Lufta e Dytë Botërore ishte konflikti i armatosur midis Aleatëve dhe Boshtit Nazist, i përbërë nga Italia, Gjermania dhe Japonia nga viti 1939 deri në vitin 1945. Marrëveshja e Versajës në Paris, ngarkoi Gjermaninë me të gjitha fajet e luftës. Sanksionet që iu vendosën ishin të rënda, por Gjermania do të firmoste këtë marrëveshje. Inflacioni, shkëputja e territoreve, kushtet e këqija të jetesës, si edhe shumë arsye të tjera do shkaktonin fillimin e asaj që u quajt Lufta e Dytë Botërore. Tensioni i madh dhe çështjet e pa përfunduara të Luftës së Parë Botërore, do bënin që vetëm pas 20 vjetësh të fillonte Lufta e Dytë Botërore.
Më 1 shtator 1939, Gjermania pushton Poloninë.
Sulmi mbi Bashkimi Sovjetik
Më 17 shtator 1939, Bashkimi Sovjetik sulmon nga lindja dhe pushton atë pjesë të Polonisë që i ishte premtuar nga marrëveshja e fshehtë me Gjermaninë. Një ditë pas kësaj ngjarjeje, si presidenti dhe kryetari i përgjithshëm i trupave të armatosur polake, do t’ia mbathini në Rumani. Më 1 tetor, pas një muaj sulmesh mbi Varshavën, forcat armike do të shtinin në dorë qytetin. Batalioni i fundit i trupave polake, do të dorëzohej më 6 tetor, edhe pse zyrtarisht, Polonia nuk iu dorëzua kurrë Gjermanisë. Trupat polake të mbetura, u tërhoqën në vendet fqinje duke shpëtuar për momentin. Këto trupa do të luftonin më vonë në Fushatën e shtatorit dhe do të jepnin një ndihmë të madhe ndaj forcave aleate për fitimin e Luftës së Dytë Botërore.
Që nga koha që Pakti Molotov-Ribbentrop ishte firmosur në gusht të 1939, Bashkimi sovjetik kishte pajisur Gjermaninë me armatime dhe të mira të tjera të domosdoshme për pushtimin e Evropës. Megjithatë, kur Gjermania do t’i kthehej kundra ish-aleatit së saj, Stalini do të arrinte në përfundimin që edhe Britanikët dhe Francezët kishin arritur më parë; Hitlerit nuk i zihet besë.
Më 22.06.1941, operacioni më i madh në histori do të fillonte; Operacioni “Barbarosa”. Tre grupe ushtarake gjermane, të përbërë nga 4 milion njerëz, do të hynin në territorin rus duke shkatërruar gati të gjithë divizionet e Ushtrisë së Kuqe, në sajë të strategjisë së rrethimit. Joseph Stalin, befasohet nga sulmi i papritur i forcave të Adolf Hitlerit. Nazistët marshojnë drejt Moskës. Ai kështu shkeli marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik për respektimin e sovranitetit reciprok.
Ushtria e Kuqe që ndodhej në pjesën perëndimore të Bashkimit Sovjetik të pësonte humbje të mëdha. Përballë kësaj situate, Sovjetikët u tërhoqën për në Ural, duke marr atë që mund të merrnin dhe duke shkatërruar atë që nuk mund të merrnin. Asgjë nuk duhet të binte në dorë të armikut (një strategji kjo që është përdorur edhe kundra Napoleon Bonapartit). Në Ural, rusët do mund të rigrupoheshin dhe furnizimi i Ushtrisë së Kuqe, mund të bëhej i mundur.
Komandantët Suprem; 5 qershor 1945 në Berlin: Bernard Montgomery, Dwight D. Eisenhower, Georgi Zhukov dhe Jean de Lattre de Tassigny. Komandanti Zhukov organizoi dhe mori pjesë në shumë betja mbrojtëse dhe ofensiva të ndryshme të ushtrisë së kuqe.
