Është shoqëruar me shumë debate njoftimi i sekretarit të Përgjithshëm të PD për mbledhjen e kryesisë dhe Këshillit Kombëtar ditën e diel. Është vetë kryetari i Këshillit Kombëtar Bujar Nishani që tregon se ai ka marrë si njoftim një sms si të tjerët.
I ftuar në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në “RTSH 24”, Nishani tha se nuk ka biseduar askush me të dhe nuk ka as agjendë për diskutimet. “Kam marrë një sms në të cilin njoftohem se rend dite janë diskutime dhe vendimmarrje sipas statutit për proceset politike pas situatës së krijuar me masakrën elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit dhe asgjë më tepër”, tha Nishani.
I pyetur nga gazetari Qafoku nëse ai do hapte mbledhjen e Këshillit Kombëtar Nishani tha: Normalisht kjo duhet të ndodhë, por unë deri më sot nuk di asgjë. Mund të ndodh edhe si mbledhja e Këshillit Kombëtar në zoom kur u lexuan listat e kandidatëve për deputetë që mua nuk mu dha fjala as formalisht për të hapur mbledhjen.
Gjithsesi Nishani shtoi se në këtë mbledhje do flasë patjetër dhe do mbajë qëndrimet e veta por pa zbuluar se cila është strategjia e tij çfarë do bëjë konkretisht në këtë mbledhje ai dhe kundërshtarët e zotit Basha që kërkojnë largimin e tij.