Nga Leonard Karaj
Kutitë e zgjedhjeve të 25 prillit prodhuan një mandat të tretë për Ramën, duke siguruar po aq mandate sa në viti 2017. Si e lexoni votën e shqiptarëve?
Në optikën e demokracisë si nocion, vota e shqiptarëve më 25 prill është një paradoks i vërtetë. Duket sikur ky popull është i dashuruar pas “të keqes”, pas diktaturës, pas skizofrenisë dhe arrogancës tallëse. Vetëm në vende me diktaturë ose me demokraci hibride dhe të brishtë ndodh që pas 8 vitesh keqqeverisje në kuptimin e plotë të fjalës, pasi e ke përçundnuar popullin tënd, ky i fundit të falenderon dhe të rivoton me të njëjtën forcë, si për të të shpërblyer “mundin dhe djersën”! Më thoni: ka sens llogjik që një parti e zhytur në korrupsion galopant, që nuk realizion thuajse asnjë nga premtimet e saja; që i ka futur në borxh shqiptarët për gati 3.3 miliardë euro; që e ka çuar borxhin pulik (bashkë me PPP-të) në mbi 82%; që në 7 vjet ia mbylli derën Europa plot 6 herë; që edhe pse duket qartazi se edhe në elektoratin e vet nuk gëzon të njëjtën mbështetje (një gjë të tillë e ka pranuar edhe vetë Rama), të mos ketë asnjë firo në mandat deputetësh(?!) Kjo nuk do të mund të ndodhte në asnjë vend të Europës ku tentojmë që të shkojmë. Në asnjë vend, përveçse në Rusinë e Putinit, Turqinë e Erdoganit dhe Bjellorusinë e Llukashenkos. Imagjinoni pak sesa paradoksale kanë qenë këto zgjedhje, të cilat lumturuan veçse kastën e rilindasve, përderisa edhe një i ndarë nga jeta si Bashkim Fino, mori 182 vota preferenciale, përkundrejt pseudo-deputetësh që mbajtën në këmbë qeverinë Rama 2, si Kujtim Gjuzi & CO, të cilët duket qartë se nuk i ka votuar as familja (Gjuzi mori vetm 3 vota në gjithë Shqipërinë). Kur një 27-vjeçar si Ornaldo Rakipi, i renditur i 32-ti në listën e Tiranës, që me shumë, gjasa nuk e di as se ku është dera e selisë së Partisë Socialiste, mori 13994 vota personale, duke hyrë në parlament, dhe duke i nxjerrë jashtë Kuvendit as më shumë dhe as më pak sesa Kryetarin e PS-së për Tiranën, Ervin Bushati (2003 vota). Dhe në fund, paradoksi më i madh është Kodi Zgjedhor “Rama”, i cili rezultoi se është më i keqi i mundshëm për një vend si Shqipëria, ku një parti si PSD e Tom Doshit merr rreth 35 mijë vota dhe nxjerr 3 deputetë, ndërsa një parti si LSI-ja merr rreth 110 mijë vota dhe nxjerr vetëm 4 deputetë (pa harruar plot 85 mijë vota të pavlefshme që mund të përkthehen në 8 mandate)
PD si forca kryesore opozitare, ndonëse nuk arriti të merrte pushtetin, pati një rritje të ndjeshme, krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Elektorati “shtesë” i saj erdhi nga fryma e krijuar apo mori votat e saj tradicionale të cilat kishin kaluar nga LSI?
PD-ja ktheu në favorin e vet, kryesisht votat që në 2017-ën ia kishte marrë LSI. Sigurisht që kishte edhe një lloj fryme dhe dëshire për ndryshim, por që nuk u përkthye në vota, aq sa pritej nga kjo forcë politike. Arsyet janë nga më të ndryshmet, duke filluar që tek pushteti i dhunës administrative që u vu totalisht në shërbim të votës për “Rilindjen”; bandave dhe pseudo-biznesmeneve që derdhën paratë lumë, sidomos në javën e fundit të fushatës dhe veçanërisht në zonat rurale; fragmentarizimit të opozitës, si kurrë ndonjëherë në këto zgjedhje, me parti “paterica të Ramës” dhe natyrisht edhe të një strategjie që nuk rezultoi efikase. Pretendimi i LSI për 35 deputetë në lista të sigurta, që detyroi PD-në të mos dilte me 1 listë të përbashkët (e cila siç u verifikua ishte një gabim i madh), e katandisi këtë forcë politike aty ku ishte, kur u krijua, me vetëm 4 deputetë. Ashtu sikundër, aleatët e Bashës në listën e sigurt, veçanërisht në Tiranë, që me llogjikë do duhej të sillnin në shportën e koalicionit PD-AN, të paktën 50 mijë vota, dhe u zotuan ta bënin një gjë të tillë, teorikisht nuk prodhuan dot as dy deputetë: Fatmir Mediu (5915 vota), Shpëtim Idrizi (6598 vota), Vangjel Dule (693 vota), Mesila Doda (2000 vota) dhe Dashamir Shehi (4787 vota). Dhe në fund, të gjitha partitë e reja, “oksigjen i pastër” për Ramën, të cilat nga dita e parë deri në fund punuan me vetëm një qëllim: që Basha të humbiste zgjedhjet, paçka se çfarë deklaronin në media (Myslim Murrizi, Astrit Patozi, Jozefina Topalli, Rudina Hajdari, etj), dolën përfundimisht në pension të parakohshëm, duke marrë mbrapsht pikërisht atë që merituan.
