Parfum i luleve të fshatit tim

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Cikël me poezi nga Panajot Boli

Poezi e fushave të vurgut dhe bistricës

Pasi të kapërcësh Qafën e Muzinës dhe të ndjekësh Bistricën për të dalë në det dhe të takosh poetët qe pikturojnë Jonin, duhet të ndalosh të takosh Panajot Bolin, të lexosh poezitë e tij dhe shkrimet e llojeve të ndryshme të tij. Ka kohë qe është ngritur ky “stacion” dhe kjo pritje e bukur. Poezia e tij është e thjeshtë, siç është vetë autori. Ajo është lindur bashkë me barin, me lulet e vendlindjes të Velahovës së tërhequr pak në mal për t’i krijuar hapësirë e për të parë me mirë fushat e Vurgut, Bistricën qe kalon në to plot naze, agrumishte qe natën ndrijnë me limonat dhe portokallet qe mbajnë. Dashuria qe ka poeti për vendlindjen, e krahasueshme me atë qe ka njeriu për nënën. Brenda thjeshtësisë se vargut rrjedh e fuqishëme e brilante ndjenja e ngrohtë lirike, një lirikë e kulluar si lulet aromantike blu të sherbelit, në garniturë me magjinë e luleve shumëngjyrëshe, me serenatat e thellëzave të malit, në perendimin fantastik të diellit pak më poshtë tek deti Jon, puhiza e ëmbël ledhatuese verore që të deh shpirtin. Një vesh dhe një sy poetik që mund të ndjejë edhe frymëmarrjen dhe rahjen e zemrës së një zogu dhe të dashurës, të dallojë nuancat e dritës së agut të mengjesit, dritëhijet e natës. “Bistrica, – i shkruante para ca kohesh i ndjeri kolegu i tij gazetar Sokrat Papadhopulli, -është si Polifemi, ka një sy, sy të kaltër plot poezi qe çmend qiellin dhe detin, pa le ti i nderuar miku im poet. Një mrekulli e natyrës qe duhet ta ndjej njeriu. Këndo miku im poet, Panajot, me vargje të rrembyeshme, të kristalta, të kaltërta, dehese, si okulist teist për Syrin e mahnitshëm”. Pasi ke pirë një gotë limonade poetike Bistrice dhe je njohur me këtë cikël poezish, mund të marrësh rrugën për në Sarandë, te poetët e tjerë të Mesdheut tonë.

Shënimi nga THANAS DINO

LULET MË HODHEN PARFUM

Në të gdhirë i pashë sytë e fshatit tim
Lundronin mes lumturisë
Flladi me delikatesë me hodhi kraheve
Një triko të lehtë kaltëroshe

Pllajat si nuse nikoqire ishin ngritur herët
Më lanë fytyrën me vesë
Lulet erdhen me parfumin e tyre në dorë
Më sperkaten flokë e gushë

Lulet e verdha të cfakës më ftuan të shijoj
Ca pika mjalti nga gjiri i tyre
Buzëqeshnin këto çapkene e më kujtonin
Si i rufisja kur isha i vogël.

Ti e dashura ime, do ta ndjesh këtë parfum
Kur do të më puthesh me etje
Sonte ai nuk ka aromë si në takime të tjera
Lulet e mia të fshatit ma hodhen.

Ndofta kjo puthje do të zgjas pak më shumë
Aroma deh, të çon në ekstazë
Rendin lulet e të hedhin petale mbi flokë
E ti papritur shetit në parajsë.

UNË ERDHA BABA…

Si trumcakë të trembur dy karrike rrinë në oborr
Dhe tavolina dalëboje si murg me tespie në dorë
Ulur pres mallin që përpëlitet në gjoks me ofshan
Ja, do të hapet porta, do të vijë baloja me babanë

Pse vonojnë? Ku bredh ky baloja, rrugaç i keq
Pse s’del babai në derë, ëmbël, ëmbël ta tërheq?
Një pikël loti të ndrijë fshehtas në cep të syrit
Të mos mbahet baloja, të më vërë putrat mes gjirit.

