Pano Taçi poet unik, me histori të trishtë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mexhit Prençi

1.-Janë të rrallë ata që brenda vetes të kenë vetëm vetveten, si Pano Taçi. Ai ishte Ai, Njeri e poet unik: dramatik e lirik, endacak e rrebel, sfidues i frikës. Njëzetekatër vjet hyr e dil në burgun e zi komunist, në atë Ferr me të gjallët që ishte më i tmerrshëm se Ferri i Dantes me të vdekurit. “Marrëzishtt” i ashuruar me bukuroshen e “djallushen” poezi, që herë e bënte ☺të ngjitej në qiellin e shtatë e të jetonte mrekullinë, herë e zbriste në jetën-ferr.

2.-Vëzhgimi i imtë, përceptimi e përjetimi i realitetit dhe reflektimi i tij shndrruar në realitet poetik, është qasja e duhur krijuese e poetit: njeriu, drejtësia dhe demokracia të bëhen më të përsosura me kryefjalë lirinë dhe dashurinë njerëzore, shprehur bukurpoetikisht Pano ishte Pano, – vevetja. Këto vlera i shquaj në poezitë më cilësore të librave: “Blerim i thinjur”, “Shpirt i zbathur”, “Dhe vdekja do paguar”, “Sa pak qiell”, te poema “Muzg”, drama “Flakë në terr”, etj.

 3.-Në tërësi poezitë e Taçit, kanë bërthamë dramatike, liriko-dramatike edhe tragjike. Poeti me ngjyra të ndezura shpreh poetikisht dramën, dhimbjen, vuajtjen, mjerimin, vetminë, trishtimin, pesimizmin që e kanë shoqëruar tërë jetën e tij ashtu si dhe qindramijëra bashkëkombas të tjerë. Mënyra si i sheston, strukturon dhe formëson poezitë nuk ngjet me asnjë poet tjetër, as nga përjetimi, shprehja figurative metaforike e simbolike, as nga mesazhet e guximshme, të larmishme dhe të fuqishme. Kjo shpjegohet me dy argumente: Së pari, ka përjetuar maksimalisht privimin e lirisë brenda burgut, por edhe jasht tij, ku liria ishte e kufizuar si në marrëdhënie me punën e shoqërinë ashtu edhe me krijimtarinë poetike. Argumenti i dytë: Talent i tij dhe fantazia e arsyeshme, ka shprehur me art të admirueshëm. përjetimet reale nga jeta nëpër udhët e së cilës është “zvarritur me rrasën e varrit mbi shpinë” siç thotë vargu metaforik i tij. Realja dhe imagjinarja janë ngjizur dhe mbrujtur natyrshëm me konkretësi dhe kolorit, sa nga emocioni dhe mendimi inkandeshent, lexuesi ngopet me kenaqesi estetike, artistike dhe mesazhore.

4.-Kjo shfaqet akoma më potente dhe shumëdimensionale në përjetimin e dramës së lirisë e të dhunës, asaj sociale e familjare, të dhimbjes dhe zhgënjimit. Pano e ka përjetuar thellë këtë realitet të trishtë duke i dhënë shpirt nga shpirti i tij. Me realizëm, thjeshtë e konnkretësi të poezive jepet tonaliteti emocional, koloristik, polisemantika dhe tropologjia e tekstit, çka bën që kumtet të jenë sa të fuqishme e të larmishme, aq dhe të guximshme e tronditëse. Një guxim i çartur në një realitet të egër, ku shpata e Diktatorit të Madh komunist vërtitej mbi kokat e poetëve. Disa prej tyre si: Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi, Avzi Nela etj., ishin kurbanët e komunistëve terrorristë që fantazonin armiq e vrisnin poetët për mendimet e lira.

5.-Pano Taçi ( ish-debatikas që griste flamurin fashist mureve dhe ngrinte flamurin tonë kuq e zi), i zhgënjyer nga përdhosja e ëndrrave dhe idealeve të lirisë dhe demokracisë, akuzonte me guxim të cmendur më 1956 (nga Savëri i Lushnjes në interrim.) me vargje-plumb, kolltukun, si simbol të pushtetit tiranik të Diktatatorit të Madh dhe komisarëve të kuq.

“Kush klith si hije nëpër terr / Sa pylli i dushktë gjith’ rrënqethet? / kjo klithmë kujë në mes e prerë / re kobzezë tokës i qepet./…Të vraç nënën me barrë, ç’dorë nuk do gjykohej rreptë në gjyq?… (Dali Ndreu dhe gruaja e tij shtatzëne Liri.Gega, pushkatohen bashkë me fëmijën M.P.)

