Nga Plator Nesturi
Kryesocialisti Edi Rama po ruan disa nga deputetët e mëparshëm, por po afron të rinj, përse kjo zgjedhje dhe nga emrat e deritanishëm që janë afruar, a e tërheq disi elektoratin gri?
Çdo maxhorancë, për sa kohë është në pushtet dhe paraqitet në zgjedhje, synon së pari të kompaktësojë dhe të mbahet tek shifrat e zgjedhjeve të kaluara që ia kanë mundësuar qeverisjen. Kësaj aksiome nuk ka si ti shmanget dhe PS-ja, ndaj dhe pyetja për elektoratin gri duhet të ish drejtuar për kahun tjetër, pra për opozitën, dhe jo për maxhorancën. I takon më së shumti opozitës të tentojë tek elektorati gri nëse synon të ndryshojë kahun e kandarit të votave. Në këndvështrimin tim, nëse PS-ja arrin të ruajë të njëjtat shifra si në zgjedhjet e kaluara, atëherë e ka kryer detyrën e saj për të marrë dhe mandatin e tretë. Besoj se shifrat e 47 përqind e votave, me sistemin e ri të zgjedhjeve ku nuk ka koalicione, ia mundësojnë kujtdo marrjen e maxhorancës së mandative. Ndaj dhe çështja e emrave të listave të kandidatëve të rinj, më së shumti synojnë jo elektoratin gri, por mbajtjen e të njëjtit rezultat. Ndërkohë ndryshimi në përbërje me emra të rinj synon jo vetëm të japë idenë e progresit natyral në evolucionin e një force politike, por dhe të axhustimit të emrave të cilët jo gjithmonë kanë arritur të jenë vërtet përfaqësues të elektoratit të tyre. Në fakt deri më tani, tek partitë e mëdha, çështja e përfaqësimit elektoral tek deputetët ka qenë shumë e çalë që nga koha e ndryshimit të sistemit të përzier të dikurshëm me atë të sotmin. Në këtë aspekt deputetët janë parë më së shumti si kontribues politikë se sa si përfaqësues të elektoratit që iu ka dhënë votat. Kjo pasi më së shumti vota e qytetarëve është më së shumti si votë partiake se sa si votë mbështetëse për emrat e veçantë. Ky fenomen është më ndeshur në zonat qytetëse dhe sidomos në qytetet e mëdha. Vlera e kandidatëve për deputetët nuk ka peshë ndikuese se sa ka subjekti politik. Ndryshe në zonat rurale dhe në krahina të caktuara, ka ende peshë emri i deputetit dhe influenca e tij. Veçse duhet thënë se kjo i ka shndërruar disa nga këta emra si pashallarë të vegjël krahinorë, të cilët dalin fitues zgjedhje pas zgjedhje, por që realisht kanë pak kontribut politik përtej kufijve të krahinës prej të cilës marrin vota.
Kryeministri Edi Rama dy emra ka konfirmuar vetë në prag të finalizimit të listës përfundimtare për kandidatët që do të garojnë në 25 prill nën siglën e PS Najada Çomo dhe Luljeta Bozo. Si ju duket zgjedhja e tyre?
Duket se ajo çka ka tërhequr vëmendjen është jo fakti se po futen në kandidim dy zonja të spikatura në profesionin e tyre, por mosha që kanë ato ndërsa u është bërë ky propozim. Në një farë mënyrë ky është një borxh ndoshta për gjithë ata profesionistë e që kanë patur arritje në karrierën e tyre dhe që pas ose aspak kanë gjetur vend në listat e kandidatëve gjatë zgjedhjeve parlamentare për mbi një dekadë. Në fakt mua më shqetëson diçka tjetër. Ajo që duket se është bërë normë e thithjes së të rinjve në politikë pa asnjë lloj kriteri, por vetëm për imazh. Imagjinoni që prej legjislaturash të ndryshme kemi krijuar një stereotip të ri politikanësh, të cilët shpesh ditën e parë të punës së tyre e kanë patur si deputetë, që janë vënë madje dhe në krye të institucioneve apo ministrive të ndryshme për ti dhenë zhvillim vendit kur vetë mund të quhen të pa profesion e të pa eksperiencë, që janë bërë figura publike vetëm për debate televizive, dhe që pas disa mandatesh si deputetë thjesht u kemi siguruar një pension të mirë, por që me gjithë mundësitë që u dhamë, vështirë se janë bërë dhe politikanë të mirë. Pa një arritje në fushën profesionale është vështirë të mendohet se mund të kesh një karrierë të suksesshme politike. Vetëm nëse i merr si zogj për ti mbajtur me zë zogu gjatë gjithë kohës. Ndaj dhe heqja nga lista e këtij lloji as nuk ul dhe as nuk ngre peshë. Çështja është të mos zëvendësohen me po të tillë.
