(Fragment shkrimi)
Ardit Mehmetaj
Vepra “Nga jeta në jetë. Pse?” është roman i shkruar në prozë në formë ditari, të cilin protagonisti i romanit Gjon Zaveri e realizon në një rend kronologjik kohor. Vetë titulli i romanit “Pse” na paraqet një pyetje që kërkon përgjigje, ose thënë më saktë është pyetje dyshuese që kërkon arsye. Arsyen që e kërkon Gjoni përmes pyetjes “Pse” është për vetën e tij, për gjithë njerëzimin e për çdo gjë në jetë, por edhe për vetë jetën. Kështu, romani ka tematikë sa filozofike, po aq sociale. Është filozofike sepse trajton çështje ekzistenciale. Është sociale sepse trajton traditën, doket e zakonet në shoqërinë shqiptare, dallimet fshat – qytet, raportin prind – fëmijë e të tjera.
Vepra e shkruar në formë ditari është një vepër që përmban pesimizëm e dëshpërim të thellë në vetvete, të cilat e përcjellin protagonistin e veprës që nga fillimi i saj e deri në përfundim. Ndjenjat e tij thuajse të njëjta që nga fillimi e deri në fund kur i përkeqësohen krejtësisht pasi aty del në pah edhe një çrregullim psikologjik i tij: ai i halucinacioneve. Vepra, është mohim i përgjithshëm i jetës, ku në fund del edhe kundërshtim i njerëzve që shpikën këto ide të mohimit të jetës.
Personazhi i Gjon Zaverit në veprën “Nga jeta në jetë. Pse?”
Gjon Zaveri është imazhi i figurës njerëzore, që dellin e asaj që ishte në të kaluarën ia ndërron fusha në të cilën thellohet në lexime: filozofia. Atij, në thellësinë shpirtërore e mendore i shfaqen pyetje, të cilave duke mos pasur mundësi t’u përgjigjet, ia mveshin trazimin gjer në vdekje qenësisë së tij. Krijimi, pyetjet dhe ekzistenca në thelb është ajo që Gjon Zaverit i falë këto shqetësime. Mbase çdo pyetje, çdo gjë që e rrethon Gjon Zaverin është një “pse” për të cilën nuk e gjen përgjigjen. Në një formë tek ky personazh është ndërtuar njëlloj përballjeje në mes të dy pikave themelore:
Njeriu – qenia
E panjohura – misteri, qëllimi i krijimit dhe i ekzistencës
Ajo që shfaqet në religjion, ajo që shfaqet në filozofi, ajo që shfaqet kudo mbi të panjohurën që Gjon Zaveri do ta njohë, nuk është përgjigjja që ai kërkon. Protagonistit të Spasses ndonjëherë i del në pah edhe një lloj tendence që kuptimi i përgjigjeve aq shumë të kërkuara, madje mund edhe të mos ketë fare rëndësi – kjo ndodh në rastet kur trazimi nga këto pyetje bëhet prishje në tërësi e një qetësie që nuk kishte ekzistuar që nga koha kur ai, për dallim nga bashkëmoshatarë të tjerë filloi të interesohet në shtrimin e pyetjeve mbi ato që nuk i njeh, duke besuar se kështu lumturia e tij në jetë do të merrte kuptimin, i cili do t’ia falë edhe qetësinë. Personazhi i Gjon Zaverit, njeriut në kërkim të së panjohurës, nuk e njeh relativen.
Në tërësi të veprës, shfaqet kryeneçësia e tij, ngulmimi për t’i vënë bazë çdo gjëje e cila e rrethon duke e pohuar ose duke e mohuar atë – pra për Gjon Zaverin ka “ose”, por jo “apo”, “ndoshta” dhe të tjera. Ky personazh, vështruar nga këndi i karakterit që përfaqëson gjërat, vetveten e tij nuk e lë në dorë të dëshirës e mundësisë. Gratë, vajzat e dashurojnë Gjon Zaverin por janë perceptimet e tij, të cilat nuk e shohin tërheqëse botën femërore. Gjoni kërkon jetë të lirë, kërkon liri. Ky koncept mbi lirinë nga ana tij del ideal sepse realiteti dhe dëshira janë në kundërshti me njëra-tjetrën.