/“Kush klith me gjëmë natës në terr / sa tok’ e gjaktë rrënqethet krejt / Ku mi ke shokët, im “Zot” Enver…?/ Këtu m’i ngre, këtu m’i vret!…” ( Fragment nga poezia “Një varr që mban dy varre” ).

6.-Ndërsa në poezinë Shoku “Zot”, botuar më 1961 në Tiranë, do të bënte thirrje kundër kolltukut si zgjedhë e kular në fyt të shqiptarëve.

“Kush s’shef se sot edhe më shpesh / mbi kolltuqet e mëkatarëve / bythët e majme zunë prapë lesh: / të shokut “Zot” e komisarëve. / Ngrehuni, ju o të mallkuar / o popull që më ha dhe bar. / Ju trima eunuk poshtëruar: / hoqëm një zgjedhë, vumë një kular.”

(Këto poezi dhe të tjera me këtë frymë, janë marrë nga dosja hetimore, të cilësura: “me përmbajtje armiqësore”, të cilat u përdorën si dëshmi e dënimit të poetit, më 1965.)

 7.-Temën e kolltukut, në një formë më të moderuar, e ka vënë poeti në majën e stilolapsit të trashë blu që mbante përherë me vete edhe në këto dy dekada të demokracisë duke ironizuar e satirizuar kolltukun si simbol i etjes për pushtet të disa Njëshave dhe kopesë që i ndjek pas, të cilët për kolltuk sfidojnë idealin e shqiptarëve “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, duke vënë mbi gjithçka etjen për fronin e lartë. Niçeja, do të thoshte: “Shpesh balta rri mbi fron e shpesh froni rri mbi baltë…”. Nga aventurieët dhe gangsterët ështe arratisur ideali i lirisë, demokracisë, drejtësisë dhe mirëqenies së popullit. Poeti shpërthen:

“O kolltuk të rëntë një tenjë/ kaq të ëmbël kush të gdhendi/ ulet djalli e zë rrënjë/ e s’ka vinxh ta zhgul nga vendi./ Vjen një djall, shkon një zullap / Njeri zbrit e tjetri ngjit/ Ne me gisht në gojë prapë / prapë se prapë / me lak në fyt./ Ecim e s’dijmë ku mbrrijmë / me rrasën e varrit mbi shpinë”.

(Marrë nga drama “Flakë në terr”, botuar më 2002)

8.-Si një ndër miqtë më të afërt të Panos, bashkë me Xhevahir Spahiun dhe Pandeli Koçin kemi ndjekur gjithë procesin krijues të poetit. (Spahiu ishte lexuesi e bashkëdiskutuesi i parë i poezive të tij, mbledhësi, përzgjedhësi dhe ruajtësi i tyre për shkak se “harrakati” poet edhe i humbiste; Koçi ishte redaktori i kahhershëm dhe manaxher i botimit të gjithë librave të Panos; Une, krtitku i preferuar i tij, bashkëdebatues për vlerat dhe jo vlerat e poezive edhe para edhe pas botimit të tyre). Kemi jetuar me gëzimet e hidhërimet e tij, me shqetësimet e vështirësitë, me dramat dhe vetminë e frikshme. Në situata të tilla, poezia më shumë se askush, nuk e la të dorëzohej, të rrëzohej. Përkundrazi e lironte nga streset, ankthet e makthet. Shkruante vargje edhe ditën edhe natën; në shtëpi, në rrugë, në Kafe Europa, ku kafetë ia jepte gradis pronari, adhuruesi i poezisë së tij. Pano krijonte poezi edhe kur udhtonte me motor. I klikonte në memorje, pastaj i hidhte në letër. Eh, sa kemi rrugëtuar të dy bashkë mbi atë motor. Ecte me shpejtësi midis makinash, si adoleshent. Do të të vdes ky motor i thash një ditë kur sa s’u futëm nën rrotat e një foristrade. Nuk ke frikë nga vdekja, i them. Nuk foli. Kur mbrritëm te lokali afër Varrit të Nënës Mbretëreshë, sa u ulëm, pa porositur kafenë, nxjerr një letër shuk nga xhepi dhe më lexon një poezi për vetminë. E bukur, i thashë. por rrënqethëse. Thith cibukun. Shtëllungat e tymit na mbuluan. Picirron sytë. Vështrimi ishte i tymtë. Bëri një “Ë ë ë ë…I lutem Zotit të vdes mbi motorr se dikush do të më çojë në morg… Nuk dua të vdes në shtëpi fillikat… pas një jave a muaji kufomën time do ta gjejnin të dekompozuar”. U trondita. M’u lidh goja… Nuk dija ç’ti thoja… “Je bërë krejt i verdhë, më thotë. Nuk vdes jo, s’më lë poezia.” Rrufeshëm nxjerr një poezi pornografike dhe ma lexon. U shkulëm së qeshuri. Kaluam në një gjendje krejt tjetër.

