Pas Ramës, reagon Haradinaj: Kosova të strehojë afganët dhe të jetë pranë SHBA-së

Pas kryeministrit shqiptar, Edi Rama, edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se Kosova duhet t’i strehojë afganët dhe t’i qëndrojë pranë SHBA-së.

Haradinaj shprehet se duhet qëndruar pranë Amerikës, ashtu siç ata riatdhesuan shtetasit e Kosovës nga Siria.

“Kosova të jetë vullnetare në strehimin e disidentëve afganë dhe të jetë pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu siç ishin ata pranë nesh, kur riatdhesuam shtetasit e Kosovës nga Siria!”, shkruan Haradinaj.

Më herët, për këtë çështje reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë se Kosova duhet t’i përgjigjet pozitivisht strehimit të afganëve nëse kërkohet nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.