Shqipëria shpreson për hapjen zyrtare të negociatave të pranimit të vendit në Bashkimin Evropian në fund të qershorit. Kryeministri Edi Rama në një intervistë për një nga televizionet më të mëdha në Francë, “France 24” edhe pse mendon se Shqipëria duhet të marrë dritën jeshile nga Brukseli, por shtoi se asgjë nuk e surprizon.
” Duhet thënë se në samitin para pandemisë, u vendos që të hapeshin bisedimet, më tej kjo u zgjat sepse duhej të merrej një vendim për të thirrur Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Për fat të keq tashmë, unë u mësova të mos habitem më me atë që mund të ndodhë në Bruksel, sepse është një çështje e dinamikës së brendshme, një histori konsensusi që ndonjëherë është i vështirë, normalisht duhet ta marrim dritën jeshile duke mbajtur parasysh se ka një problem tjetër mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, sepse ne dhe Maqedonia e Veriut e presim së bashku këtë vendim dhe do të shohim nëse ky problem do të zgjidhet përpara samitit”
Rama ka deklaruar se Shqipëria është përfshirë në një “betejë” për të reformuar sistemin e saj gjyqësor përballë korrupsionit, sipas tij një shenjë e ardhjes së një “demokracie funksionale”. Kryeministri ka vënë theksin tek reforma në drejtësi, si një nga çështjet më të rëndësishme tani për rrugën europiane të Shqipërisë, ndërsa komentoi edhe dënimin e ish-kryeprokurorit Llalla, duke e quajtur një sinjal të mirë për shtetin e së drejtës.
“Nëse Shqipëria nuk do të kishte probleme, sot do të ishim në BE. Prandaj ne kemi hyrë në këtë betejë për të reformuar drejtësinë. Nëse ish-kryeprokurori, dhe ish-personalitete të gjyqësorit dhe politikës dënohen është një sinjal i mirë për shtetin e të drejtës, prandaj ne vazhdojmë këtë proces negociatash, për të ndërtuar një shtet të së drejtës, një demokraci funksionale”, mbylli Rama fjalën e tij.
Kreu i qeverisë ka folur për procesin e integrimit, përballjen me pandeminë, zgjedhjet, si dhe për luftën kundër korrupsionit. Mes të tjerash kryeministri u ndal dhe tek zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa cilësoi se ato u njohën nga OSBE/ODHIR-i.
“Kemi pasur raporte të OSBE-së dhe ODIHR-it, që janë mjaft të qarta rreth integritetit të fushatës, integritetit të zgjedhjeve, por sigurisht me gjëra për t’u përmirësuar. Lidhur me këtë fakt, jam shumë i kënaqur që ju më pyesni, sepse kam parë që ka pasur artikuj surrealë edhe në Francë. Nuk bëhet fjalë për të dhëna personale konfidenciale që kanë dalë, por bëhet fjalë për të dhëna të organizatave të partive, por që nuk kanë asnjë lidhje me të dhënat personale dhe konfidenciale të Gjendjes Civile. Së pari, Regjistri i Gjendjes Civile ka qenë i publikuar në internet që prej disa vitesh. Së dyti, doja të shpjegoja se në kartën tonë të identitetit, numri i gjendjes civile nuk përfaqëson asnjë të dhënë për personin. Është vetëm një numër identiteti për të përdorur këtë kartë në shërbimet publike, por nuk ka të dhëna sensitive”, tha Rama.
Po ashtu Rama vlerësoi vendimin e BE për të hapur dyert për shqiptarët.
“Po, qytetarët tanë parashikojnë të udhëtojnë shumë. Për më tepër, siç ju e thatë mirë, një pjesë e madhe e popullsisë sonë jeton përtej kufijve të Shqipërisë dhe për ne ky ka qënë një lajm shumë i rëndësishëm, sepse kemi bërë një punë mjaft serioze për të luftuar pandeminë dhe me rezultate që janë vlerësuar nga të gjithë. Shqipëria ka qenë në krye të vendeve europiane si për përqindjën e vaksinimit dhe për shifrat e infektimit dhe të vdekjeve.
Kur flas për vaksinimin masiv dhe për ritmin e vaksinimit, kam parasysh statistikat e BE, sipas të cilave Shqipëria ka qënë prej muajsh në vendet e para; Shqipëria ka qenë deri dje në shifrat e 850 000 dhe në një vend më numrin aktual të banorëve kjo është shumë. Për sa i përket Europës, do të thoja se fillimisht ishte për të ardhur keq sepse të gjitha vendet e Ballkanit u lanë jashtë skemave të shpërndarjes, dhe në fakt, ne nuk ishim vetëm, por në një gjendje psikologjike mjaft të rënduar, sepse ne jetojme me Europën. Ne në Ballkan jemi në mes të Europës dhe jemi të kufizuar nga vendet e BE-së dhe duke parë në televizor se vendet e Europës kishin filluar të vaksinohëshin, jo, ishte me të vërtetë e rëndë”.