Një ditë para çeljes së fushatës, Rama niset drejt Turqisë, ku pritet finalizimi i marrëveshjes për vaksinat kineze. Sasia do të jetë e madhe dhe specialistë të Shëndetit Publik shprehen se do të nisë injektimi masivi i popullsisë.
Nga Fernada Cenko
Shqipëria ka arritur marrëveshje me një kompani për blerjen e vaksinës kineze ndaj COVID 19. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, duke ndjekur nga afër procesin e vaksinimit të mësuesve në Kamëz thanë se janë porositur vaksinat kineze të cilat do të mundësojnë vaksinimin e popullatës. Ministrja e Shëndetësisë tha se nga java tjetër me të gjitha gjasat vijnë vaksinat kineze dhe do të fillojë vaksinimi masiv. Ministrja Manastirliu tha se është nënshkruar akti normativ për vaksinat kineze të cilat do të merren nëpërmjet distributorit turk. “Sot (dje) finalizojmë aktin normativ për distributorin që kemi autorizuar. Sot përmbyllet. Dhe besoj që nga java tjetër fillojmë vaksinimi masiv”, tha Manastirliu.
Rama drejt Turqisë
Kryeministri Edi Rama është nisur drejt Turqisë një ditë para zyrtarizimit të çeljes së fushatës zgjedhore. Kreu i Qeverisë të realizojë disa takime për të finalizuar marrëveshjen me distributorin turk për marrjen e vaksinave anticovid. Rama tha se do të mundësohet marrëveshja për të marrë vaksinat kineze nga një distributor turk dhe me to do të fillohet vaksinimi masiv i qytetarëve. “E kam në majë të gjuhës lajmin po do ta mbaj dhe pak fare lajmin. Për gjyshërit dhe gjyshet që janë pika më e dobët, nisja e vaksinimit është fiksimi dhe ambicia ime për vajtjen në punë përditë. Me ndihmën e Zotit, të miqëve dhe këmbënglujen tonë, besoj që lajmi i mirë do të dalë nga goja më në fund, edhe pak fare”, nënvizoi kryeministri Edi Rama. Këtë deklarim të kryeministrit e çoi më tej ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e cila tregoi se ku do të mbërrijë në vendin tonë vaksina kineze e prodhuar nga Sinofarm.
Nga ana tjetër edhe kryeministri Rama ka pasur një lajm, veçanërisht për të moshuarit por ka preferuar të mos e thotë. “Këtu në Kamëz kemi rreth 1000 mësues, të cilët janë duke u vaksinuar. Sot kalojmë besoj mbi 16 mijë mësues të vaksinuar. Ndërkohë që janë mbi 52 mijë vaksinime të kryera në të gjithë vendin”, tha Manastirliu. Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 52,050 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Janë kryer 28,659 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 8,889 vaksinime për të të moshuar dhe 14,502 vaksinime për arsimtarët. Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin. Një ditë më parë, u bë me dije se blerja e vaksinave kineze nuk është bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë me Republikën Popullore të Kinës, por nëpërmjet distributorit turk “Keymen Ilaç Sanayi ve ticaret”. Mësohet se kreu i qeverisë do të kthehet në Tiranë, rreth mesditës së të enjtes. Ndërkohë, zv,ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomoni tha se ka përfunduar edhe marrëveshja për marrjen e vaksinave kineze. “Nuk jam përfaqësuese e Agjencisë së barnave, por ajo është rregullatori strikt i Shqipërisë, që përcaktohet në ligje të mirëpërcaktuara. Praktikisht, këto vaksina që janë shpërndarë në Shqipëri dhe jo vetëm, vijën ose mbi autorizime emergjence, ose certifikimin e tyre. Pas aplikimit të vaksinës, ne kemi një komitet që merret me dokumentimin e këtyre efekteve”, pohoi ajo.