Ndofta vjen nga turni, me hapa të lehtë, i djersirë
Peshqiri është mbi sofa, ta fshij babin tim të mirë
Të hapë çantën për të, të mbushet tavolina plot
Të dëgjoj zërin: -Sille, moj, atë të shkretën gotë.

Unë erdha baba, këtu në oborr s’dëgjoj zhurmë
Të solla një pjepër sheqer, llokume që do shumë
Heshtja ka ngrirë…Vetëm hardhia më ngushëllon
Më hedh gjethe të verdha, dhembjen, ah, më sëmbon.

HAKMARRJA E KUÇEDRËS

Nga varri u ngrit kuçedra e Bistricës befas një natë
Si fantazmë kërkonte fshatarin me gomar, por pa fat
Nga inati mbyti rrepet, vetullat jeshil të Syrit të Kaltër
U rrufiti gjelbërimin vampiri. Po, po, hakmarrje e pastër.

Si dinosaur rrepet plandosur përtokë gjerë e gjatë
Vetëm zogjtë ulen e i vajtojnë. Ah, s’ka më serenatë
Me gurgullimë trishtimi Syri i Kaltër qan në ligjërim
Për ato vetullat e tij të bukura, kaçurrelat gjelbërim

U ZBEH KËNGA E THELLËZAVE

Eh, si mburren bjeshkët me zanat e bukura dritëflori…
Po edhe malet e fshatit tim me thellëzat e paqta ngjyrë hi
I nanurisin sytë e mbrëmjes në të çuditshmin perëndim
Në agë me guitje çukasin në dritaret e qelqta për zgjim.

Në malet e fshatit tim nuk ka zana, po thellëza syshkruara
Dehen në vesën e mengjesit, yjet pijnë me kupa të praruara
Në qilimin e pllajave, zbathur kërcejnë në dritën që rigon
Këndojnë fare pa turp, paçka se një fshatar për qejf i inçizon.

Mbi kaçurrelat e fshatit guisin pareshtur, e fole po ngrenë
Pikon pak melankoli ne këngët e tyre, ua trazon harenë
Kanë ulur perdet disa dritare, xhama të trishta pa zë i gjejnë
Guisin me fort, me ze të çjerë, brengën e athët të përzejnë.

Fshati im, fshati i thellëzave, me herët shtron të fle gjumë
Me indiferent, më i heshtur se heshtja u bë edhe ky lumë
Me kocka qe i therin nga nata, thellëzat çohen me përtim
Përseri ia thonë këngës pllajave, por me dhimbje e sëmbim.

PËRËNDIMI

Në mal u ngjit fshati im
Të shoh detin në përëndim.

Nur i bardhë ky fshati im
E magjeps deti prarim.

Dielli, detit i ulët pranë
U ndezën të dy, kush i mban…

Shtrihen, puthen të dashuruar
Në shtratin e kaltër kuqëzuar

Skuqet mali nga xhelozia
– S’vjen tek unë marrëzia

Dielli e deti s’duan të dinë
Me çarçaf hiri mbulojnë synë.

Mblidhen bashkë qe të dy
Mbulohen mos i shoh njeri.

Fusha, mali mbajnë qetësi
Shët, mjaft, ata bëjnë dashuri.

Shtrijnë çarçafin në çdo anë
Ah,në parajsë të dy vanë.
……..
Po ç’thoshte ky gjyshi im
Kur shihnim detin në përëndim?

-U lodh dhe dielli, mor femijë
E pret në shtëpi, nëna e tij.

MOS U ZËMËRO, E DASHUR

E dhembsur vjeshta ime, do të iki edhe unë me dallendyshet
Ngrohtësi duan ato të prehen, shpirti im me akull le të vishet
Strehë të gjejë te Poli i Veriut, aty të bëj gjumin e tij letargjik
M’u ankua durimi, heshtje varri kërkon, si Pelegrini të iki, të ik.

