E pazakontë në parlament/ Deputeti nuk pranon të marrë fjalën, drejtuesja e seancës i fik mikrofonin

Një debat jo i zakontë ka ndodhur ditën e sotme në Parlamentin e Shqipërisë mes drejtueses së seancës plenare Vasilika Hysi dhe deputetit Erion Piciri.

Hysi i dha fjalën deputetit, por ai insistoi se nuk ishte radha e tij për të folur por e kolegut Kostaq Papa, duke iu referuar listës që i ishte vënë në dispozicion.

“Fjala i takon zotit Kostaq Papa, të ruajmë radhitjen”, tha Piciri, ndërsa Hysi u shpreh se të gjithë deputetët jashtë grupeve parlamentare janë të barabartë dhe kjo ishte arsyeja që radha i kaloi atij.

Sërish Piciri ka insistuar që fjala t’i kalonte Kostaq Papës dhe më pas atij, por Vasilika Hysi nuk e ka zgjatur debatin, duke i mbyllur mikrofonin deputetit dhe duke ia dhënë fjalën Korab Litës.