Pozitë-opozitë/ Flasin 7 kandidatë në 3 qarqe: Plani ynë për “të thithur” votat

Shtatë kandidatë të majtë e të djathtë, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Fjala”, janë ndalur tek sektori i ekonomisë por edhe i arsimit. Infrastruktura në zonat rurale, ngelen si sfidë për të dyja palët. Flasin Arbi Agalliu dhe Ilir Metaj në Qarkun e Vlorës. Për qarkun e Elbasanit Luçiano Boçi dhe Besian Ajazi. Ndërsa për qarkun e Korçës Andrea Mano, Ervin Salianji dhe Eni Zake.

 

Nga Fernada Cenko

 

Edhe 13 ditë na ndajnë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Të dielën e 25 prill shqiptarët do të shkojnë drejt kutive të votimit për të votuar partinë që ata duan të vijnë në pushtet. Ndërkohë që këtë vit elektoral, ndryshe nga vitet e tjera zgjedhore, qytetarët do të zgjedhin edhe kandidatin e tyre për të marrë vendin në Parlamentin Shqiptar. Kjo pavarësisht se ka futur në “sherr” deputetët duke hyrë edhe në zona që nuk janë, për qytetarët është një lloj përzgjedhje të të preferuarve. Edhe pse jemi në zgjedhjet e përgjithshme, dhe jo në ato për kryetar bashkie, çdo deputet po shkon derë më derë për t’ju premtuar çdo qytetari atë që ata kanë nevojë, shpeshherë edhe duke e “shfrenuar fantazinë”. Gazeta “Fjala” ka mundur të sigurojë disa intervista me dy pyetje standarde se çfarë do të bënin kandidatët për qytetin e tyre, nëse arrijnë të fitojnë mandatin e deputetit. Mes klisheve dhe realiteti të intervistuarit kanë parashtruar planin e tyre, i cili nuk ndryshon shumë me atë që i premtojnë elektoratit. Për kandidatët e majtë ka një përqendrim tek “lideri” duke vënë në gojën e tyre premtimet e Ramës, pasi sipas tyre kryeministri Edi Rama ka premtuar se do të vazhdojë gjithçka ka lënë përgjysmë. Ndërsa demokratët kanë rreshtuar mangësitë që qeveria Rama i ka “harruar”. Shtatë kandidatë të majtë e të djathtë janë ndalur tek sektori i ekonomisë por edhe i arsimit. Infrastruktura në zonat rurale, ngelen si sfidë për të dyja palët. Për qarkun e Vlorës kanë folur për gazetën “Fjala” Arbi Agalliu nën siglën e PD-së dhe Ilir Metaj nën siglën e PS-së për Qarkun e Vlorës. Për qarkun e Elbasanit kanë Luçiano Boçi nga PD dhe Besian Ajazi për PS. Për qarkun e Korçës kanë folur Andrea Mano dhe Ervin Salianji për PD dhe Eni Zake për Partinë Socialiste.

 

Arbi Agalliu, kandidati i PD-së, Qarku Vlorë

“Vlora nuk është vetëm bulevardi, PD ka plan për ekonominë”

Çfarë premtoni për qytetin tuaj?

Jo vetëm për qytetin e Vlorës por për të gjithë Shqipërinë, Partia Demokratike do të rikthej normalitetin në të gjithë sektorët. Vlora do të çlirohet nga sjellja klienteliste duke i dhënë frymëmarrje investimeve reale dhe zhvillimit të qytetit. Vlora nuk është vetëm bulevardi, edhe ky jo funksional për trafikun dhe bizneset, por është shumë më shumë. Zhvillimi i qytetit multifunksional, me të gjithë rrethinat e tij dhe investimi në sektor strategjik do ti japin Vlorës atë çka meriton.

 

Pse duhet që të votojë elektorati vlonjat Partinë Demokratike?

Programi i PD e veçanërisht ai i ekonomisë i rikthen qytetit dinjitetin. Ulja e taksave, standardizimi i politikave e procedurave, aplikimi i praktikave më të mira ndërkombëtare dhe zhvillimi i tregut të lirë do të bëj që në qytet të rritet punësimi, të tërhiqen investitorë jo vetëm vendas po edhe të huaj si dhe të kthehet shpresa për të jetuar e qëndruar këtu.

