Kryeministri Edi Rama e quajti një dështim të BE, vendimin për të mos çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Nga Shkupi, në një konferencë të përbashkët me homologun Zoran Zaev, Rama tha shqiptarët janë popull europian dhe këtë nuk e vendos BE.
Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj që në kohën e Gjergj Kastriotit, tha Rama, dhe vendi ynë do të vazhdojë këtë rrugë.
“Rastësia e solli që në të njëjtën ditë ku do të flisnim për atë që nuk ndodhi në Bruksel, të jemi këtu në një forum ekonomik. Çfarëdo ndodh apo jo në Bruksel, ne jemi të vendosur që të vazhdojmë me të gjitha forcat që të rrisim ekonominë, mirëqenien, krenarine dhe forcën e dinjitetit të popujve tanë. BE mund të caktojë detyra për integrimin, afate, data, por BE nuk cakton dot as vendodhjen tonë në mes të Evropës dhe as kulturën dhe identitetin tonë evropian, as të ardhmen e popujve tanë si popull evropian në familjen evropiane. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj që në kohën e Gjergj Kastriotit dhe e ka rikonfirmuar zgjedhjen e saj që në epokën e Rilindjes Kombëtare. E ardhmja jonë është aty ku Zoti e ka caktuar ta kemi, në Evropë. Për mua nuk ka ndodhur asgjë tjetër, vetëm se BE ka dështuar përsëri për të mbajtur premtimin”, tha Rama.
Gjithsesi, Rama tha se jeta vazhdon dhe Shqipëria do të nxisë bashkëpunimin rajonal.
“Jeta vazhdon, progresi do të vazhdojë, nuk është I imponuar nga jashtë, por nga brenda nesh. Bashkëpunimi rajonal do të vazhdojë me të gjitha forcat dhe të gjitha shtetet”, tha Rama./Gazeta SHQIP