Vasilika Hysi dhe Besnik Baraj njoftuan tërheqjen nga kandidimi, gjithashtu edhe disa emra të tjerë që kanë dy ose tre mandate pritet të mos jenë në listën e 8 Marsit. Megjithatë askush prej tyre nuk ka shprehur pakënaqësi ndaj Ramës, ky është tregues që e majta “ respekton udhëheqësin” api çdo zë alternativ është sfumuar maksimalisht nga lideri?
Duhet të kemi më informacion lidhur me këtë çështje. Si për çështjen e atyre që do të largohen nga lista ashtu dhe për emrat që do të afrohen. Dhe këtu ka të bëjë dhe çfarë diskutohet në forumet e çdo partie për strategjinë se si do të luhet në zgjedhje si dhe për emrat që i përshtaten më mirë kësaj strategjie. Në këtë aspekt gjykoj se beteja në këto zgjedhje është aq e ashpër sa Rama, me eksperiencën që ka, nuk ka luks të eksperimentojë për aventurizëm me emrat, por ti ketë eficentë për skemën që ka në mend. E në këtë kuadër duhet të jenë dhe emrat e rinj që do prezantohen. Çdo aventurizëm, nga kushdo qoftë, PS, PD apo LSI, me lista dhe emra kandidatesh, do të çojë drejt dështimit.
Ndërsa në kupolën drejtuese duket se nuk do ketë reagime nga ata që do largohen, po në bazën socialiste a mund të ketë “firo votash”, me afrimin e të rinjve pa kontribut të mëparshëm në PS dhe me afrimin e ish-deputetëve të LSI-së?
U shpreha dhe më lart, nëse kandidatët do të jenë pa ndonjë kontribut qoftë edhe profesional, emrat e rinj thjesht do të jenë një barrë në kurriz të atij që i promovon. Në këtë aspekt një profesionist i mirë, shton jo vetëm vlerat e listës por shton dhe vota për emrin e mirë që ka në komunitet dhe kontributin shoqëror që ka. Ndërkohë, përsa i përket çështjes s ëish deputetëve të LSI që përmendni, duhet të dini që gjatë fushatës ka dhe strategji jo vetëm ndaj elektoratit tënd por dhe ndaj kundërshtarëve se si ta dëmtosh më shumë. LSI në rastin konkret goditet dyfish më rëndë jo vetëm se i janë larguar kontribuesit e saj të vjetër në politikë, por njëkohësisht edhe pse kontributi i tyre tashmë është drejtuar drejt PS-së. Në këtë aspekt ajo që mund të llogarisni si firo votash pakënaqësie, kur kundërshtarit i është larguar dyfish nga kjo lëvizje, sërish je i fituar.
Duket se po bëhet kujdes që të rinjtë që afrohen për kandidim si “kriter” kryesor të kenë të shkuar të pastër në raport me ligjin. A është ky momenti për PS që të ndahet nga personat me rekorde kriminale, të shfaqur në Parlamentin e legjisturës 2013-2017 dhe më pas edhe në pushtetin lokal, përfshi edhr zgjedhjet e 2019- ës?
Do të ishte e tepërt që ndërsa ky mandat qeverisës i është kushtuar ekskluzivisht reformës në drejtësi, të nisim të diskutojmë që në listat e reja të përfshihen prurje me të kaluar të dyshimtë kriminale. Gjithsesi gjykoj që presioni për këtë çështje të mos drejtohet vetëm tek partitë politike, por njëkohësisht edhe tek qytetari dhe shoqëria civile. Është trysnia e tyre ajo që e bën më vigjilent politikën për të mos përfshirë elementë të diskutueshëm. Për sa kohë do të ngelemi arkaikë dhe spektatorë, aq më pak funksionale është dhe vetë demokracia.