 

 

Ilir Metaj, kandidat i PS-së, Qarku Vlorë

“Vlora është popull mirënjohës, përsëri do të zgjedhi Ramën”

Çfarë premtoni për qytetin tuaj?

Në fakt planet e ngritura për Vlorën, i ka bërë prej 8 vjetësh Edi Rama dhe Partia Socialiste. Për mua është e thjeshtë: t’i shërbej këtij qyteti duke dhënë kontributin tim në përshpejtimin dhe zgjerimin e këtyre planeve, që në fakt nuk janë thjesht plane në letër, por kantiere të vërteta punësh transformuese që sjellin zhvillim të qëndrueshëm. Unë do të jem gjithmonë pranë vlonjatëve për të marrë notën për punët e përditshme që do bëj. Të më japin dorën, ose të më kthejnë shpinën, ashtu me shpoti si bëjnë vlonjatët. Por duke qenë që këtë të dytën e kam të papranueshme për karakterin tim, do bëj të pamundurën t’i bëj të më shtrëngojnë dorën.

 

Pse duhet që të votojë elektorati vlonjat Partinë Socialiste?

Vlora do t’i jap votë popullore Edi Ramës dhe Partisë Socialiste sepse është popull mirënjohës dhe demokrat, që vlerëson punën dhe jo gunën dhe mat me vepra. Ato që janë bërë e do bëhen nga Edi Rama në Vlorë, bëjnë pjesë të ngjarjet e papërsëritshme që shënojnë historinë. Kaq e thjesht është.

 

Eni Zake, kandidate e PS-së, Qarku Korçë

“Mandati i tretë për PS-në, domosdoshmëri për të ardhmen e Shqipërisë”

Çfarë premtoni për qytetin tuaj?

Ajo që unë ju ofroj qytetarëve të qarkut të Korçës është një strategji konkrete veprimi në mbështetje të ekonomisë lokale, arsimimit, grave dhe të rinjve. Për ekonominë, në fokusin tonë është rimëkëmbja e ekonomisë nga efektet e pandemisë dhe rritja e zhvillimit ekonomik përmes politikave nxitëse për biznesin dhe sipërmarrjet e reja. Në programin e Partisë Socialiste parashikohet:

0 tatim mbi pagën deri në 40,000 lekë duke filluar nga janari 2022;

0 tatim mbi pagën; 0 tvsh për biznesin e vogël deri në 2029; si dhe rritja e pagës minimale deri në 40,000 lekë. Jam e bindur se ky plan veprim (e theksoj plan veprim dhe jo premtim elektoral siç jemi mësuar të dëgjojmë rëndom) është garanci për të gjithë qytetarët se do rritim ndjeshëm ekonominë shqiptare dhe nga ky program do të fitojnë të gjithë. Në lidhje me arsimin, rritja e cilësisë së mësimdhënies, përmirësimi i infrastrukturës universitare dhe mbështetja e studentëve për përballimin e kostove financiare, janë pikat kryesore nga dua ta filloj punën time si deputete. Besoj fort se do kem mbështetjen e studentëve dhe stafit akademik në këtë garë, të cilët pavarësisht bindjeve politike janë dëshmitarë të punës time për universitetin. Por unë nuk jam vetëkënaqur e as mjaftuar me punën dhe gjithçka të arritur deri tani. Prandaj kërkoj më shumë sepse studentët dhe universiteti meritojnë më shumë! Do të mbështes fort gratë dhe vajzat dhe do jap motivimin tim për zhvillimin e karrierës së tyre profesionale, fuqizimin ekonomik dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrjet politike dhe publike. Për mua gratë sipërmarrëse janë ato që duhen lehtësuar dhe mbështetur sepse e ka treguar eksperienca e viteve të fundit që çdo grua me pak mbështetje ja del të ketë sukses. Theks i veçantë do të vendoset tek barazia gjinore, ndërgjegjësimi i shoqërisë për avancimin e saj dhe reduktimin e dhunës më bazë gjinore. Ndërsa të rinjtë janë e ardhmja. Janë fantastikë, ka aq shumë të rinj korçarë të cilët kanë ecur me sukses dhe kanë arritur edhe majat. Nuk ju mungojnë aftësitë, janë të zgjuar, të zotë dhe të suksesshëm. Patjetër që në fokusin tim mbetet arsimimi dinjitoz në mënyrë që të pajisen me kompetencat e duhura pas përfundimit të studimeve dhe më pas ta kenë më të lehtë të punësohen si në sektorin privat, ashtu edhe në atë shtetëror. Punësimi i të rinjve bazuar në meritë është zotimi im.