Ti mos u zëmëro e dashur, ca kohë do të mungojnë sytë e mi
As mos prit mesazhe të ëmbla, edhe ato do të flenë pak nën hi
Ndofta kthehem prapë me dallendyshet, me një tjetër pranverë
Ndofta sjell një qiell krejt tjetër, ndofta sjell një yllësi të terë…

E trishtuar vjeshta ime,unë do të iki bashkë me dallendyshet
Ngrohtësi duan ato të prehen, trupi im me gjelbërim të vishet
Strehë të gjej te lugina e zanave, me to zëmrën në valle ta deh
M’u neverit dita e mjegullt, më tremb shumë hëna që u zbeh.

Ti mos u zëmëro e dashur, e di, do të mungojnë shumë sytë e mi
Edhe mesazhet terë fllade dashurie, do të mungojnë, ah, unë e di
Ndofta kthehem prapë me dallendyshet si vesë prilli në blerime
Ti, puth vezullimet e saj, dhe dashurohu fort me endrrën time.

RRJEDH E PËRGJUMUR, BISTRICA IME

Lexo edhe :  Do përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025! Kush është ‘Shkodra Elektronike’?

U lodh nata e zvarrë u hoq pa u ndjerë në një cep të vetmisë
Me gerhitjen aritmike,Bistrica ime, qetësinë e lagësht gris
Fusha ka fjetur herët sonte, lugina padashur bëhet nevrike
Përtyp mendueshëm mjegullën e hirtë në menyrë mistike.

Si yll polar ka ndezur dritat e shpirtit përmbi faqen e malit
Sa shpejt u fshehen zogjtë, varen rrepet kryet si jelet e kalit
I shurdhët u bë lumi, një turbullirë të athët seç ndjen në gji
Fasha dritash makinash s’e lenë, i shkelin syrin me djallëzi

Rrjedh e përgjumur kjo Bistrica ime në këtë natë të trishtë
Ca zëra si ndërrim stacionesh radio në fshat, butë, paqesisht
Marramendet peizazhi i dehur, misterioz, qe nuk bën gjumë
Pastaj kridhet në ujërat e saj e përqafohet me të mirin lumë.

S’ËSHTË KJO, PRANVERA IME

Çukiti kukuvajka në dritare, në sqep-mandati mallkim
Gëzimi më mban dorën, dhimbja më lutet me përgjerim
S’përmbahen gjinjtë e trendafilit në oborr, dardha lulon
Heshtje në Mbretërinë e Shpirtit, endrra në gjumë lëngon

Diellit të mplakur i vjen keq, më ledhaton fytyrën e sytë
Ankohen edhe ato: këtij të uruarit, iu dobësua kjo dritë
Flladet shkojnë e vijnë, më joshin me të shtrenjta aroma
Buzëqeshja e vyshkur e së dashurës sime, u trishtua akoma

Kush ma solli të plagosur, kjo nuk është pranvera ime
Unë e kisha nuse me kurorë, hyjnëshë, princeshën time
Ma ndërruan, ma vodhen, kësaj i vunë maska e dorashka
E trembur ajo, përqafime s’pranon, as puthje s’dashka

KJO LEGJENDË…

Shekuj të terë u end në labirinthin e errët Bistrica ime
Fillin e Arjanës gjeti një ditë Syri i Kaltër me mundime

Vrau Minotaurin qe e mbante robinë në labirinthin e zi
Sa doli vuri shtatëmbëdhjetë qerpikë të argjend mbi sy

Thirri zogjtë e bukur ,ujë të kulluar kristali u dha të pinë
Ta zgjojnë herët në mengjes, ta përkedhelin me melodinë

Uli yjet nga qielli të pikturojnë faqet mollë të lendinës
Një mantel jeshil të mendafshtë i hodhi mbi supe luginës.

