Dita Botërore e Sindromës Down/ Kushi: Kanë thyer barrierat, Soreca: Të bëjmë më shumë

Çdo 21 Mars në çdo vit shënohet Dita Botërore e Sindromës Down. Çdo vit është dita për të dëgjuar zërin e persona që kanë këtë sindromë apo dhe  i atyre që jetojnë me ta.

Në kuadër të kësaj dite, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka përcjellë një mesazh sensibilizues në rrjetet e saj sociale.

Ajo ka publikuar foto me Anisën e vogël, të cilën e ka takuar gjatë një vizite në shkollën speciale “Zëra Jete” në Elbasan, Kushi nënvizon emocionet dhe dashurinë që ka marrë nga vajza e vogël.

Nuk mund të harroj emocionet dhe dashurinë që më dhuroi Anisa gjatë vizitës sime në shkollën speciale ‘Zëra Jete’ në Elbasan.  Zgjodha pikërisht Anisën sepse sot më shumë se kurrë, njerëzit me Sindromën Down kanë arritur të thyejnë barrierat në #arsim, punësim, sporte e në shumë fusha të tjera. Kjo ditë duhet të na kujtojë të gjithëve se këta fëmijë janë super të veçantë, prandaj duhet ta gëzojmë jetën bashkë me ta dhe t’i falim sa më shumë përkujdesje e dashuri”, shkruan Kushi.

Gjithashtu me rastin e kësaj dite edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, bën thirrje që duhet bërë më shumë për eliminimin e pengesave për të gjithë personat me sindromën Down.

Në Shqipëri ka 700 persona me sindromën down. Le të promovojmë të gjithë përfshirjen e tyre sociale, duke  eliminuar pengesat që lidhen me aksesin, arsimin, mbrojtjen sociale dhe shëndetin. Dhe për t’i lejuar ata të marrin pjesë në vendime që kanë rëndësi për jetën e tyre”, shkruan Soreca.