 

9.-Ky është njeriu dhe poeti Pano Taçi, si në raport me veten, miqtë, kolegët, shoqërinë dhe me realitetin. Kalon nga një gjendje në tjetrën, nga gëzimi në hidherim, nga dramatikja në komike. Poezitë e tij rrokin tema të ndryshme e motive te larmishme epike, lirike dhe satirike. Herë të integruara në njera-tjetrën, herë veçmas. Kur epiko-liriko-satirikja shkrihen, forca shprehëse e saj është shumëdimensionale, – sfiduese e fobisë, nga ata që kanë pushtet dhe atyre papushtet; sfiduese e djajve, puthadorëve, njeriut me shumë fytyra të cilët i fshikullon pa frikë e pa zori me hostenin e poezisë.

 

***

(Vitet e fundit të jetës i kaloi në një dhomë përdhese karrakatinë te Bregu i Lumit midis komunitetit rom, mbasi shtëpinë ku banonte ia rrëmbyen me marifete të babëziturit, ata që ngrejnë pallate me shumëkate.)

 10.-Pano Taçi është poet kompleks si në rrafshin e mendimit, të ndjenjës, përjetimit, dyzimit, mëdyshjeve, lëkundjeve, rënies shpirtërore apo optimizmit, ku e bukura dhe e shëmtuara, e keqja dhe e mira bashkëjetojnë e shfaqen herë veçmas, herë sëtoku, herë qartë e herë të mjegulluara e në forma të ndryshme e të larmishme, me intensitet, ritëm e dinamika të ndryeshme, çka personalja poetike është e veçantë, origjinale, e spikatur. Nga poezia “Krah dashurie” citoj: “Nëpër ethe mërzie / e me xhepat trokë / sa here urrejtja më bie / me çekan në kokë / i qep dy flatra dashurie/ e më bëhet zog”.

11.-Urretja dhe dashuria jetojnë brenda vetjes poetike. Kur urrejtja ndizet e do të shpërthejë në hakmarrje duke e goditur me çekan në kokë, zemra brenda kraharorit rreh më fort, gjaku ushqen dashurinë dhe fisnikërinë. Shuhet dalngadalë ndjenja e urrejtjes e shndërrohet në dashuri, bëhet zog, simbol i paqes, lirisë dhe dashurisë.

Nga një poezi tjetër citoj: “Mbi strall të udhës së Ferrit / Hapi i lodhur m’u gjakos / Hyr e dil te skuta e ferri t/ Shpirti i dlirë m’u burgos./ Me gurin Sizif mbi shpinë,/ Bëj të dal në Purgator./ Sa mbrrij majën, prapë më shtyn / në Ferr, e mallkuara dorë./ Hyr e dil, e s’ka të sosur./ M’u lodh këmba, dil e hyr./ Ah, ky shpirt i mavijosur / S’di përse, mendon për mirë?!”

Në shpirtin dhe zemrën e poetit nuk ka Kain.

Semantika e vargut “S’di përse, mendon për mirë?!” kur shpirti i tij është i mavijosur, nuk mund të kuptohet pa njohur njeriun dhe poetin Pano; botën e tij humane, shpirtin e madh poetik, por edhe pesimist edhe optimist, edhe absurd e kaotik, edhe i qartë e realist me zemër poeti, por gjthsesi synon për të mirën e të bukurën në sfidë me të keqen dhe të shëmtuarën, çka rrëmbimi emocional vetfrenohet e përparësi merr racionaliteti.

 12.-Edhe në poezinë liriko-komike origjinaliteti ka veçori e nuanca ku aplikohen edhe mjete të larmishm në një unitet harmonik me ato lirike e dramatike duke i dhënë poezisë së tij klasiko-realiste ngjyrime moderne. Ndërsa poezia pornografike e Pano Taçit është unikale. Që në librin e parë “Hukama e Venuesit” (botuar me psedonimin Burgim Pata) (nga “frika” qe mos a lexonte mbesësa e vogël), – suksesi ishte i menjehershëm, ndonese ishte libër i diskutueshëm. Fanatikët i lexojnë fshehtas poezitë, qeshin e aty për aty shajne poetin: “skandaloz”, “maskara”. Ca të tjere e pëlqenin librin gajaseshin se qeshuri. Ndërsa janë ca që sa marrin librin në dorë dhe lexojnë titullin, e flakin si të ishte lëndë plasëse. Por poeti as që do t’ia dinte: “Dikush – thotë Pano – e përtyp këtë gjellë që kam gatuar unë duke i hedhur edhe erëza pikante, që e ka prashitur vetë jeta përplot me tharm. Dikush do t’i vjellë meqë s’ia honeps dot mideja. Punë oreksi. Një tjetër mban dietë dhe rrezikohet po të guxojë të gëlltisë nga ç’i servir unë, përveçse të lëpijë buzët…Unë shkruaj edhe poezi lakuriqe (thotë në librin poetik “Lakuriq”), ashtu siç kanë lindur femra dhe mashkulli, pa i mbuluar me gjethe. Dua të emocionoj të tjerët. T’iu japë kënaqësi. Kush më pëlqen më pranon, kush s’më pëlqen më refuzon. Kështu jam unë, s’mund të bëhem tjetër”