Gjarpërin gjingant e çoi lart në Malin e Gjerë të vigjelojë
Pastaj mori rrugën, vëllanë e dhembsur Jon të përqafojë

VDEKJA E RREPEVE TË LUMIT TIM

Atë natë pa henë rrapi i madh i lumit tim u kollit shumë
Mezi merrte frymë, kishte zjarrmi e perpilitej në gjumë.

Ra në kllapi e fliste përçart, nga ethet iu nxinë sytë e buzë
Mushkëritë gjigantit ia brente si krimb, i mistershmi virus.

Virusi përbindesh ish i pangopur dhe kishte tmerrësisht uri
Si kanibal përtypte në errësirën e natës, nga një mushkëri

U shtrin rrepet e gjora në brigjet e lumit tim si dinosaurë
Në krah një shirit të zi vuri Bistrica, dhe në zëmër një gur.

Ngeli e zhveshur në diell, pa çadrat jeshile me hije e freski
S’u kujtua njeri për një aspirator, i lanë të vdisninin pa njeri.

E plakur Bistrica ime e tret dhimbjen me një ligjerim vajtim
Asnjë kronikë televizive për vdekjen e rrepeve të lumit tim.

SHEKULLI IM I MARROSUR

Shekulli im xhambaz,
U marros….
Iu nxi mushkeria, iu nxi shpirti
U bë shterp
Me një gersherë të ndryshkur
I zuri pritë pranverës
Në një shteg.

Shekulli im xhambaz,
U marros…
I preu flokët asaj me inat
E shëmtoi
Ia shtrydhi buzëqeshjen fort
Si një vajzë të përdalë
E dëboi.

Shekulli im xhambaz,
U marros…
Internoi mes hekurave të zeza
Dashurinë
I ktheu nga rruga dallendyshet
Si krushq pranverës,
Të mos vinë.

Shekulli im xhambaz
U marros…
Me rrezet e tua mos e puth
Diellit i thotë
Pelerinën e thellimit i hedh mbi supe
T’i thaj në sy
Edhe një pikë lot.

Shekulli im xhambaz,
U marros…
Me gërsherë të ndryshkur i preu gazin
Pranverës sime
U shastisen manushaqet në lendinë
E pinë ujë të hidhur zogjtë
Në burime.

Shekulli im xhambaz,
U marros…
Hënës sime të mirë i thotë
Edhe ti ke faj
Mos e ngushëllo me dritën tende
Le ta përtyp vetë
Dhimbjen e saj.

Shekulli im xhambaz,
U marros…
Çudi, çmenduria i erdhi tani
Në të ri
Nga xhelozia shemtoi pranverën
Në qafë i lidhi
Një shall të zi.

Shekulli im xhambaz,
U marros…
Ka etje tërbimi, i nxiri
Ky lanet.
Botën leviz me qysqi
Si djalli kërkon
Një tjetër planet.

LUMI BËRI MEKAT…

U thinj vesa në flokët jeshil të së përgjumurës sime fushë
Lumi merr frymë me zor e avujt i vërtiten rrotull në gushë

Edhe lugina ndjen të dridhura në këtë mugëtirë me thellim
Mali fërkon sytë e hirtë e shmpin këmbët pa qejf tërë përtim

Pse është kaq i urtë ky lumë, ç’zullume ka bërë në këtë natë
– U grind keq me këmbën e urës, e kafshoi si i terbuar me inat!

Kish kohë qe grindeshin për këmbën qe i kish futur në shtrat
Kaq e “pandershme” qenka kjo? dhe xhelozia i shtohej çdo natë

Qente e ndien të parët e vunë piskamë: Lumi ka bërë hatanë
Në nxemje sipër ky gjaknxehti, ia hodhi urës këmbën matanë

U thinj vesa në flokët jeshil të së përgjumurës sime fushë
Lumi im sot bëri mekat të madh: e la t’i vyshket buzë e gushë.

