“Open Balkan”/ “Zjarr politik” Tiranë-Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shfrytëzuar një aktivitet që organizohej në Shkup për të dhënë mesazhe për Tiranën zyrtare në lidhje me marrëveshjen që u nënshkrua për “Open Balkan”.

Kurti: Para se të rrezikojmë në hapjen me të tjerët, të lidhemi fort me njëri-tjetrin. Jo drejtpërdrejt, ai ka akuzuar Ramën se po i “lëshon” dorën Kosovës.

Nga Fernada Cenko

Kyreministri Albin Kurti ka reaguar dje pas debatit të lindur për projektin “Open Balkan”. Në një reagim të tijin, Kurti thotë se Shqipëria e Kosova duhet të lidhen më parë me njëra-tjetrën, duke mos rrezikuar kështu në bashkëpunime me shtetet e tjera. Kurti ka dërguar mesazhin e tij në tribunën “Kauzat shqiptare – para dhe pas Hasan Prishtinës”, organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, pasi nuk ka qenë i pranishëm fizikisht. Dhe në këtë mesazh edhe pse në mënyrë të drejtëpërdrejtë nuk shprehet, ai ka shinjestruar kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke nënvizuar se duhet të ketë një herë bashkëpunim dhe mendim të unifikuar Shqipëri-Kosovë edhe më pas të zhvillohen disuktime me fqinjët. “Mesazhi që dua të jap është ai i të qenit pranë njëri-tjetrit, me projekte të përbashkëta, me koordinim dhe me punë. Vetëm kur të lidhemi fort me njëri-tjetrin, do të mund të hapemi me fqinjët pa u rrezikuar”, ka shkruar në mesazhin e tij Kurti, njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës. Kryeministri theksoi se asnjë politikan shqiptar nuk duhet të bashkëpunojë me krimin, ndërsa u shpreh se orientimi i shqiptarëve është perëndimi. “Kahja jonë si shqiptarë është perëndimi, aleatët tanë janë ShBA dhe BE, aspirata jonë legjitime është barazia me popujt e tjerë të Ballkanit dhe bashkimi paqësor e demokratik kombëtar, e detyra jonë më emergjente është që të luftojmë korrupsionin dhe t’i hapim rrugën zhvillimit ekonomik. Rajoni fiton siguri dhe stabilitet afatgjatë vetëm nga dënimi dhe izolimi i kriminelëve, dhe askush nga politikanët shqiptarë nuk duhet të bashkëpunojë me krimin”, tha Kurti. Kreu i Qeverisë së Kosovës tha se partnerët po ndihmojnë në luftën kundër ndikimeve negative ruso-kineze në rajon. “Kohë të mira po vijnë për shqiptarët por edhe për fqinjët tanë, sepse partnerët tanë të mëdhenj janë më të vendosur se kurrë për të na ndihmuar në luftën tonë për drejtësi e demokraci, por edhe kundër ndikimeve negative ruso-kineze në qytetet e në shtetet tona, por edhe në rajon. Jam i sigurt se shqiptarët, në të gjitha shtetet ballkanike ku jetojmë e veprojmë, nuk do ta humbim këtë moment të rëndësishëm historik”, ka thënë Kurti. Këto qëndrime të Kurtit vijnë në kohën kur po diskutohet shumë rreth iniciativës për bashkëpunim rajonal të quajtur “Open Balkan” të iniciuar nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut.

Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës nga qeveria gjermane, e cila tha për mediat e Kosovës se e mbështet iniciativën e re në rajon “Open Balkan” dhe se çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është i dobishëm dhe e rëndësishme është të jetë gjithpërfshirëse. Rama shpreh “çudi” për këtë mbështetje që figuron ndryshe siç shkruan ai nga ajo që iu thuhet njerëzve në Prishtinë e Tiranë. “”ÇUDI!” Qeveria gjermane e mbështeska Open Balkan ndryshe nga çfarë u thuhet njerëzve në Prishtinë e Tiranë prej atyre që s’pyesin për Amerikën dhe jo vetëm kaq, po kërkon nënshkrimin urgjent të marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor! Open Balkan thotë qeveria gjermane duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe po, patjetër, kështu duhet të jetë e ndaj dera është e hapur, por as nuk përfshijmë dot kënd me zor, as nuk rrimë dot të presim sa t’u mbushet mendja atyre që s’duan të kuptojnë se kjo është rruga e të ardhmes!”, shkruan Rama.