Pse? Sepse në vendin ku ka lindur Gjoni dhe ka kaluar një pjesë të fëmijërisë, dëshirat e tij si për të mos u martuar, për të mos debatuar, për të mos biseduar rreth temave që në katundin e tij bisedojnë, për të mos u pajtuar në thelb me konceptin e mënyrës se si e shohin bashkëvendësit e tij jetën – ky vend i sheh si të papranueshme, jonormale. Pse del ky koncept ideal? Se Gjoni kërkon shumë, për gjetjen e përgjigjeve, as në mes të katundarëve as në mes të qytetarëve nuk e gjen prehjen që do ta ketë, në jetën e tij. Gjoni jep përshtypjen e personazhit të revoltuar që në fund të fundit dorëzohet:
Bën pyetje – i dorëzohet paqartësisë
Martohet me Afërditën – i dorëzohet traditës, nuk ndërron asgjë – është si të tjerët
Kthehet në fshat – i dorëzohet dëshirës së tij të kahmotshme për të jetuar në qytet
E do jetën, nuk e duron dhimbjen – i dorëzohet vdekjes
Konceptet filozofike të Gjon Zaverit, absurdi, çështja mbi ekzistencën në përgjithësi i japin atij si personazh heshtjen nga vështrimi i jashtëm – Gjonin nuk ka kush ta dëgjojë, nuk e kuptojnë; zhurmën nga vështrimi i brendshëm – Gjoni në luftë me vetveten, deri në vdekje. Jetën e tij e përfundon duke e lënë një letër – testament.
Ky i fundit është krejtësisht kundër përpjekjeve jetësore të Gjon Zaverit, pra, kundër filozofisë e filozofëve, pas një lufte të humbur me vetveten, ai këtu del kundër tyre, ky testament, në tërësi është për ata që vijnë pas, ai u thotë atyre se filozofia është si një lule shumëngjyrëshe e që brenda saj përmban helm që vret. Filozofinë ai e bën shkaktaren e vetme që ai jetoi një jetë të atillë të veçuar nga të tjerët, një jetë pa ndjenja kundrejt të tjerëve dhe në fund që i solli një vdekje kaq të dhimbshme.
Filozofët janë ata që i shfaqen Gjonit në formë halucinacioni edhe në ditën e fundit të jetës së tij, por ai vendosë që vetëm duke e vrarë vetën t’i vrasë ata që i quan vrasës të pamëshirshëm, që vrajnë me një armë të padukshme të quajtur ‘filozofi’, që për dallim nga pushka që vret njerëz, filozofia nëpërmjet mendjes vret turma njerëzish. Ai pendohet që ka bërë një jetë të tillë dhe sikur të kthehej edhe njëherë në jetë thotë se do të zgjidhte të jetonte si të parët e tij: jetë fshatare-bujqësore, pa dilema ekzistenciale. Kështu, vdekjen e tij Gjoni dëshiron ta bëjë si një filozof: Diogjeni – i cili njihet për mënyrën e tij të veçantë të jetës e të vdekjes, që nga këndvështrimi ynë është sa i veçantë, po aq edhe paradoksal. Fjalët e fundit të letrës së tij janë:
“Bota e Hiçit, prej Hiçit, për Hiçin. Rrotullohet rreth qëllimit të Hiçit!”
Këto fjalë janë formula filozofike me të cilën jetoi e vdiq Gjon Zaveri. Me këtë formulë merr kuptim e tërë vepra dhe tërë vuajtjet e Gjon Zaverit. Ai krijon filozofinë e tij të hiçit, ku krijimi, vetë jeta dhe vdekja nuk kanë ndonjë qëllim të paracaktuar, disa jetojnë pa e çarë kokën për këtë e disa i japin vetë kuptim jetës së tyre, por Gjon Zaveri nuk është nga ata. Filozofia e tij e hiçit korrespondon me filozofinë nihiliste që mohon ekzistencën e çdo gjëje dhe mohon qëllimin e vetë jetës, por nuk mund të themi që Gjoni është nihilist tipik niçean pasi ai nuk mohon vlerat tradicionale, kodet morale e të tilla.
Ai edhe kur del kundër disa zakoneve e dokeve, nuk del duke i mohuar ato tërësisht, por duke dashur në njëfarë mënyre t’i reformatojë ato. Ai kërkon njeriun që kërkon e krijon liri, kërkon një rend të ri por duke mos e ndryshuar por jo shkatërruar atë që veçse ekziston. Ai përfaqëson idetë e reja që për komunitetin janë sa të çuditshme, aq të panjohura. Kështu, pakuptimësia e qenies njeri dhe jeta e pakuptimtë e shpien Gjon Zaverin drejtë asaj që nuk ka më kthim: vdekjes.