 

Pse duhet të votojë elektorati korçar Partinë Socialiste?

Mandati i tretë për Partinë Socialiste është një domosdoshmëri për të çuar përpara projekte të tjera mjaft ambicioze për ti dhënë jo vetëm Korçës, por gjithë Shqipërisë të ardhmen e sigurt, të qëndrueshme dhe me mundësi të barabarta për gjithsecilin. Korça është një qytet që e dëshmon se duke përqafuar vizionin e Partisë Socialiste mund të ecet shumë përpara dhe të rritet zhvillimi në fusha të ndryshme por mbi të gjitha ekonomia. Jemi një vend me resurse dhe shumë potencial që në fakt ka nevojë të evidentohet. Kjo gjë ka ndodhur në Korçë, banorët i hapën derën zhvillimit duke besuar tek projektet, investimet transformuese që kanë ndodhur këtu që në fakt u kthyen të gjitha në shërbim të tyre. Pavarësisht se të gjithë e dimë se Korça është destinacion i turizmit natyror, kulturor, argëtimit, traditës, trashëgimisë etj, këtu puna nuk ndalon asnjëherë, ka gjithmonë diçka të re për të bërë, plane që duken ambicioze për t’u arritur, por që në fakt shumë shpejt kthehen në një realitet të prekshëm. Për mua kjo është arsyeja kryesore për të cilën Partia Socialiste duhet mbështetur sepse punohet fort për të realizuar objektivat e vendosur. Po them vetëm një fakt, nëse Korça nuk do ta kishte të zhvilluar turizmin, ekonomia lokale nuk do të ishte në nivelin që është sot. Kjo është meritë e banorëve që besuan dhe përgjegjshmëri e vlerësim nga qeveria për besimin që mori. Për mua të votosh Partinë Socialiste do të thotë të japësh mbështetje për partinë që nuk e shpërdoron besimin tënd!

 

Andrea Mano, kandidat i PD-së, Qarku Korçë

“Taksat e ulëta, rinia, bujqësia dhe rrogat e larta, projekt i PD-së”

Çfarë premtoni për qytetin tuaj?

Më shumë vëmendje premtoj për Korçën dhe mirëmenaxhim të fondeve dhe taksave.

 

Pse duhet të votojë elektorati korçar Partinë Demokratike?

Korça duhet ta votojë Partinë Demokratike për: Taksa më të ulta; Për më shumë ndihmë për biznesin; Për më shumë punësim; Për më tepër vëmendje për rininë; Për më shumë financime për fermerët; Më shumë investime në bujqësi; Për çmim më të ulët të energjisë; Për çmim më të ulët për karburantet; Për pensione më të larta; Për rrogën 700 euro të mësuesve dhe infermierëve; Për rroga 1200-1300 euro të pedagogëve dhe mjekeve; Për taksën e sheshtë 9%; Për të sjellë ndryshimin në këtë vend dhe për të ngjallur shpresën.

 

Ervin Salianji, kandidat i PD-së, Qarku Korçë

“Projekti ambicioz i PD-së dhe dështimi 8-vjeçar i Ramës, arsye madhore që të votohemi”

Çfarë premtoni për qytetin tuaj?

