Nga Fernada Cenko
Presidenti Ilir Meta ka reagur ditën e premte pas vendimit për shkarkim nga Parlamenti. Në një koferencë për shtyp Meta tha se nuk e njeh vendimin e dalë nga Parlamenti, që sipas tij është jolegjitim. Madje ai ka akuzuar Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim se kanë “faj” indirekt në shkarkimin e tij, pasi lënia e mandateve e çoi Kuvendin, sipas Metës në ditët më të zeza. “Nuk ekziston ndonjë Kuvend i tillë në të gjithë kuptimin e fjalës. Ai Kuvend është turpi i atyre që e krijuan, përjashtoj atë që ka ndodhur atë ditë që kam qenë në Gjermani, është një nga faqet më të errëta të Shqipërisë. Faqen e zezë të gjitha ata që e bënë këtë gjë. Dhe që nxorën Presidentin e Republikës në pritë, sepse e lanë pa asnjë mbrojtje Republikën”, tha Meta para gazetarëve. Madje sipas Presidentit, nuk do të njoh as vendimin që do të marrë Gjykata Kushtetutese, nëse do të mbajë në fuqi “shkarkimin nga Kuvendi”. Ai është i vendosur që do të jetë në krye të Presidencës deri në korrikun e 2022. “Kini durim deri më 24 korrik të vitit të ardhshëm, do jemi këtu në mënyrë të vazhdueshme. Këto kohë s’do jemi në mënyrë shumë intensive, se do i lëmë kohë të përfundojë procesi zgjedhor i ankimimeve. Me fillimin e sezonit të ri, do jemi shumë aktivë këtu dhe të jeni shumë të qetë”, tha Meta duke mos pranaur vendimin e Kuvendit dhe as vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vetëm nëse Presidenti ka marrë siguri se Kushtetusja do e rrëzojë vendimin e Kuvendit. Ai u ndal te shkarkimi i tij nga ana e Kuvendit, djegia e mandateve të opozitës dhe rëndësia që ka për vendin çelja e negociatave për anëtarësimin në BE. Meta dënoi aktin e opozitës, për djegien e mandateve, pasi shtoi se nga kjo, vendi mbeti vetëm me një institucion të pavarur, që sipas tij ishte Presidenca. Kreu i Shtetit tha ndër të tejra, se çelja e negociatave për në BE është e një rëndësie të veçantë, e shpresoj që shpejt marrëdhëniet bilaterale mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të zgjidhen, në mënyrë që çelja e negociatave të jetë më pranë. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka komentuar urdhrin ekzekutiv të Presidentit të SHBA, Joe Biden, për të bllokuar pasuritë dhe hyrjen në Amerikë të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor. I pyetur nga gazetarët nëse ka emra se kush janë politikanët që e detyruan Presidentin Biden të firmosë këtë urdhër, Ilir Meta deklaroi se “Nuk kam asnjë emër, por ju them se kemi firmosur e bërë publike edhe marrëveshjen e ekstradimit dhe mbështesim çdo gjë”, tha kreu i shtetit.
Dekretimi i qeverisë së re
Kreu i Shtetit u pyet edhe për shkarkimin e tij, nëse do të ndikojë vendimi i Kuvendit në dekretimin e qeverisë së re, duke thënë se “Nuk mund të marrë seriozisht një akt të tillë dëshpërues, të një Kuvendi të shkarkuar prej kohësh. Të një Kuvendi që ua kam thënë edhe ndërkombëtareve, edhe juve, që ka zero opozitë. Madje do i kërkoj falje dikujt, një kolegeje jo shqiptare, që më pyeti për një forcë jo të re politike dhe ja dhashë që atëherë parashikimin 0.3%, por doli aty afër 0.5%. Tek unë ndikon vetëm Kushtetuta e Republikës, nuk ndikojnë këto gjëra. Ndikon tek unë edhe çelja e negociatave. Kam kërkuar t’i bindim të tërë, që të çelim negociatat, se sa më mirë të ecim në këtë drejtim, do vëmë nën kontroll edhe proceset brenda vendit”, tha Meta.
Zgjdhjet e 25 prillit
Kreu i shtetit tha se zgjedhjet e 25 prillit nuk kanë përfunduar, ndërsa ftoi të priten me durim rezultatet e ankimimeve që janë bërë nga partitë politike. Ndërkohë u shpreh se pas 25 prillit, tani kemi hyrë në një epokë, sipas tij, të pluralizmit politik parlamentar. “Përshëndetje, mirësevini në epokën e pluralizmit politik pas 25 prillit. Se e kam vënë re që jeni shumë të mërzitur natyrisht s’mendoj që ka shumë arsye kushdo për të qenë i lumtur por të paktën duhet të jemi të kënaqur që po kalojmë nga epoka e para 25 prillit e parlamentit monist në një epokë ose po rikthehemi në një epokë të pluralizmit politik parlamentar pavarësisht se zgjedhjet ende s’kanë përfunduar duhet të jemi të duruar sa të përfundojnë të gjithë proceset e ankimimit”, tha Meta.