mbetur edhe disa metra për të dalë deri në fundin e parcelës së nisur.

-Eh, nesër… Po nesër, si gjithmonë; fillon një ditë e re – nis një fat i ri!

Në atë çast dobësie që t’i molis sytë dhe ta ul kokën e lodhur mbi gjymtyrët e shtrirë përpara, sa mirë do të kishte qenë të pushonte fare pak e të mblidhte forcat. Po ç’ kërkonin tani ato fanitje ngacmuese në fushëpamjen e syve të lodhur? Kujtesa i solli krejt pa pritur përpara syve kohën e artë të gjimnazit. Oh! Atëherë kur donte të shplodhej, Panajoti zbriste rrëmbimthi nga Kalaja për në pazarin e Beratit.

Në kthim duhej t’u ngjitej rrugëve të përpjeta me gurët e kalldrëmit të ngrëna e të veshur nga një shkëlqim i veçantë që koha u kishte dhënë pa kursim… Kur zgjohej nga ajo dalldisje, përtej hapësirave që i shigjetonte syri, kthehej sërish në vorbullën e jetës tokësore. Tanimë edhe pak çaste kishin mbetur dhe errësira do të zhdukte si me magji të gjitha ato hollësira peizazhi që pikëlonin rreth e qark. Pastaj gjimnazisti i ri vraponte i lehtësuar, në shpirt e në trup, për në shtëpi, sikur ndiqte të ardhmen që e grishte me misterin e ditëve rinore…

Formulari i fushave të minuara gjermane

Një shkulm ere i ftohtë i rrahu fytyrën duke ia larguar, si me goditje kamxhiku, kujtimet e ditëve të shkuara. Vërtet kishte kaluar shumë kohë nga ato ditë rinie, por kujtimet e papërsëritshme për qytetin e tij nuk i ishin zbehur. I mbylli sërish sytë, por vetëm për pak çaste dhe ndërkaq iu bë sikur ndjeu pranë thirrjet e gëzuara të tre vogëlushëve të tij.

– O zot, -pëshpëriti, – me zëra të tillë hyjnorë është vetëm parajsa!

Në ato çaste mundimi nuk pati dëshirë tjetër veç asaj për të parë sërish fytyrat e të shtrenjtëve të tij, atje larg, që me siguri prisnin babushin e tyre… Duket se kujtimi i tyre bëri mrekullinë: zgjoi te Panajoti energjinë dhe forcën e nevojshme që të mblidhte veten. U shkund përfundimisht nga ëndrrat molisëse dhe sërish ndjeu miliona gjilpëra të hidhura nga të ftohtit që e shponin në të gjithë trupin.

I duhej të bënte përpara i pickuar nga mijëra gjembaçë të hidhur, i gjakosur dhe i përbaltur, me vështrimin e lodhur dhe me duart që kërkonin ta tradhtonin dhe që nuk donin t’i bindeshin më! Tani lodhja kishte bërë punën e saj aq sa edhe mendimet në kokë i qerthullonin lesh e li. Portreti i tij tanimë i ngjante atij të kirurgut të përqendruar mbi të operuarin.

Çdo shqisë e tij fizike dhe mendore ishte regjistruar në shkallën më të lartë të aftësive njerëzore; vështrimi i përqendruar, gjymtyrët e pozicionuar plot kujdes, zemra që i rrihte me nxitim dhe frymëmarrja, që, pothuajse i dëgjohej në qetësinë e muzgut. Lëvizi pak shpatullat si për t’u çliruar më mirë nga ajo mpirje dhe shtyu aparatin përpara. Nuk arriti të shquante një tel të ndryshkur dhe të fshehur mes barërave dhe shkurreve të zverdhura. U dëgjua një shpërthim shurdhues dhe një flakë e ndritshme përfshiu trupin e tij. Kishte humbur jetën mbi trupin e tokës nënë vetë “kirurgu i saj”, partizani që kishte luftuar shumë muaj e ditë kundër minave, rrënjëve të vdekjes, Panajot Haxhimihali, njëri nga bijtë e saj më të mirë.