REBELIM

Durimi m’u ul në prehër, më përgjerim më sheh në sy
Ju sos shpirti i drobitur, kokën po më mbeshtet në gji

I jap kurajo, ja edhe pak,të kalojmë repirën gjarpërim
Do të çlodhemi në lendinë, do freskohemi në burim

Ujë zanash do të pish, dielli përmbi lisa të të qesh
Ti si Muji do të ngrihesh, do të fshihet hëna mes resh.

Durimi m’u ul në prehër, me përgjerim më sheh në sy
E trembi terri i pafund, si i hutuar më struket në gji.

I jap kurajo, ja edhe pak, nata ikën dalngadalë tretet
Vishen malet me të bardha, me prarim kaltërohen detet.

Behu edhe Dante – i them, – shkul zemrën, bëje pishtar
Nxirri sytë territ mjeran, deri këtu, jo erzin të të marrë

Durimi m’u ul në prehër, më përgjerim më sheh në sy
E lodhi pritja e gjatë, humbi sahatin në mjegullën gri.

I jap kurajo, ja edhe pak, akrepat po prekin mengjes
Mes dritës vrullshëm të kalërosh, në zgjime me vesë.

Boll durove, durimi im, horizonti blu nuk njeh kufi
Ti si Muji rebelohu si cunam i papërmbajtur, sulu ti.

ISH EGOISTE SHUMË

Ju tregova për atë goricën e egër në kopshtin tim
Ishte egoiste shumë, s’më linte t’i afrohesha pak
E armatosur me gjembat – ushta më çakëriste sytë
Po më preke, më kercenonte, do të derdhet gjak.

Unë shpesh përpiqesha t’i thoshja fjalë të bukura
Do të bëjë hyjnëshë të ëmbël, dardhë moj, më degjo
Ajo sulej me gjembat “raketa” e s’kish pak meshirë
Të lutem, do të bëjë të lumtur, ajo, larg, mos u afro

Një ditë u mendua, iu luta prapë me dorë në zëmër
Ndofta pranvera e bindi, të ndërroj pamjen e saj pak
U zbut gorica ime, kjo mushkë e pashtruar xanxare
E zhvesha krejt, nga turpi u bë e tëra e kuqe, flakë

Dhe i vesha vellon e bardhë të nusërisë së dardhës
Akoma përbrenda më mbante inatin e saj, vallë?
Stolisej me kostumin jeshil të qepur me aq merak
Po kurorën e luleve me aromë, ah, s’e vinte në ballë.

Inatin s’e mbajti gjatë, ama këtë vit vuri kurorë
(Si ti qe me mundove aq shumë për puthjen e parë)
Tani me zgjat duart të më pëeqafojë fort, oh, sa fort
Të shkund me naze petale mbi flokë, më buzët zjarr.

Të fundit

VIDEO/ Interi nuk gabon, zikaltërit tregohen “cinikë” në shtëpi ndaj Comos

Interi vijon serinë e rezultateve pozitive në kampionat, teksa mbrëmjen e sotme mposhti Komon me rezultatin 2 me 0...

Si të shmangni shtimin në peshë gjatë festave?

Festat e fundvitit janë sinonim i tryezave plot ushqime, pijeve të pafundme dhe ëmbëlsirave joshëse, por bashkë me këto kënaqësi vijnë edhe disa kalori...

Dalin analizat për mandarinat e importuara nga Shqipëria, ja rezultatet

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka pranuar sot rezultatet e analizave laboratorike për mostrat e dyshuara për mbetje të pesticideve mbi nivelin e...

Moti i keq në vend/ Mbeten pa energji elektrike Kukësi dhe Gramshi

Moti i keq në vend ka shkaktuar probleme me energjinë elektrike. Sipas informacioneve bashkia Kukës ka mbetur pa energji elektrike. Mendohet që të jenë stakuar...

Presidenti i zgjedhur Trump përsërit thirrjen për të blerë Groenlandën

Presidenti i zgjedhur ka përsëritur kërkesën që bëri gjatë mandatit të parë që Shtetet e Bashkuara të blejnë Groenlandën nga Danimarka. Kërkesa zgjeron listën...

Lajme të tjera

Web TV