Ne po kërkojmë një mandat për të qeverisur Shqipërinë. Vijmë pas 8 viteve opozitë të fortë, të cilën e kemi ndarë bashkë me qytetarët shqiptarë dhe sidomos me simpatizantë dhe mbështetës të Partisë Demokratike. Në këto 8 vite ne kemi bërë gjithçka për t’i treguar shqiptarëve se ata që erdhën në qeverisje në 2013 jo vetëm që nuk mbajtën asnjë premtim por kanë prekur edhe limite të paimagjinueshme. Nuk mund ta përfytyroni atë që ndodh sot në Korçë por jam i sigurt edhe në të gjithë Shqipërinë. Është çnjerëzore, që t’i heqësh dikujt ndihmën ekonomike për shkak të bindjeve politike. E keni idenë për çfarë shume bëhet fjalë? 35 mijë lekë të vjetra. Në fakt ajo që ndodh në përmasa më të vogla në Korçë ka qenë projekti afatgjatë politik i Edi Ramës, i cili ka besuar se duke i varfëruar deri në skamje pjesën më të madhe të shqiptarëve do ta ketë më lehtë për t’i kontrolluar. Sot në Korçë ka familje që kanë me vite pa energji elektrike. Njerëz të sëmurë, pa asnjë mbështetje financiare, të cilët jetojnë me qiri si në mesjetë për shkak se shteti në të cilin jetojnë nuk i mundëson as një fashë minimale energjie që të ketë një jetesë normale. Në Korçë si në të gjithë Shqipërinë, ka pensionistë që i kanë sytë tek fëmijët e tyre për të mbajtur frymën e gjallë sepse pensioni që marrin nuk mjafton as për të shlyer detyrimet mujore dhe për të blerë ilaçe. Takoj çdo ditë pensionistë në rrugët dhe fshatrat e Korçës që më thonë se hera e fundit kur kanë pasur një rritje reale të pensioneve ka qenë gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Ne kemi një plan real për të rritur pensionet deri në 15%, për t’i kthyer dinjitetin një shtrese që ka sakrifikuar shumë dhe vlerësohet shumë pak. A e dini se sot në Korçë nëse hyn në një biznes të vogël më përpara të tregojnë listën e borxheve sesa xhiron dhe fitimin? Qytetarë që me muaj nuk kanë të paguajnë. Qytetarë që edhe një bukë që ka vlerë 60 lekë e marrin me listë. Prandaj e thashë pak më parë se kemi prekur limite që nuk i kishim imagjinuar. Për biznesin e vogël ne propozojmë një takstë të vetme 0.5% të xhiros, asgjë më shumë. Gjithashtu krahas çlirimit të ekonomisë edhe këto biznese do t’i çlirojmë nga taksidarët dhe inspektorët që i janë kthyer në makth.

Lexo edhe :  Artan Hoxha: Rama e ka vendosur që t'i thotë burgut hapu!

 

Pse duhet të votojë elektorati  korçar Partinë Demokratike?