* * *

Në mbrëmjen e 4 janarit të vitit 1945, Panajot Haxhimihali dha shpirt. Shpërthimi dhe copat e minës thërrmuese si për t’u hakmarrë nga përbuzja e kaq-kohëshme e kapitenit të xhenios e kishin dërrmuar atë pa mëshirë në kokë dhe në pjesët e tjera të trupit. Pas ceremonisë së varrimit me të gjitha nderimet ushtarake, trupi i këtij biri të popullit përcillet për në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Por sfida ndaj vdekjes dhe guximi i tij u bënë shpejt burim frymëzimi jo vetëm për shokët e tij xhenierë, por edhe për të gjithë ushtrinë dhe popullin që nisi betejën e re për ndërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta. Nipi i Panajotit, Kristaq Haxhimihali (djali i vëllait, Janit, që nuk u kthye më nga kampi nazist i Dakaut) i cili kreu studimet e larta ushtarake brenda dhe jashtë vendit, në fushën e kimisë, ashtu si edhe djali i Panajotit, Dhimitraqi, tregon:

-Rënien në krye të detyrës të xhaxhait e mësova qysh atë natë, megjithëse ndodhesha në Sanxhak, në radhët e Brigadës së pestë sulmuese partizane. Radio Tirana i filloi lajmet e orës njëzet me komunikatën: “Sot ra në krye të detyrës kapiteni i xhenios Panjot Haxhimihali”.

Disa ditë më pas, në derën e shtëpisë së kapitenit të xhenios në Tiranë trokiti me drojtje një fshatar nga Maminasi. Ishte i zoti i bahçes ku kishte rënë Panajoti, Ramazan Jella:

– Kam ardhë për ngushëllim dhe të pi një kafe sipas zakonit tonë, – iu drejtua ai babait të Panajotit, xha Taqit. Përpara se të largohej, ai iu drejtua bashkëshortes së Panajotit:

-Zonjë, burri juaj ishte një trim i vërtetë që dha jetën për të shpëtuar nga rreziku i vdekjes fëmijët tanë. E di fort mirë se asnjë pasuri nuk mund t’ua zëvendësojë atë. Ç’t’i bësh, është kohë lufte! Të gjithë jetojmë kohë të vështira. Sidomos ju me fëmijët e vegjël pas vdekjes së bashkëshortit tuaj…Dhe nxori nga brezi një shumë të vogël parash.

-Ju lutem t’i pranoni nga unë dhe familja ime. Ai u vra që të mos vriten më kurrë njerëz të tjerë…

Të fundit

Ndodh mrekullia/ Foshnja i mbijeton transplantit të mëlçisë dhe Covid-19

Një mrekulli ka ndodhur me Kasen Donerlson , të voglin 1 vjeçar i cili arriti ti mbijetojë sëmundjes të...

Kosovë/ Sërish viktima dhe shumë raste të reja me Covid-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), njoftoi sot se gjatë 24 orëve të fundit 5  persona të infaktuar me COVID-19 kanë vdekur...

‘A ke foto e video të gocave tjera që mund t’ua shkatërrosh jetën?’/ Arjoni: Kam 36 minuta material

Arjon Luli një nga ish-konkurrentët më të komentuar të emisionit “Përputhen”, i cili u përjashtua nga reality show pasi theu një nga rregullat kryesore,...

Inxhinieri turk fejohet me vajzën nga Mamurrasi/ Rama bëhet ‘kumbar’ dhe e këshillon: Llokumin jepja vjehrrës se…

Kryeministri Edi Rama është bërë sot ‘kumbar’ i dashurisë së një çifti që sapo zyrtarizoi lidhjen. Bëhej fjalë për një djalë turk, me profesion inxhinier,...

Fatjoni i dënuar për prostitucion? Zbardhet mesazhi: Jam një vajzë nga Fieri dhe…

Fatjoni është fieraku më i përfolur i momentit në "Përputhen". Që prej fillimit ai dalloi jo vetëm për pamjen por edhe tipin e tij. Ai...

Lajme të tjera

Web TV