Pranvera e hirtë e politikës

Nga Sebi Alla

Pasioni dhe profesioni e ka shtyrë politikën në sfidën e jetës, duke bombarduar çdo ditë mendjet e zgjedhësve. Secili ofron projektin e tij, premtimet pa fre gjuhe, apo agresivitet verbal në ndonjë rast. Të gjitha kanë një destinacion; zgjedhjet e 25 prillit.

Duhet të ishte një kohë normale, por anormalitetin e sjellim vetë si shoqëri, duke e kthyer sfidën e të tjerëve për post e pushtet, në emocionin tonë. Në thuajse çdo ambient ku ka më shumë se dy persona, vetëm për politikë flitet, ku japin parashikimet, komentojnë komentuesit dhe shfryjnë mbi kundërshtarët. Fjalori është i larmishëm, nga fyerjet deri tek nofkat që i vendosin liderëve. I përçundnojnë me fjalë, shpesh i “cilësojnë të gjithë hajdutë”, por janë të gatshëm që më 25 prill të rendin para kutisë së votimit dhe jepin pëlqimin për “hajdutin” e preferuar.

Me mendjen e bombarduar nga të gjithë anët, edhe një tru i stërvitur mirë nga leximi dhe njohuritë e fituara fluturon lehtë nga çfarë dëgjon në mëngjes kur çel sytë deri në darkë kur mbyll sytë për gjumë. Është gati një strategji e pashpallur e të gjithë forcave politike për të mbajtur nën tension dhe tifozllëk esktrem një shoqëri e cila mirëqenien, punën, madje edhe shëndetin e lidh fort me politikën.

Megjithatë harron se puna e tij vlen më shumë se shpresa tek tjetri, ai i pushtetshmi. Ka edhe klithje dashurie nga më militantët që për liderin e preferuar harrojnë edhe familjen, për t’u bashkuar në “familjen parti”.

Të gjithë sytë tek rezultati i pritshëm ku edhe bujku “lutet” që më 25 prill të bëjë kohë e mirë, jo për të tharë barin e sapoprerë si ushqim për bagëtitë në dimër, por për të qenë “pranverë” e mbarë për subjektin politik që dëshiron.