Në krahasim tematik me veprat e letërsisë dhe idetë e filozofisë
Kur thuhet se kjo vepër si ide, në përgjithësi përmes protagonistit është një lloj ndeshjeje midis botërash, ku filozofia del botë në vete në perceptimin e përgjithshëm, këtu shfaqen shumë nga këto ide. Vepra të shumta si të letërsisë shqipe ashtu edhe të letërsisë botërore janë të përfshira si asociacion tematik, në kuptimin që shumë ide, çështje brenda tematikës që gjendet në veprën “Nga jeta në jetë. Pse?” të Spasses mund të asociojnë tematikisht me vepra, personazhe dhe të tjera, të letërsisë së shkruar shqipe dhe botërore. Kur lidhet me protagonistin, ajo që ndodhë me Doden tek tregimi “Gjaku” i Koliqit apo me Nushin tek tregimi “Studenti në shtëpi” i Migjenit, në një formë e paraqet Gjonin.
Këtu Gjoni i nënshtrohet zakonit pasi që forca e kolektivit del triumfuese thuajse gjithnjë mbi individin. Gjon Zaveri i Sterjo Spasses njësoj si Dija e Haki Stermillit kërkon një ndryshim zakonor – tradicional në shoqëri, veçse Gjoni është më shumë i linjes koliqiane në raport me traditën dhe të renë, në kuptimin që të ndërtohet e reja mbi të vjetrën si dhe të ruhen zakonet e doket e mira. Kur merret në krahasim me veprat e protagonistët e lartshënuar, te Gjoni gjendet pikërisht pakëz nga perceptimi i tyre për botën, edhe pse jo tërësisht. Dallimi nga protagonistët e përmendur qëndron në atë se fundin “tragjik” protagonistët e përmendur nuk ia shkaktojnë vetes, ia pranojnë vetes, idetë e tyre nuk fitojnë.
Gjoni, nuk pajtohet me fatin e tij, nuk pajtohet me humbjen dhe zgjedh vetëvrasjen. Krahasimi me protagonistët e këtyre veprave më shumë mund të ndërlidhet në aspektin e shtresimit që ekziston në traditën, në nevojën për të ruajtur traditën nga të vjetrit dhe të rinj që nuk pajtohen me të, të gjithë këta të rinj nuk triumfojnë me idetë e tyre, pra në fund humbasin, secili në mënyrën e vet.
Nëse kjo vepër merret në krahasim me veprat të letërsisë botërore, shihet një afri edhe më me tendencë e autorit, duke i zhvilluar idetë në asociacion të dukshëm me ato vepra. Ai shfaq absurditetin e tij ndaj jetës njësoj si Merso i Kamys dhe ai vuan po aq sa Verteri i Gëtes. Pra, Gjon Zaveri është mes Mersos e Verterit, veçse Gjon Zaveri nuk vuan nga motive të tilla si të Verterit. Nëse Merso i Kamys është në gjendje absurde në raport me jetën, por ai edhe pa dashuruar krijon lidhje dashurie, Gjon Zaveri jo.
Ky shkon edhe një hap më tutje, pasi nuk e kupton atë dashurinë rinore siç e quajnë aty të rinjtë e tjerë. Gjon Zaveri nuk pranon kurrsesi të bëhet në njëfarë forme rob i dëshirave trupore, në këtë rast mashkullore. Ai vendosë racion para së gjithash dhe mbi të gjitha, atë nuk e tërheq asnjë vajzë dhe ai qëndron i ftohtë ndaj çdo vajze që i afrohet. Fundi i Gjon Zaverit është njësoj si i Verterit, të dy e bëjnë këtë me një letër lamtumirëse, vetëm se Verteri kushtuar Sharlotës e Gjon Zaveri atë letër e lenë si testament kundër filozofëve që infektojnë njerëzit ose thënë vrazhdë si Gjoni kundër filozofëve vrasës që më idetë e tyre vrasin shumë të rinjë në të gjitha anët e botës. Përderisa, letra e Verterit gjendet pranë librit “Emilia Galotti”, letra e antifilozofisë e Gjonit gjendet në mesin e librit “Fausti” të Gëtes.