Bëri ‘bujë’ me deklaratën për komunizmin, sqaron Luljeta Bozo: E dënoj me forcë, Enver Hoxha ishte një diktator, por…

Inxhinierja e njohur Luljeta Bozo, e cila është e para në listën e kandidatëve për deputet në Tiranë, ka sqaruar për herë të parë intervistën për regjimin komunist, që bëri bujë pak ditë më parë.

Deklarata e Bozos në emisionin ‘Dekalog’, në RTSH 24, bëri bujë pasi ajo deklaroi se regjimi komunist kishte shumë më të mira sesa efekte negative.

Në lidhje me këtë deklaratë ajo është shprehur se fjalët e saj janë shtrembëruar për qëllime të ulëta politike.

Bozo thotë se e dënon me forcë diktaturën komuniste dhe refuzon çdo relativizim të krimeve të diktaturës, teksa ka shprehur vlerësimin dhe respektin e saj, vetëm për shkencëtarët dhe profesionistët e asaj kohe dhe gjithë popullin e thjeshtë që kanë punuar me ndershmëri.

Unë kam një jetë të jetuar me parimet e me punën time dhe bindjet e mia as nuk i kam negociuar, as kam ndërmend t’i negocioj në këtë moshë me askënd! Për më tepër nuk kam ndërmend të merrem me ata që merren me shtrembërimin e fjalëve te mia, për qëllime të rëndomta politike.

Diktaturën komuniste e dënoj me forcë dhe Enver Hoxha padyshim ishte një diktator. Por refuzimi i çdo relativizimi të krimeve të diktaturës, nuk më pengon dot të vlerësoj me respekt shkencëtarët dhe profesionistët e asaj kohe dhe gjithë popullin e thjeshtë që kanë punuar me ndershmëri. Pafuqia për të mos e parë atë kohë vetëm bardhezi është sindromë e sërvilëve apo spiunëve të atëhershëm, që janë “xhelatët” e mendimit ndryshe të këtyre 30 vjetëve.

Kush kapet pas Enverit për të sulmuar të tjerët është në fakt një zëdhënës i pavetëdijshëm i së keqes së asaj diktature. Ata që shajnë, akuzojnë dhe shtrembërojnë njësoj si xhelatët e mendimit ndryshe asokohe. Ekstremet përputhen dhe më kujtohet Vaclav Haveli që thotë: Komunisti më i zi është komunisti antikomunist! Kam vetëm keqardhje për ta,” tha Bozo.