Vrau 8 mijë myslimanë/ Burgim të përjetshëm për “kasapin e Bosnjes”, Ratko Mladiç

Ish-komandanti i ushtrisë së serbëve në Bosnje-Hercegovinë , Ratko Mladiç dënohet me burgim të përjetshëm.

Apeli i Gjykatës së Kombeve të Bashkuara ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë në 2017.

Ratko Mladiçi u akuzua për vrasjen e mbi 8 mijë djemve e burrave myslimanë  në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë, ndër mizoritë më të rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Masakra u krye në një zonë që ishte shpallur e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara.

Ai ishte përgjegjës për rrethimin dhe bombardimin e Sarajevës ku u vranë 10 mijë civilë.

Ratko Mladiç, kishte qëndruar në Beograd në vitet e para pas ngritjes së akuzave ndaj tij, ndërsa ishte fshehur pas rënies së presidentit serb Sllobodan Millosheviç në vjeshtën e vitit 2000.

Në maj të vitit 2011 ai u arrestua në një fermë në Serbinë veriore, pas një periudhe trysnie të Bashkimit Evropian mbi Serbinë që aspiron integrimet evropiane.

Gjyqi kundër tij, u hap në maj të vitit 2012. Gjatë tërë procesit ai ka mohuar akuzat ndërsa mbrojtja e tij kërkoi disa herë që ai të lirohet për t’ju nënshtruar përkujdesjeve mjekësore, por gjykata refuzoi.

Gjykata për krime lufte në ish Jugosllavi u themelua në vitin 1993 dhe procesi kundër Ratko Mladiçit është i fundit para mbylljes së saj.

Ajo ishte gjykata e parë për krime lufte pas gjykatës ushtarake të Nurembergut në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe u ngrit në mes të luftës së Bosnjës.

Ajo ngriti akuza ndaj 161 vetave, 83 prej të cilëve janë dënuar. Në mars te vitit 2016-të, kjo gjykatë shpalli fajtor shefin politik të Ratko Mladiçit, Radovan Karaxhiç, i cili u dënua me 40 vjet heqje lirie nën akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Lexo edhe :  Maqedoni e Veriut, fillon fushata për zgjedhjet lokale

Ish presidenti serb Sllobodan Millosheviç, u akuzua në vitin 1999 në kohën e luftës së Kosovës dhe u dërgua në Hagë në vitin 2001. Në vitin 2006 vdiq derisa po gjykohej për krime lufte e gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.