Ne duam dhe jam i bindur që do të krijojmë një Shqipëri të mundësive, ku gjithsecili të ketë mundësi të konkurrojë dhe të fitojë. Sot në Korçë nëse vjen dhe pyet për hotelet, bizneset apo godinat më të rëndësishme do t’i tregojnë me emra dhe me gishta ministrat, deputetët dhe zyrtarët e Partisë Socialiste. Sot Korçën e drejtojnë dhe i marrin gjithçka Niko Peleshi dhe miqtë e tij. Por kur flasim për Korçën, mos harrojmë që janë dhjetëra fshatra dhe rreth saj që jetojnë përmes bujqësisë, por që nuk e mbajnë mend herën e fundit kur kanë marrë një subvencion nga qeveria. Edhe për fermerët e Korçës, qeveria ka ngritur mekanizmin e “aplikimit” dhe Niptit, për t’i lënë jashtë çdo skeme subvencionimi. Ne parashikojmë që për fermerët të ketë 100 milionë euro subvencione në vit, ndërkohë që 50 milionë të tjera do të shkojnë për mekanizmat bujqësorë, infrastrukturën dhe kanalet kulluese. Pyetja që bëjnë shpesh: Ku do t’i gjeni paratë? Paratë janë aty në buxhetin e shtetit, por ka edhe instrumente të ndryshme mbështetjeje financiare nga Bashkimi Europian të cilat qeveria nuk i ka përdorur. Mund t’ju listoj me qindra problematika të tjera, të cilat kanë nevojë për ndërhyrje dhe ne marrim angazhimin që t’i ndryshojmë. Por unë njësoj si çdo shqiptar kam bindjen se gjërat do të ndryshojnë që në 26 prill, pasi shqiptarët do të jenë të çliruar që përmes votës larguan një gabim të madh politik që i ka ndodhur Shqipërisë. Korça ka memorie dhe korçarët nuk i harrojnë që investimet më të mëdha infrastrukturore që nga rruga Tiranë-Elbasan, Elbasan-Librazhd, Lin-Pogradec, Pogradec-Korçë janë të gjitha investime të Partisë Demokratike. Sot të gjithë kanë nevojë për normalitet dhe këtë normalitet sot Shqipërisë mund t’ia ofroj vetëm Lulzim Basha dhe ekipi i tij. Unë dhe kolegët e mi që jemi pjesë e ekipit të Partisë Demokratike në Korçë do të japim kontributin tonë në fitore, por duke e lidhur edhe me sloganin e forcës sonë politike ju siguroj se në 25 prill do të fitoj Korça, do të fitojë Shqipëria.

 

 

Besian Ajazi, kandidat i PS-së, Qarku Elbasan

“Kemi ndryshuar vendin, mandati i tretë nevojë për të gjithë”

Çfarë premtoni për qytetin tuaj?

Qyteti i Gramshit sot është dita me natën me Gramshin që na trashëgoi qeverisja e mëparshme. Qyteti im sot është më i pastër, më i urbanizuar. Ka shkolla më të mira, spital më të mirë, qendra shëndetësore më të mira dhe shërbime më të mira dhe me cilësore. Gramshi ka përfituar shumë nga programi i qeverisë Rama për “Rilindje urbane”. Është bërë rikonstruksioni i qendrës së qytetit, fasadave të pallateve të bulevardit, unaza e qytetit. Janë urbanizuar disa lagje. Është rikonstruktuar rrjeti kryesor i ujësjellësit dhe po bëhet ndërkohë rikonstruksion i plotë i linjave të energjisë elektrike në qytet dhe fshatra. Duke qenë se Gramshi kryesisht në mbi 80% të territorit të tij shtrihet në terren të thyer malor, infrastruktura rrugore e fshatrave nuk është ajo e duhura, megjithëse në këto vite padyshim që situata ka ardhur duke u përmirësuar, por ende nuk jemi aty ku duhet. Sigurisht, në katër vitet e ardhshme, si përfaqësues i Gramshit në Kuvend, do ti kushtoj vëmendje të veçantë dhe të shtuar fshatit në përgjithësi, si në infrastrukturë ashtu edhe në shërbime të tjera.

 

Pse duhet të votojë elektorati gramshiot Partinë Socialiste?

Të jesh kandidat për deputet në Gramsh është privilegj. Siç e thashë edhe me lart qyteti im sot nuk ka lidhje me atë pamje që trashëguam nga qeverisja e Partisë Demokratike. Sot edhe unë e kam disi më të lehtë të kërkoj mbështetjen me votë në Gramsh, sepse në këto vite është ndjerë dora e qeverisë nëpërmjet shumë investimeve të kryera në qytet. Arsyet janë shumë, e para siç thashë investimet e qeverisë dhe bashkisë, arsyeja tjetër është fakti që Gramshi ka qenë dhe është një bastion i Partisë Socialiste dhe arsyeja e tretë është fakti që gramshiotët këtë herë kanë kandidat një djalë të tyrin, që i njeh të gjitha hallet, problemet dhe shqetësimet. Në të gjitha takimet që kam pasur në çdo cep të qytetit dhe në çdo fshat kam premtuar që do të angazhohem me mish e me shpirt për zgjidhjen e problemeve dhe do të jem në çdo ditë të javës në shërbim të gramshiotëve të mi. Këtë herë Gramshi do të votojë jo vetëm për Partine Socialiste, por do të votojë edhe për veten e tij, për Gramshin. Gramshi s’ka kohë për pushim, Gramshi është e ardhmja jonë dhe çdo ditë do të punojë me zemër, përkushtim dhe energji të pakursyer. Pas 25 prillit do të nisim një epokë të re për Gramshin.

