Dr. Artan Deljana, miku i të gjithëve

Nga Dr. Leonidha Peppo                                                                                                  (Kardiolog – Qendra Shëndetësore Nr.4, Tiranë)

Dhjetë vjet që kur Mjeksia Shqiptare humbi specialistin e mirënjohur në Ecografi kardiale

Fundgushti i para 10 viteve na solli një lajm të trishtë. Disa mjekë kardiologë e kimistë po pushonim në Gjirin e Lalzit atë të dielë gushti me vapë përvëluese, kur dr. Gëzim Hakrama mori telefonatën që sillte lajmin për ngjarjen e rëndë: Kishte vdekur dr.Tan Deljana.
Dr.Artani, nga miqtë tanë më të ngushtë kishte pësuar atak gjatë natës. Natyrisht që na pushtoi pikëllimi e dhimbja e madhe për humbjen e shokut e kolegut më të mirë. U nisëm menjëherë për t’u kthyer në Tiranë, por lajmi kobndjellës na shoqëroi me peripeci gjatë rrugës, kur na u prish makina. Megjithëse na u shpua dy herë goma, erdhëm ashtu gërmuq, pa folur për të marrë pjesë në përcjelljen e shokut tonë.

PO KUSH ISHTE ARTAN DELJANA?

Dr.Tani ishte një nga djemtë e ish-ministrit të Arsimit të kohës së Enver Hoxhës, personalitetit të shquar Thoma Deljana, që siç dihet pati dramën e asaj periudhe.
Dr.Artani i vitlindjes 1954, ishte rritur dhe edukuar në një familje të kulturuar, të arsimuar dhe patriotike. Në këtë mjedis familjaar ai krijoi profilin e tij si nxënës e student i shkëlqyer që i shërbeu vazhdimësisë edhe me vështirësitë ambjentale e shoqërore.
Pasi kreu studimet dhe u diplomua në Fakultetin e Mjeksisë, fillimisht shërbeu si mjek i Përgjithshëm në Elbasan. Dhe pikërisht atëhere kur nevojat e shoqërisë kërkonin mjekë kardiolog, ky i ri i talentuar u caktua pedagog në Fakultetin e Mjeksisë nga ku do të përgatiste studentë të së ardhmes.
Këto cilësi i evidentoi Prof.Sabit Brokaj, i cili u krijoi mundësinë mjekëve të ardhshëm të përfitonin nga njohuritë shkencore, praktike dhe teorike të Dr.Artan Deljanës. Ishin pikërisht këto aftësi dhe talenti i tillë i rrallë, që nëpërmjet ofertave ndërkombëtare Dr.Tani të specializohej, duke u bërë specialist i mirënjohur në Ecografikë kardiale. Si i tillë sherbeu me përkushtim e devotshmëri për shumë vjet në Spitalin e Tiranës por edhe në disa klinika private për të jetëzuar dijet e tij.

Lexo edhe :  15 shtator 2006 – Heshti Oriana Fallaci, gruaja që sfidoi fuqinë me penë dhe zemër

Mbi të gjitha Dr.Tani ishte NJERI SHEMBULLOR

Dr.Artan Deljana ishte jo vetëm mjeku që demostronte përsosmëri dhe përkushtim ndaj detyrës me aftësi të admirueshme, por edhe Njeriu shembullor në sjelljen e marëdhëniet me pacientët. Gjithnjë buzagaz me të sëmurët, dhe kryesorja, kurrë s’pranonte gjë nga ata. Këto cilësi ia njihnin dhe vlerësonin të gjithë kolegët dhe të afërmit e tij.
Fati i mirë e solli që të martohej me Xhildën, me profesion ekonomiste finance. Ajo i qëndroi përkrah, duke e mbështetur që të arrinte atje ku dëshëronte në karrierën e tij. Dhe këstu dr.Artan Deljana do të fitonte me meritë gradën “Doktor i shkencave mjeksore”. Ishte nder dhe krenari për kolegët një talent i tillë në shoqërinë e dijetarëve.
Edhe vajza e tyre, Mensi ua plotësoi gëzimin familjar.
Dr.Tani ishte miku i të gjithëve. Ai dinte të ndërtonte marrëdhënie shembullore…,por edhe prekej nga ndonjë pakënaqësi e të tjerëve, sidomos nga miqtë e tij të punës dhe të farefisit.
Me të organizonin herë pas here dreka e takime pune. Takimi i fundit ka qenë me prof. Mimoza Lezha në Restorant “La Voglia”.
Me nderim dhe respekt të veçantë e kujtojnë gjithmonë edhe Tani, Majlinda, Albana, Elvisi, Martina, Toni, Gëzimi, Matjani, Viktori e shumë të tjerë…