Ndizen tensionet/ Rusia i kundërpërgjigjet SHBA-së, i shpall “non grata” krerët e sigurisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Moska njoftoi të premten se do të ndalojë hyrjen në Rusi të tetë zyrtarëve të lartë të administratës aktuale si dhe administratave të mëparshme amerikane.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse përmendej emri i Drejtorit të FBI-së Christopher Wray, Drejtoreshës së Zbulimit Kombëtar Avril Haines, Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland dhe Sekretarit të Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas.

Në listën e sanksioneve përfshihej gjithashtu edhe Drejtori i Byrosë Federale të Burgjeve Michael Carvajal, Drejtoresha e Këshillit për Politikën e Brendshme Susan Rice, ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton dhe ish-kreu i CIA-s Robert James Woolsey.

Më herët Moska njoftoi se do të dëbojë 10 diplomatë amerikanë duke iu përgjigjur me të njëjtën monedhë një serie sanksionesh të reja amerikane. Rusia tha se do të ndërmarrë edhe hapa të tjera hakmarrëse, në një përballje të tensionuar me Uashingtonin.

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha gjithashtu se Moska do të marrë masa për të kufizuar dhe ndaluar aktivitetet e organizatave joqeveritare amerikane nga ndërhyrja në politikën e Rusisë.

Ai tha se Kremlini sugjeron që ambasadori amerikan John Sullivan të ndjekë shembullin e homologut të tij rus dhe të kthehet në SHBA për konsultime.

Rusia gjithashtu do të marrë masa për t’i mohuar ambasadës së SHBA mundësinë që të punësojë personel nga Rusia dhe vendet e treta në cilësinë e personelit mbështetës.

Këto hapa pasojnë sanksionet ndaj Rusisë të njoftuara këtë javë nga administrata Biden.

SHBA zotërojnë fuqinë për të gjymtuar ekonominë ruse, ndërsa Moskës i mungojnë mekanizamt për t’u përgjigjur me të njëjtën monedhë, megjithëse potencialisht ajo mund të dëmtojë interesat amerikane në botë në shumë aspekte të tjera.

Lexo edhe :  Tuneli futuristik i Norvegjisë, më i thelli në botë, 26.7 km autostradë 390 metra nën det

Ministri Lavrov vuri në dukje se ndërsa Rusia mund të merrte “masa të dhimbshme” kundër interesave të biznesit amerikan në Rusi, ajo nuk do ta bënte menjëherë këtë.

Rusia mohon se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane të 2020-s dhe përfshirjen në sulmin ndaj agjencive federale të SHBA përmes firmës SolarWind, aktivitete, të cilave SHBA iu përgjigj me sanksione ditët e fundit.

Ministria e Jashtme ruse kishte paralajmëruar një hakmarrje “të pashmangshme”, duke akuzuar se “Uashingtoni duhet ta kuptonte se do të paguajë një çmim për degradimin e marrëdhënieve dypalëshe”.

Shtetet e Bashkuara urdhëruan të enjten dëbimin e 10 diplomatëve rusë. Ajo vuri në shënjestër dhjetra kompani dhe persona si dhe vendosi kufizime të reja ndaj aftësive të Rusisë për të marrë hua.

Potenciali ekonomik i Rusisë dhe shtrirja e saj globale janë të kufizuara në krahasim me Bashkimin Sovjetik që konkurroi me SHBA për ndikim ndërkombëtar gjatë Luftës së Ftohtë. Megjithatë, arsenali bërthamor i Rusisë dhe ndikimi i saj në shumë pjesë të botës e bëjnë atë një fuqi të cilën Uashingtoni nuk mund ta injorojë.

I vetëdijshëm për këtë, Presidenti Joe Biden bëri thirrje për ulje të tensioneve dhe e ka mbajtur derën të hapur për bashkëpunim me Rusinë në aspekte të caktuara.

Ai tha se i kishte deklaruar Presidentit rus Vladimir Putin në një telefonatë të martën se kishte zgjedhur të mos impononte sanksione më të ashpra tani për tani dhe propozoi të takohej me udhëheqësin rus në një vend të tretë gjatë verës.

Të fundit

Historike, një shqiptar në krye të Federatës Evropiane të Peshëngritjes

Astrit Hasani është zgjedhur president i Federatës Evropiane të Peshëngritjes (EWF) në kongresin zgjedhor të EWF të mbajtur në...

Idrizi reagon për shuplakën që iu dha Gjestit në “Big Brother VIP Albania”

Pas përplasjes fizike në “Big Brother VIP Albania”, ku Jozi goditi me shuplakë Gjestin – një situatë që u përfol gjerësisht në rrjet si...

E Diela e Larit, historia dhe traditat e një kremteje

Në kalendarin liturgjik të Kishës katolike e Diela e Larit festohet një të diel para kremtimit të Pashkëve të Jezu Krishtit. Me të nis...

Spanjë/ Shirat e rrëmbyer shkaktojnë përmbytje në Lanzarote

Qindra shtëpi dhe rrugë në Lanzarote janë përmbytur, pas reshjeve të rrëmbyeshme që përfshiu ishullin Kanarie të shtunën. Qeveria e Lanzarote shpalli gjendjen e...

Jetëgjatësia varet nga mendimet tuaja, ja ç’thotë studimi

Hulumtimet e fundit kanë treguar se mentaliteti ynë dhe kujtimet pozitive nga fëmijëria mund të luajnë një rol të rëndësishëm në jetëgjatësisë dhe shëndetin...

Lajme të tjera

Web TV