Politikani serb: Rama, Vuçiç dhe Zaev meritojnë çmimin Nobel për Paqe për “Open Balkan”

Politikani serb, Dragan Markoviç Palma propozon që Edi Rama, Aleksandar Vuçiç dhe Zoran Zaev të nominohen për Çmimin Nobel për Paqe. Tre liderët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut kanë krijuar iniciativën “Open Balkan” dhe për Markoviç kjo është marrëveshja më e rëndësishme në 70 vitet e fundit. Ai thotë se ku ka ekonomi të lidhur, nuk ka luftë dhe mbi të gjitha marrëveshja siguron paqe mes serbëve dhe shqiptarëve. “Aty ku ekonomia është e lidhur, nuk ka luftë. Marrëveshja “Ballkani i Hapur” sot siguron kalim falas të njerëzve dhe mallrave, por mbi të gjitha siguron paqe në këtë fushë, veçanërisht midis serbëve dhe shqiptarëve, dhe kjo është arsyeja pse presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrat shqiptarë dhe maqedonas verior Zoran Zaev dhe Edi Rama meriton Çmimin Nobel për Paqe”, deklaroi Markoviç. Po ashtu ai ka akuzuar kritikët e “Open Balkan” se janë ata që nuk duan paqe dhe bashkëpunim. Kurti dhe Izetbegoviç sipas tij, jetojnë ende në shekujt e kaluar. “Ai që është kundër asaj marrëveshjeje nuk është për paqe dhe bashkëpunim. Kurti dhe Izetbegović ende jetojnë në shekujt e kaluar dhe kjo i mban ata përpara. Lufta në ish- Jugosllavi përfundoi 30 vjet më parë dhe ne nuk duhet të harrojmë atë që ndodhi, por duhet të shohim se si të bashkëpunojmë”, përfundoi politikani serb.

Përplasjet me Ramën, Haradinaj: Mbrojta arat nga vëllai im

Ramush Haradinaj, ish-kryeministri i Kosovës, në një intervistë për një media kosovare, ka folur mbi përplasjet që ka pasur me kryeministrin Edi Rama, në Berlin. Haradinaj u shpreh se nuk i mbrojti territoret e Kosovës nga kancelarja gjermane, Angela Merkel apo nga Presidenti francez, Emmanuel Macron, por nga “vëllai i tij shqiptar”. “Zhgënjimi i kryeministrit Rama ose ato që i thotë sot, janë të pabazuara. Mendoj se në atë kohë ai ka qenë i rreshtuar gabim, pra për ndarjen e Kosovës, për hapjen e kufijve të Kosovës. Sigurisht që kjo ishte mjaft e rrezikshme për Ballkanin dhe do të na dërgonte në luftëra të reja. Jam detyruar t’i mbroj arat nga vëllai im, Edi Rama”, tha Haradinaj. Ditën e mërkurë, me anë të rrjeteve sociale, Rama shprehej: “Koha nuk ndalet dhe paqja nuk fitohet me mjetet e luftës. Kosova e fitoi luftën falë aleancës së pathyeshme të Shteteve të Bashkuara me fuqitë më të mëdha europiane, në mbështetje të ushtrisë së saj çlirimtare. Po a mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare dhe a mund të prosperojë kombi shqiptar, duke u ftohur e siç i themi ne, duke “i treguar babait arat”, kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a me vetë Bashkimin Europian? E kam jetuar në vetë të parë “tregimin e arave”, deri në pikën që një lider kosovar i’a futi në sy të Merkelit e Macronit, “mu nuk më han luli për kta!” dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike”.

Lexo edhe :  Dumani: Vrasja e vëllait të Arben Ndokës u porosit nga një politikan që sot është në burg

Përplasje në distancë Kosovë-Shqipëri për idenë e “Open Balkan”

 

Iniciativa “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, që Kosova e ka kundërshtuar edhe më parë. Iniciativën për “Open Balkan” e përkrahin Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe disa nga udhëheqësit politikë në Kosovë si të partive në pushtet edhe atyre në opozitë po vazhdojnë përplasjen në distancë rreth idesë për një Ballkan të hapur, apo siҫ njihet tashmë “Open Balkan”. Në një postim të gjatë në Facebook, kryeministri shqiptar Rama duke iu përgjigjur shumë komentuesve nga Kosova, të cilët e akuazuan për siҫ thonë “afërsinë e tij me Vuçiçin”, veç të tjerash shkroi edhe për refuzimin e Kosovës që të jetë pjesë e iniciativës “Ballkani i Hapur”, që deri disa javë më parë njihej si mini-Shengeni Ballkanik.

Rama mbron idenë e “Open Balkan”

Rama shkroi se kjo retorikë nuk i shërben Kosovës dhe diplomacisë së saj. “Ballkani i Hapur është jo vetëm rruga e të ardhmes për prosperitetin e kombit shqiptar, si komb europian që përkatësinë e vet e ka në Europën e Bashkuar, por është edhe një mundësi e re dhe e madhe më shumë, në rrugën drejt njohjes së Kosovës nga Serbia; sa për një nga shumë shembuj të dobisë së madhe të Ballkanit të Hapur, kush nuk do që ta kuptojë pse Ballkani i Hapur e heq më në fund kufirin mes Shqipërisë e Kosovës, le të më thotë pse nuk e kanë hequr dot deri më sot, ata që e kanë premtuar me bujë dhe pse nuk e heq dot pa Ballkanin e Hapur atë kufi, asnjë prej atyre të cilëve “nuk u han luli” për aleatët e pazëvendësueshëm strategjikë të Kosovës e të Shqipërisë bashkë, që e mbështesin plotësisht nismën Open Balkan”, tha kryeministri Rama. E për mbështetjen e perendimit për “Open Balkan”, Rama i referohet edhe qeverisë gjermane duke thënë hapur “qeveria gjermane e mbështetë këtë nismë”. Rama iu përgjigjet kritikëve, se “nuk jam tradhtar, por nuk heq dorë nga ‘Ballkani i Hapur’”.