13.-Taçi aq sa ishte poet lirik, hokatar e plak ashik, aq ishte poet që kultivon dramatiken e tragjiken në pjesën më të madhe te poezive, veçanërisht në poemën “Muzg” e cila është sa tronditëse aq dhe akuzuese. Britmat poetike të heroit liriko-dramatik (është vetë Pano),- janë rrënqethëse, pikëllim e dhimbje brenda vetes e jashtë saj për dashurinë e nëpërkëmbur, përdhosur, tradhëtuar e zhgënjyer. Një akuzë-pisakamë në muzg ndaj diktaturës më çnjerëzore, që e burgosi për poezinë e lirë, i gjakosi ëndrrat, rininë, i shkatërroi, familjen, jetën… Gruan… Tërë jeta e poetit ashtu si e heroit të poemës ka qenë muzg, një muzg i një nate të gjatë komuniste, të një nate të tmerrshme me ankthe, tmerre, vuajtje e mundime, duke u zvarritur si një kufomë e gjallë me dramën e lirisë, të dashurisë, mjerimit dhe zhgënjimit, që e shoqëruan në ecjen e gjatë, duke kërkur lumturinë si personazh i teatrit të absurdit.

Apologjinë e martilogjisë të jetës së trishtë dhe krijimtarisë e shprehin me gjyra te ndezuara poezitë e tij. Sipas meje Pano Taçi, është poet i elitës së poetëve të kombit Profesoret, Doktoret, Akademikët dhe Profesorët e Historisë së Letërsisë Shqipe, sipas meje, nuk kanë dalë prej steriotipisë së gjykimeve rutinore e paragjykimeve të tjera, për ta vlerësuar Pano Taçin ashtu siç e meriton si poet me personale artistike UNIKE.

 NË VEND TË KONKLUZËS

Isuf Luzaj, filozof dhe poet, në letrën që i dërgon nga Amerika poetit pasi kishte lexuar librin “Blerim i thinjur” shkruan: “Zotit Pano Taçi Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Tiranë, Albania. I dashur bashkëatdhetar, jo pak herë në jetë më ka rrjedhur loti si për fëmijën time, miq, shokë, dashamirë, atdhe dhe popullin tim, siç më dogji faqet e rrudhura dhe më kripi buzët memece, leximi i librit poetik “Blerimin”. Të paskeshe lindur Italian, emri yt do të udhëtonte nëpër shekuj me Silvio Pellicco e Giacomo, Leopardi austriak, me Rilkerin e Milton inglez; me spanjolin Kalderon; argjentinasin Borges, me Nerudën dhe francezët Hugo e Lamartin, me amerikanin Prosti. Figura jote do të udhtonte kohët nëpër enciklopeditë euro-amerikane. Vazhdo apologjinë e martirologjisë, e cila do të vlejë si Edukatë Historisë sonë fatzezë. Të përqafoj si vëlla i gjetur.

Të fundit

Të ardhurat për frymë mbeten të ulëta/Qytetarët e Kosovës më të varfrit në rajon e Europë

Qytetarët e Kosovës edhe vitin 2024 e kanë mbyllur si me të varfrit në rajon e Europë. Shkalla e...

Tërmet i fortë në Kinë, humbin jetën dhjetëra persona, shkatërrohen 1 mijë shtëpi

Të paktën 53 persona janë konfirmuar të vdekur dhe 62 janë plagosur pas një tërmeti të madh që goditi rajonin malor të Tibetit të...

Pyetjeve që Berisha nuk iu përgjigjet dot para SPAK

Mero Baze Janë së paku tre pyetje që Berisha nuk u dha dot sot përgjigje kur doli nga ndërtesa e SPAK. Pyetja e parë logjike është...

Stuhia e dëborës në SHBA, të paktën 4 viktima

Stuhia e dëborës që ka përfshirë disa pjesë të Shteteve të Bashkuara ka shkaktuar dhe 4 viktimat e para. Situata paraqitet tepër e rënduar në...

Lajme të tjera

Web TV