 

Luçiano Boçi, kandaidat i PD-së, Qarku Elbasan

“Vëmendja jonë për arsimin, programi i PD-së për çdo shtresë të shoqërisë”

Çfarë premtoni për qytetin tuaj?

Programi im për Elbasanin mbështetet mbi pikat e forta të programit të PD-së dhe ngrihet mbi pikat e forta që ky qark ka. Unë kam propozuar që Elbasani të shndërrohet në qendrën e arsimit për arsimtarë në Shqipëri, duke rikthyer shkëlqimin e “Normale”-s historike. Është e natyrshme që ky qytet, me tradita të shquara në mirësi, butësi, durim e respekt, të mirëpresë e të përcjellë për në çdo skaj të vendit ata që do të mësojnë fëmijët tanë. Elbasani meriton dhe mundet të rikthehet në bankën e dijes për mësuesit– të cilët do e çojnë këtë dritë më tej në çdo qytet e fshat të Shqipërisë. Unë vij nga Universiteti dhe ushqej një besim të palëkundur në vlerat e arsimit si rruga më e sigurt e rritjes së qëndrueshme. Në këtë kuadër, me stafin tim ne kemi ideuar krijimin në Elbasan të një Parku të Integruar të Arsimit, Teknologjisë dhe Kërkim- Zhvillimit Shkencor dhe Industrial. Qendra më e afërt europiane e Kërkimit dhe Zhvillimit është në Malaga, Spanjë.