Brenda PD duket se ka zhvillime të reja, ku një pjesë kërkon dorëheqjen e Bashës, ndërsa lobi i Bashës kërkon qëndrimin e tij në krye të PD-së. Çfarë lëvizje shihni? A duhet të jepte dorëheqje Basha?
Teorikisht Lulzim Basha është kryeopozitari më i papërshtatshëm (të paktën deri tani), përballë një kaste pushteti të tipit “Rilindje”. Të qenurit europianist dhe mendjehapur nuk të bën punë kur përballë ke një regjim tipik “putinist/ erdoganist”. Por për mendimin tim, largimi i tij në këto momente nuk do ta ndihmonte fare PD-në. Thjesht do të hapte një spirale të re, e cila do të rrezikonte seriozisht ekzistencën e kësaj force politike. Personalisht nuk shikoj asnjë personazh brenda PD-së që të mund të jetë mjaftueshëm i fortë sa të bëjë më mirë sesa Basha në krye të partisë. Dhe të gjithë ata që gjatë këtyre ditëve kanë dalë “me shpatë në dorë”, sidomos ata që nuk duruan të bënin deklarata kundër Bashës, as 24 orë nga mbyllja e kutive të votimit, më bëjnë të dyshoj fort se më e pakta mezi kanë pritur humbjen e Bashës dhe më e shumta, kanë punuar kundër forcës së tyre politike në këto zgjedhje. Pasi në të kundërt, nuk arrij dot të justifikoj qëndrimin e znj.Edith Harxhi, znj.Endira Bushati, z.Bujar Nishani, z.Bislim Ahmetaj, z.Arben Imami, z.Arben Ristani, z.Edvin Kulluri, z.Pirro Ahmetaj, z.Fatbardh Kadilli, etj. Të gjithë këta, kanë të drejtën e tyre të mendojnë dhe shprehen ndryshe, por fakt është se asnjëri prej tyre nuk u panë të bënin qoftë edhe një ditë fushatë pro PD-së. Pra, nëse nuk është një hatërmbetje për shkak se këta të fundit nuk ishin në listat për deputet, unë personalisht e gjej të vështirë që të besoj në sinqeritetin e tyre, kur shprehen për largim pa të drejtë kandidimi të z.Basha nga drejtimi i partisë. Ndaj parashikoj që Basha do të vijojë të jetë në krye të PD-së edhe në vitet në vijim, sigurisht pasi të marrë edhe një mandat tjetër si kryetar në zgjedhjet që do të mbahen në korrik të këtij viti.
Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, Rama i ka kërkuar Grupit Parlamentar të tij, nisjen e procedurave për shkarkimin e Metës, me motivacionin e shkeljes së Kushtetutës. Shkarkimi i Metës është kapja e çdo pushtetit nga Rama apo një funksionim me përpikmëri i ligjit dhe Kushtetutës?
Të gjithë e dimë se Meta, më shumë sesa presidentin e vendit, gjatë kësaj kohe ka bërë kryetarin e LSI-së. Dhe teorikisht, Rama ka të drejtë kur kërkon shkarkimin e Metës. Një president nuk duhet dhe nuk mund të ketë një qasje të tillë në një fushatë zgjedhore, sikundër pat bërë Meta gjatë kësaj kohe. Por unë e shikoj si shumë të vështirë shkarkimin për shkak se gjithsesi, kjo gjë do duhet të kalojë nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese. Dhe përderisa aty, ka një balancë të favor të presidentit, dyshoj se do të mund të kemi një president të ri në shtator të këtij viti, pavarësisht inisiativës së mazhorancës.
Faktori ndërkombëtar u shpreh në njohje të rezultatit, ndërsa u bëri thirrje mazhorancës dhe opozitës që të bashkëpunojnë gjerësisht në reformat kryesore. Çfarë parashikoni, Rama do të ndajë pushtet real me Bashën dhe nëse po a bie përfundimisht fryma e opozitarizmit në vend?
Faktori ndërkombëtar, përgjithësisht kërkon që vendi të ketë stabilitet, ndaj nuk i intereson shumë ajo çka ka ndodhur realisht në këto zgjedhje. Për këtë arsye thuajse të gjitha kancelaritë uruan Ramën për mandatin e tretë. Por mos harrojmë: stabilitet ky vend ka pasur edhe në kohën e diktaturës, madje stabilitet të frikshëm. Por kjo nuk do të thoshte që ne ishim një vend demokratik, ku respektoheshin të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Në këtë kontekst, unë besoj se ndërkombëtarët do duhej të ishin më të drejtpërdrejtë me qeverinë dhe më të sinqertë me popullin shqiptar. Është fatale dhe aspak e llogjikshme që të mos merret për bazë pushteti administrativ i ushtruar dhunshëm ndaj qytetarëve vetëm dhe vetëm për t’u marrë votën pro “Rilindjes”, apo edhe shitblerja e votës, kryesisht nga pseudo-biznesmenë dhe njerëz të “malavitës” në favor të Partisë Socialiste. Pa harruar edhe morinë e stërmadhe, si kurrë më parë, të votave të pavlefshme. Nëse mbyllen sytë përpara këtyre gjërave tejet thelbësore, atëherë mund te themi me plot gojë se edhe ndërkombëtarët janë totalisht të kapur. Ndërsa, sa i përket ftesës së Ramës ndaj Bashës, e kam thënë dhe e rithem: një bashkëpunim, qoftë edhe në terma jo-qeverisës, por gjoja “në të mirën e vendit”, do të ishte fatale sa për qytetarët e këtij vendi, po aq edhe për Partinë Demokratike. Kjo forcë nuk do të mund të ngrihet kurrë më nëse do të bëhet sadopak “patericë e Ramës”.