Kundërshtime nga Kosova

Bashkëpunimin rajonal e duan të gjitha palët, por procesin e Open Balkan Kosova e kundërshton. Iniciativën për “Open Balkan”, deri tani e përkrahin vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e refuzoi bashkimin me këtë nismë, duke e cilësuar devijim të rrugës së Kosovës drejt BE-së. “Si Republikë e Kosovës, iniciativën e Novi Sadit, në ndërkohë të “mini-Shengenit”, e tash e “Ballkanit të Hapur”, e konsiderojmë si të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja se kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët si rajon, drejt BE-së dhe përçimin e këtij mesazhi ne e konsiderojmë se është më i rrezikshëm sesa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë, gjatë procesit tonë të integrimit”, ka thënë ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla. Edhe kryetarja e Grupit Parlamentar e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se “të gjitha partitë në Kosovë kanë shprehur kundërshtitë e tyre për iniciativën “Ballkani i Hapur” (Open Balkans), pasi sipas saj, kjo nismë është e “dëmshme” për faktin se Serbia është bosht i kësaj iniciative. “Për ne, absolutisht ka qenë një proces që prej fillimit nuk është mbështetur dhe e kemi konsideruar si një proces, e para paralel dhe e dyta të dëmshëm në momentin kur Serbia bëhet bosht i një iniciative, siç është rasti i ‘mini-Shengenit’ dhe (tani) ‘Open Balkan’”, tha Mimoza Kusari-Lila pas një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Si mund të evitohen keqkuptimet?

Përplasjet në distancë ndërmjet politikës kosovare dhe asaj të Shqipërisë janë kthyer në debat mes analistëve politikë. Blerim Burjani, analist politik i tha DË-së se “keqkuptimet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mund të evitohen nëse bashkëpunohet më ngushtë në fushën ekonomike”. “Ballkan Open është ide që do të duhej së pari Kosovë-Shqipëri të bisedojnë për përparësitë dhe për mangësitë e një projekti të tillë në mënyrë që të shmangeshin keqkuptimet e ndërsjellta. Edi Rama ka avancuar ne këtë ide jashtë angazhimit të Kosovës për të trajtuar fillimisht tema të kësaj natyre që nuk janë të reja dhe të panjohura për Kosovën, që dikur ishte përmend si “Ballkania”. Keqkuptimet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mund të evitohen duke bashkëpunuar ngushtë dhe sinqertë në fushën ekonomike e që një kohë të gjatë ka munguar ky sinqeritet në mes dy shteteve”, thotë Blerim Burjani. Sipas analistit Burjani, kryeministri shqiptar Edi Rama, e sheh nismën e Balkan Open si një projekt për përfitim ekonomik sesa politik. “Realisht kryeministrit Rama, nisma e Balkan Open i konvenon nga aspekti ekonomik dhe turistik, që në fakt më shumë duket turistik se sa ekonomik si interes i Shqipërisë. Raporti i tij jo i mirë me politikën kosovare, duket të jetë më shumë personal se sa ndër-shqiptar, pasi shqiptaret dhe interesat e tyre janë interesa më të gjera se sa interesat e tjera. Open Ballkan për momentin duket me shumë të panjohura në kuptimin politik, ashtu siҫ e mendon Prishtina, përderisa Tirana zyrtare e mendon puro interes ekonomik dhe avancim të lirive ekonomike”, thotë Burjani. Kosova ka premtuar, se do t’i bashkohej, “mini-Shengenit” në Marrëveshjen e Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, marrëveshje kjo, e cila në dy dokumente të ndara u nënshkrua në prani të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Në Kuvendin e Kosovës, më 6 gusht, nuk u miratua një rezolutë ku i kërkohej Qeverisë së Kosovës që të zbatonte Marrëveshjen e Uashingtonit. Gjatë votimit për këtë rezolutë, që sipas ligjeve në Kosovë, nuk janë detyruese, por shprehin vullnetin politik, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që është në pushtet abstenuan. Ideja e “mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Më 29 korrik 2021, në një forum ekonomik që u mbajt në Shkup, kësaj nisme iu ndryshua emri në “Open Balkan” dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u bënë thirrje të gjitha shteteve të rajonit që t’i bashkohen kësaj iniciative./DW/