Vonë në dhjetor të po atij viti, Trupat Gjermane kishin arritur në dyert e Leningradit, dyert e Moskës dhe Rostov. Arritja deri aty kishte qenë e mundimshme për Gjermanët. Ata kishin humbur 23% të ushtrisë që kishte sulmuar në fillim. Megjithatë gjermanët vazhdonin të avanconin. Dimri i fortë i Rusisë, do të bënte që ata të ndaleshin. Në këto kushte, ishte e pamundur realizimi i sulmit Blitzkrieg (sulm rrufe) sepse tanket nuk mund të manovronin thjeshtë në fushat e mbuluara me borë.
Gjermanët e kishin nënvlerësuar numrin e madh të ushtarëve që Ushtria e Kuqe kishte nën dispozicion. Ushtarët gjerman, nuk ishin të pajisur mirë për një mot të tillë. Mungonin mjetet e transportit dhe makineritë nuk i bënin dot ballë motit të ftohtë, duke marrë parasysh teknologjinë e atëhershme.
Trupat Gjermane filluan të demoralizohen nga luftimet e pafundme dhe ardhja e trupave të reja nga Siberia. Këto trupa ishin të shumtë dhe drejtoheshin nga Gjenerali Zhukov, një gjeneral ky me përvojë nga Lufta e Parë Botërore. Gjithashtu, këta ushtarë Sovjetik, ishin mësuar me ato kushte të ashpra.
Gjermania kishte avancuar shumë përpara, por kësaj radhe Sovjetikët do të “kthenin përgjigje”. Më 5 dhjetor, Sovjetikët kundërsulmuan dhe i detyruan trupat gjermane të ktheheshin mbrapa për kilometra të tëra (mendohet 150-250 kilometra). Kjo kishte qenë thyerja e parë e gjermanëve në luftë.
Më 25 qershor 1941, lufta e vazhdueshme e sovjetikëve me Finlandën, bëri që sovjetikët të ndërmerrnin një fushatë të gjerë bombardimesh ajrore kundra kësaj të fundit. Këto bombardime, filluan pak mbrapa fillimit të Operacionit Barbarosa.
Qëndresa sovjetike ndaj Vermahtit
Në veri, Sovjetikët do të sulmonin nën operacionin e koduar Toropets-Kholm, në 9 janar deri në 6 shkurt të 1942. Ky aksion bëri të mundur, që divizionet gjermane të ngushtoheshin në afërsi të territorit të Andreapolit. Gjithashtu, Ushtria e Kuqe do të rrethonte një divizion të ushtrisë gjermane në “Xhepin e Demjansk-ut” (Rrethimi i Garnizonit gjerman u pagëzua me këtë emër). Kjo do t’i jepte avantazh Ushtrisë së Kuqe, duke prishur moralin e trupave gjermane.
Në muajin e gjashtë të 1942, me datë 28, do të fillonte ofensiva e Aleatëve e koduar Operacioni Blu. Ky plan përfshinte vendosjen e trupave të Aleatëve, nga lumi Don deri në lumin Volga, drejt maleve Kaukaziane. Grupi Ushtarak B, ndërkohë po bënte plan, shtënien në dorë të Stalingradit; një veprim ky që do mund të forconte frontin Gjerman. Ndërsa Grupi Ushtarak A, planifikoi marrjen e fushave të pasura me naftë në jug. Në Betejën e Kaukazit, Trupat e Boshtit Nazist do të kapnin nga fundi i verës dhe vjeshtë së 1942-it, fushat e pasura me naftë.
Më 23 gusht, 1942, Gjermanët arritën Vollgën, në veri të Stalingradit. Gjermanët pa humbur kohë, do të bombardonin qytetin duke shkatërruar shtëpitë prej druri. Shkatërrimi i këtyre të fundit u bë me qëllim që të dëmtoheshin uzinat moderne të sovjetikëve. Më 23 shtator, Ushtria Gjermane kishte marrë në dorë këto fabrika dhe rrezja e veprimit të Ushtrisë Gjermane, ishte aq i gjerë sa që kishte nën kontroll të gjithë lumin. Sovjetikët do të sillnin përforcime dhe tashmë do të fillonte ajo që në histori u njoh si Beteja e Stalingradit. Në rrugët e Stalingradit, do të zhvilloheshin beteja të ashpra guerirlase. Duke qenë se të dy palët luftonin brenda në qytet, mendohet se luftimet trup më trup nuk kanë munguar.