Ditën e djeshme 19 gra dhe fëmijë të mitur janë rikthyer në Shqipëri pas një qëndrimi të gjatë në Siri dhe kampet e ISIS. Operacioni i vështirë u realizua me ndërhyrjen e agjentëve Libanezë. Disa refuzojnë të largohen nga kampi i tmerrit, ndërsa pritet edhe një operacion tjetër për të rikthyer në vend gratë dhe fëmijët e shqiptarëve që u vranë në Siri.
Kanë mbërritur në Shqipëri mëngjesin e djeshëm në vendin tonë 5 gratë dhe 14 fëmijët shqiptarë që prej vites ishin të “ngujuar” në kampin “Al Hol” në Siri. Riatdhesimi i tyre u bë i mundur falë bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me autoritetet libaneze. Për të pritur gratë dhe fëmijët e mitur në Rinas kishin dalë kreu i qeverisë Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm Blendi Çuçi. Rama u shpreh se do të ketë edhe një operacion tjetër për riatdhesimin e shqiptarëve të tjerë që vuajnë në kampet siriane. “Kjo është ora që përmbyll një operacion të jashtëzakonshëm që na jep mundësinë të çojmë drejt shtëpive 19 bashkëatdhetarë të tjerë nga kampet e ferrit në Siri. Këtë herë 5 gra dhe 14 fëmijë, të cilët mundëm t’i shkëpusim pas një përpjekje të gjatë, një operacioni të ndërlikuar me shumë vështirësi dhe jo pak rreziqe dhe falë ndihmës të posaçme nga konsulli ynë i nderit në Liban dhe gjenerali Abas. Është vërtet një ngjarje pozitive dhe ne nuk do të ndalemi këtu, ka edhe një operacion tjetër potencialisht për t’u zhvilluar, me një numër që ende nuk e dimë, por llogarisim një numër pak a shumë të njëjtë me këtë të sotmin, në mos pak më i vogël, duke menduar që më shumë se gjysma tanimë është marrë dhe është në vendin tonë. Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe struktura e Antiterrorit. Ministrin e falenderoj sepse prej muajsh ka ndjekur operacionin dhe ka bërë një vizitë të posaçme në Bejrut. Ky është një zotim që është i gjallë qysh kur është shfaqur ky problem dhe ne do e mbajmë deri në fund”, tha Rama. Kryeministri Edi Rama deklaroi se dy shqiptarë, që ndodhen në kampin e ferrit të Al Holit në Siri, kanë refuzuar që të riatdhesohen. Në një konferencë për mediat, ai tha se ata po mbahen peng në këtë kamp, ndërsa ndihen të kërcënuar për jetën. Sipas Ramës, gjatë këtij operacioni është vënë në rrezik edhe jeta e personave që ndërmorën këtë proces. “Tani ata marrë nga strukturat tona të posaçme të kombinuara, të policisë dhe të mirëqenies sociale. Do iu drejtohen një strukturë të përgatitur enkas për ta. Do bëhen ekzaminimit mjekësore dhe psikologjike. Do të kenë një periudhë të shkurtër karantinimi, më pas sipas rastit, pasi një pjesë e tyre kanë adresa. Një pjesë e tyre do të cohën në shtëpi, apo struktura të posaçme. Operacionet e kësaj natyre janë të vështira, pasi zhvillohet në tokë ku s’janë kampe pushimi apo shtetërore, të sistemuara. Janë kampe lufte. Në këtë drejtim pune që bëhet, është e dyfishtë. Ka pasur rrezik vërtetë dhe për jetët e personave të përfshirë në operacion. Sa i përket numrit, ne kemi çuar një numër të caktuar profilesh prej fillimit kur kemi vënë kontaktet. E paqartë se sa është numri i personave të pa tërhequr. Ka dhe persona që kanë refuzuar, por që nga informacionet thuhet se janë pengje, pengje brenda kampeve. Frikën e kanë se gjatë momentit të shkëputjeve mund t’ju merren jetën. Në dijeninë tonë ka dy persona që kanë refuzuar, dhe nuk kanë bërë hapin për t’u paraqitur.”, tha Rama.
Abaz: Operacion i vështirë
Nga Bejruti, para nisjes së 19 shqiptarëve për në atdhe, Gjeneralai libanez Abaz, ka hënë detaje nga operacioni i shpëtimit, të cilin ai e vlerëson të vështirë. “Jam shumë krenar për atë çfarë kemi bërë, jam shumë krenar për oficerët e mi që kanë punuar shumë fort dhe mund t’ju them se vështirësitë me të cilat jemi përballur lidhen me faktin se kam qenë shumë i shqetësuar kur kam dërguar njerëzit e mi, oficerët e mi të punojnë atje dhe është sekret, sepse kisha oficerë që punonin në zonën kurde që është shumë e rrezikshme t’i çosh. Por ne luajtëm rolin tonë, për të shpëtuar shpirtrat njerëzor.”, tha gjenerali. Gjenerali Abaz, thotë se vendi i tij Libani, është krenar për ndihmën që jep për shpëtimin e njerëzve. “Ndihem shumë krenar për çfarë kemi bërë dhe për çfarë ende po bëjmë për miqtë tanë shqiptarë dhe për të gjithë njerëzit në mbarë botën. Ne jemi krenar që Libani po luan këtë rol. Siç e thashë është një dhuratë për miqtë e mi për kryeministrin dhe për shpirtin e nënës time, pasi këtë ditë, është përvjetori i saj sot”, pohoi ai. Në kampin “Al Haël” ka ende shqiptarë dhe operacionet për shpëtimin e tyre do vijojnë.