Botimi përgjimeve të hetimeve mbi Ndrangetan nga Prokuroria e Catanzaro, u mendua se do t’i jepte një dimension tjetër rrjedhës së fushatës elektorale. Nuk do kish dhuratë më të mirë për PD-në që pikërisht tani në prag zgjedhjesh të dilnin përgjime që do të implikonin maxhorancën në përfshirje aferash me bisnesmenë që kanë lidhje me mafian. Dhe në fakt menjëherë pas botimit të parë të tyre nga selia e PD nisën bubullimat se maxhoranca është përzier me krimin. Kush opozitë nuk do ta bënte këtë gjë. Në fakt, ndërsa po ndiqnim këtë zhvillim të ri po prisnim se ku dhe sa thellë do të shkonte çështja pas botimeve të reja të përgjimeve. Por pas çdo botimi të ri nga pjesëzat e përgjimeve, kjo pritshmëri u shfry si një tollombace e çpuar. Me këtë ritëm shfryrjeje nisën të bien dhe tonet e deklaratave nga selia PD, por pa e fshehur nervozizmin që kjo të ish e vërtetë.
Pas gjithë atij shfrimi, duket se ka një keqardhje se përse socialistët nuk ishin përlyer. Kish keqardhje se përse bisnesi i mafies kish mbetur vetëm në planet e tyre të vitit 2017, porse nuk ishin materializuar ndërhyrja në ekonominë shqiptare. Si të thuash, opozitës do t’i vinte mbarë që mafia të ish futur, ta kish bërë pis vendin, vetëm e vetëm që nga disa përgjime ajo të kish arritur disa përfitime elektorale.
Është e natyrshme që nëse kjo të kish ndodhur duhej të reagonim të gjithë, e jo thjesht për efekt elektoral. Nuk është e thjeshtë ta çrrënjosësh diçka si mafia që arrin të shtrijë rrënjë të thella kudo, në ekonomi, në media, në politikë, e kudo. Por ndërsa po ndiqnim vijimin e përgjimeve nën daullet luftarake të PD se qeveria është lidhur me mafian, ndien një lloj revolte se po të fyejnë inteligjencën. Imagjino se përkufizohen si Ndrangeta disa bisnesmenë të vegjël që bëjnë videokonferenca se si të investojnë në Shqipëri, në cilën fushë ka më shumë interes dhe si të gjejnë para për ti investuar ato. Epo mafia nuk bën këto lojëra me biseda të gjata. Më e shumta të ngjan me skemën e njohur në këto vite ku bisnesmenë të vegjël aventurojnë drej vendeve në zhvillim për të përfituar nga mundësitë që u krijohen, dhe për këtë mundohen të gjejnë fonde andej këtej, fonde këto qoftëedhe nga organizatat kriminale. Nëse njëri prej të përgjuarve duket se është ai që gjen tregje të reja se ku do investojë e zbardhë paratë Ndrangeta, të tjerët duket se I vinë rrotul për ta joshur në drejtimin që u intereson e për të finacuar projektin e tyre në Shqipëri.
Që kjo gjë mund edhe të kish ndodhur, dhe që fonde të Mafias do të kishin mundur të investoheshin në Shqipëri, nuk do të ishte e habitshme. Por nese kjo do të ndodhte, e sigurt do të ishte që këta personazhe tashmë do të ishin të njohur për të gjithë, qoftë edhe nga media që do tu merrte reklamë. Për fat kjo insiativë, e dalë në përgjime që në vitin 2017, mbeti jetim dhe këta bisnesëmenë mbetën në bisnesin e tyre të vogël. Them të vogël jo thjesht se gjithçka mbeti në nivelin e një dyqani rrobash, por se vetë mentaliteti i tyre të të bërit bisnes dukej i vogël dhe hilacak. Për këtë mjafton të përmendim se sidoqoftë Shqipëria nuk është më në nivelin ku vihet me të pyetur se ku mund të investosh. Tashmë në vend ka studio të specializuara ndërmjetësimi që ofrojnë një punë të specializuar. Dhe ku çdo bisnes serioz u drejtohet atyre për të marrë informacion se ku mund të investojë, si është kuadri ligjor në atë fushë, sa është norma e taksave për to e kështu me rradhë. Bisedat se kam folur me njërin e më ka thënë se kështu operohet në Shqipëri, qoftë ky bisnesmen apo i njohur në avion, janë aq të vjetëruara sa zor se mund të merren seriozisht.
Gjithësesi kjo hap një tjetër parantezë. Që politika shqiptare mbetet ende e vjetëruar në formën që kërkon të ngrejë një kauzë. Dëshira për ta mbajtur gjallë me zor këtë çështje nga ana e PD, kur tashmë po bëhej e qartë se gjithshka po shndërrohej në flluckë, është jo thjesht demagogji, por dhe papërgjegjshëmri si ndaj qytetarëve që u drejtohesh por dhe ndaj vendit. Që preferon ta shohësh të zhytur në krim vetëm për ta përdorur si argument të mjerë për të synuar pushtet.