Fermerë aplikoni deri më 25 shkurt për të marrë naftën që deri dje e paguanit me taksa, tashmë falas

Nëse je një fermer, person fizik apo juridik i pajisur me NIPT fermeri aktiv dhe me pronësi toke mbi 0.4 HA, tashmë ke mundësi të bëhesh pjesë e skemës së mbështetjes me naftë nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duke aplikuar në e-Albania deri më 25 shkurt.

Çdo vit, me mijëra fermerë varen nga subvencionimi i kostove të prodhimit. Një zë i rëndësishëm i këtyre subvencioneve është edhe mbulimi i kostove të karburantit. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka zhvilluar një skemë të dedikuar për mbështetjen me naftë, të paraqitur në një formë të thjeshtuar nëpërmjet e-Albania.

Nëpërmjet kësaj skeme, subvencionimi për karburantin arrihet në një përqindje të konsiderueshme, duke hequr taksën e qarkullimit, të karbonit dhe akcizën.

Aplikimi kryhet në faqen e e-Albania në disa hapa mjaft të thjeshtë.

Pasi aplikanti futet në e-Albania dhe identifikohet si “Biznes” ai duhet të zgjedhë shërbimin “Aplikim për skemën e naftës për bujqësinë”. Plotësimi i formularit elektronik kërkon të përcaktohet adresa ku gjendet toka bujqësore, e cila nuk duhet të jetë më pak se 0.4 Ha, me ngastra më shumë se 0.1 Ha. Sipërfaqja e parcelës duhet të korrespondojë me sipërfaqjen që ka kjo parcelë në dokumentat e pronësisë ose të përdorimit.

Çdo subjekt përfitues, duhet të provojë se ka tokë bujqësore në pronësi apo përdorim dhe duhet të vetëdeklarojë kulturat bujqësore të mbjella ose që parashikon të mbjellë sipas përcaktimeve të formularit të aplikimit, mbi të cilat përcaktohet edhe sasia e naftës që përfiton aplikuesi.

Normativat e konsumit të  naftës për punimet e mekanizuara dhe sasia e naftës  që përfitohet falas nga çdo subjekt përfitues përcaktohen sipas kulturave bujqësore/grup kulturave dhe sipërfaqes që kultivohet.

Dokumentat që nevojiten për të patur një aplikim të saktë janë si më poshtë:
Për tokat në pronësi kërkohet Çertifikata e pronësisë, Kartela e Pasurisë, Harta Treguese dhe Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP).

Lexo edhe :  Mbi 2 mijë bar-kafe u hapën në 2024/ Turizmi nxit aktivitetin e preferuar të shqiptarëve

Për tokat në përdorim nevojitet Akti i Marrjes së Tokës në Përdorim, Çertifikatë familjare e 1.8.1991, Marrëveshje dakordësie e shumicës së anetarëve të familjes bujqësore dhe Kontrata e huapërdorimit e noterizuar.

Për tokat e marra me qira nevojitet kontratë qiraje e noterizuar.

Megjithatë, ky institucion ka vendosur në dispozicion të të gjithë fermerëve aplikues Agropikat, zyrat e Agjencive të Ekstensionit Bujqësor dhe një numër kontakti falas 0800 83 83, për të asistuar çdo fermer në kryerjen e aplikimit.

Skema e mbështetjes me naftë është vetëm një nga mekanizmat që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po aplikon për të mbajtur sa më të lidhur fermerin shqiptar me tokën e tij, duke qëndruar pranë tyre në çdo hap.

Ministria e Bujqësisë thirrje fermerëve: Aplikoni deri më 25 shkurt.

Tashmë çdo fermer, person fizik apo juridik i pajisur me NIPT fermeri aktiv, ka mundësinë të përfitojë nga skema e mbështetjes me naftë të shpallur nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duke aplikuar deri më 25 shkurt, në e-Albania.

Kjo skemë synon uljen e kostove të prodhimit për fermerët, duke subvencionuar koston e karburantit. Ky subvencionim arrihet duke hequr taksën e qarkullimit, taksën e karbonit dhe akcizën.

Afati i fundit në dispozicion të aplikimeve është data 25 shkurt.

Përfituesit e kësaj skeme janë të gjithë fermerët individualë, personat fizikë dhe juridikë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv. Formulari elektronik është zhvilluar në një formë mjaft të thjeshtuar, në mënyrë që të lehtësojë sa më shumë procedurat për fermerin shqiptar, drejt një aplikimi të suksesshëm.

Megjithatë, për të qenë sa më pranë fermerëve në çdo pyetje apo problematikë që lidhet me plotësimin e formularit me dokumentacionin përkatës, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka vendosur në dispozicion të gjitha zyrat lokale të Agjencive të Ekstencionit Bujqësor, Agropikat dhe numrin e kontaktit pa pagesë: 0800 83 83.