Nga Sebi Alla
Për të tretën herë radhazi Lulzim Basha mori postin e Kryetarit të Partisë Demokratike, duke ia arritur qëllimit të tij, ndoshta të vetëm; të jetë gjithmonë në krye, edhe pse si kryeopozitar. Sot i ngjan një futbollisti sulmues që nuk ka shënuar gol, ndonëse janë zhvilluar tre takime dhe me disa minuta shtesë. Trajner që të guxojë ta zëvendësojë nuk ka, por ai edhe pse nuk po luan mirë, qëndron në fushë, madje si kapiten. Për të e rëndësishme është pjesëmarrja. Kundërshtarët shënojnë, ai bërtet për parregullsi, faulle, apo qëndrim “dashakeq” të arbitrit, por sa herë shihen e rishihen, golat e kundërshtarit nuk anulohen as me “var-in ndërkombëtar”.
Basha sërish bredh në fushë me lojtarët e ekipit që i ka zgjedhur vetë, duke mos i lënë asnjë shans të rinjve, të cilët ngrohin stolin, por që mund të kenë aq forcë sa të shënojnë, e pse jo të kthejnë rezultatin. Në shtator thotë se do të ndryshojë “modul loje”. Vetë kryesulmues, një 9-të tipik që pret ta furnizojnë me topa, por edhe kur i vjen rasti llokum, ai nuk është aty për të zgjatur paksa këmbën…
Basha mund të vihet në dilemë se përderisa nuk shënon vetë në fushë, fajin e ka “trajneri” Berishë, të cilin mund ta largojë, gjithnjë duke u bërë bashkë me të gjithë ekipin që pason vetëm tek ai. Në këtë mënyrë Basha do të jetë trajner-sulmues, që ka në duar edhe mënyrën e lojës. Ende shpreson ta shënojë një gol, duke ëndërruar jo në forcat e tij, por një përgjumje të kundërshtarit. Nëse kjo ndodh, atëherë do ndryshojnë edhe rregullat e lojës: “topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë”. Rreziku qëndron gjithnjë se edhe nëse pas dy vitesh zhvillohet ndonjë “kampionat i paparashikuar” kur Basha të gjuajë drejt portës së boshatisur, sërish mund ta nxjerrë topin jashtë. Atëherë do ketë përsëri arsye për t’u ankuar: ishte topi jo i fryrë mirë; këpucët ishin me majë, bari ishte i gjatë… ma bënë me hile. Zgjidhje ka, aty në fushë do jetë edhe nëse ekipin i tij do të shënojë duke fituar, ai do ngrejë trofeun pa realizuar asnjë gol, madje mund të kërkojë edhe “këpucën e artë” për këmbënguljen. Ai diçka “di”, përderisa qëndron gjithnjë në fushë!