Ne synojmë që këto shkolla dhe kjo qendër e integruar e kërkimit shkencor dhe zhvillimit industrial të sjellë në Elbasan nga krejt Europa Qendrore dhe Lindore rreth 20 mijë studentë, të cilët do të gjallërojnë tregun, prodhimin dhe sidomos konsumin në Elbasan, duke ngritur ekonominë lokale. Kësaj qendre, në përputhje edhe me premtimin e PD-së, do t’i bashkohet një Inkubator për Start-up-et e reja duke integruar Arsimin/ R&D dhe kompanitë e mëdha të interesuara. Ne synojmë që përmes këtij projekti ta shpallim Elbasanin Qyteti i Inovacionit si mjedisi më miqësor për sipërmarrjet e reja fin-tech, platformat online, etj. Duke qenë se 150.000 frymë ose 55% e qarkut jeton në fshat, programi im ka një komponente të rëndësishme që lidhet me fshatin. A e dini se sektori bujqësor ka tërhequr vetëm 2% të totalit të kreditimit të ekonomisë, edhe pse punëson 44% të popullsisë shqiptare? Kjo ka ndodhur sepse toka bujqësore nuk është aset tregu dhe nuk njihet nga bankat si garanci për asnjë transaksion financiar. Procesi për regjistrimin, rivlerësimin dhe inventarizimin e plotë të pronës në fshat është detyrim imediat. Ky hap duhet të përndiqet me hartimin e Hartës së Produkteve Agrare sipas zonave, për të ndërtuar më pas edhe një politikë fiskale që mbron fermerin. Sipas kësaj harte realizohet edhe planifikimi i prodhimit agrar – bazë e politikës së Sovranitetit Ushqimor të një vendi. Por mbrojtja reale e prodhimit bujqësor që në Elbasan arrin në 1.2 milion ton produkte bëhet përmes agropërpunimit. Prodhimi ynë rajonal nuk mund të kufizohet me nivelin e kapacitetit konsumator stinor të tregut. Fshati ka nevojë për investime dhe gjurma e fundit e tyre është programi i qeverisë Berisha për ndërtimin e rrugëve rurale. Po qeveria e PD-së negocioi dhe filloi programin e përmirësimit të infrastrukturave të shërbimeve jetike në fshat me ujësjellësit e vegjël dhe ndërhyrje të tjera. Elbasani ka shansin që të jetë numri 1 në Shqipëri për prodhimin e vajit të ullirit. Investimet në ullishte dhe në shërbime janë pjesë e projektit tim për qarkun. Elbasani është prodhuesi i dytë më i madh në Shqipëri i bimëve medicinale dhe erëzave. Hapësirat tona natyrore na lejojnë të synojmë katërfishimin e këtij prodhimi. Gramshi dhe krejt zona pyjore e Librazhdit, tokat e Cërrikut dhe shumë zona kodrinore – malore në qarkun e Elbasanit ofrojnë kushte ideale për zhvillimin e orientuar të tyre. Ne mund të kemi në Elbasan një industri të integruar farmaceutike dhe kozmetike, duke përqendruar proceset përpunuese në një qendër industriale të standardit europian. Le të kuptojmë se rajoni i Europës Juglindore përfshi Rumaninë prodhon 15% të raportit botëror të erëzave dhe bimëve mjekësore. E fundit, por vetëm për nga radha, në bashkëpunim me shoqatën e Bletërritësve, unë sapo prezantova projektin tim “100.000 KOSHERET”. Bletët e rrisin rendimentin bujqësor deri në 45%. Bletët japin një të ardhur që e kthen investimin në më pak se dy vjet. Bletët janë një barometër i pastërtisë organike të produkteve tona dhe garanci për produkte të shëndetshme për konsumatorët. Ky projekt do të krijojë në Elbasan edhe Shkollën e Apikulturës, e cila i mungon vendit. Nga Peqini në Përrenjas, e nga Gramshi në Cërrik, nga Bradasheshi në Librazhd e deri në Rrajcë, ne jemi në gjendje të gjenerojmë brenda tre vitesh përmes këtij projekti një prodhim organik të mjaltit prej 800 ton/ vit dhe një të ardhur prej jo më pak se 5 milion euro vlerë tregu. Është e domosdoshme që qarku i Elbasanit të bëjë një rivlerësim mjedisor të çdo zone bujqësore, për të çliruar nga stigma mjedisore hapësira të rëndësishme prodhuese. Ky paragjykim i gabueshëm mbi ndotjen për shumë zona të qarkut ndëshkon me 30% humbje në çmimin e produkteve bujqësore fermerët e qarkut tonë.

 

Pse duhet të votojë elektorati elbansalli Partinë Demokratike?

Me 25 prill Partia Demokratike ju ka kërkuar njerëzve jo thjesht votën. Ajo është ofruar me një program tërësor të ndryshojë jetën e tyre, t’i rikthejë asaj kuptimin, përmbajtjen, dinjitetin. PD ka ofruar një model të ri të marrëdhënies mes qytetarit dhe shtetit, larg arrogancës aktuale dhe një fytyrë njerëzore të politikës së shërbimit. Pse duhet të votojë elektorati i Elbasanit Partinë Demokratike? Unë mendoj se të gjithë ata që kanë fluturuar këto 4 vjet nga aeroporti i Vlorës – janë të lirë ta votojnë Ramën. Të gjithë ata që e gjetën shëndetësinë falas kur shkelën nëpër spitale… të gjithë ata që preferojnë të paguajnë 15-23% tatim mbi të ardhurat  në vend të 9%, janë të lirë ta votojnë Ramën. Ata që refuzojnë idenë e rritjes së pagave në arsim e shëndetësi, sidomos ata që nuk duan rritje pensionesh dhe të mbështetjes sociale – ata padyshim kanë një arsye për ta votuar Ramën. Ramën mund ta votojnë edhe ata që duan të paguajnë përshkollën e fëmijëve, në vend që ta kenë falas… Ata që janë gati të zhyten në borxh për tre breza mjaft që Rama me shokë të grabisë 4 miliard dollar në vit, le ta votojnë Ramën. Por shqiptarët nuk janë budallenj. Shqiptarët sot duan ndryshimin. Elbasani ka qenë dhe mbetet qytet i njerëzve që mendojnë.