Berisha-Basha-Kim – Saga e verës që lulëzon në vjeshtë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Vitjon Nina

Të enjten e 16 shtatorit, në Parlamentit të Shqipërisë, pas më shumë se dy vjetësh bojkot, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, rreth orës 18:00, do të merrte fjalën në foltoren kuvendore, për të replikuar ndaj kundërshtarit të tij politik, Edi Ramës.

Vetëm pak minuta përpara se Basha të merrte fjalën, ish-kryeministri dhe lider historik i demokratëve, Sali Berisha, do të mblidhte një bazë dashamirësish e simpatizantësh në një konferencë për shtyp, për të replikuar me pasardhësin e tij, pasi ky i fundit e pati përjashtuar nga Grupi Parlamentar demokrat.

Rreth të njëjtës kohë, në një intervistë për Zërin e Amerikës, Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, do të bënte një dalje publike – ndër të paktat e saj.

Në të njëjtën kohë, të tre personalitetet politiko-diplomatike, do të ndanin vëmendjen mediatike të shqiptarëve.

Një skenar ky, i cili kthen kohën pas më 30 korrik. Kim, në këtë datë, me zë e me figurë, i kërkoi Lulzim Bashës të hiqte nga PD-ja Sali Berishën. Ky i fundit, qe shpallur non grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit, më 19 maj 2021.

Saga e verës politike shqiptare 2021, do të rikthehej kështu në vjeshtë, por me një skenar të ndryshuar.

Segment(K)im

Ambasadorja e SHBA-ve, ndjek një segment të qartë amerikan që prej shpalljes së Berishës non grata. Retorika e saj politike, pak ka ndryshuar që prej 30 korrikut.

Vendosmëria e shfaqur me akuzën se Berisha është i korruptuar, vijoi edhe këtë 16 shtator.

Ndërsa, Basha, u përgëzua për lëvizjen, të specifikuar edhe si “të guximshme” prej saj.

Sipas Kim, personat që janë habitur nga vendimi për Berishën, nuk janë të sinqertë. Akuzave se pse kjo lëvizje erdhi kaq vonë, ajo iu përgjigj me diplomaci, se këto procese, kërkojnë kohë.

Një segment i qartë i ndjekur nga ambasadorja, gjatë gjithë verës dhe më tutje.

Pika e vetme – e shtuar – ku ajo ndalet tjetër, është përmendja e kabintetit të ri qeverisës. Thirrjet për bashkëpunim pozitë-opozitë, kanë qenë të shpeshta nga ana e saj.

Mirëpo, këtë herë, duke folur për Qeverinë “Rama 3”, diplomatja tha se një ecuri në nivelin mesatar, nuk mjafton.

Ky konstatim i saj, u shoqërua me thirrjen se “udhëheqësit, duhet të marrin përsipër përgjegjësitë për vendimet e tyre”.

Linja berishiane

Sali Berisha, ka shkaktuar jo pak hamulli, që prej ditës kur Basha e la jashtë Grupit Parlamentar të demokratëve.

Pas tetë vjetësh thuajse në qetësi politike, tonet berishiane u dëgjuan sërish, zëlartë në media, por këtë herë, shënjestra ishte brenda rrethit.

Kreu historik i PD-së, gjatë javës së fundit, nuk e ka thënë pak herë se Basha për të, është një “broken leader” (lider i thyer). Këtë herë, me linjën e tij retorike berishiane, duke e cilësuar vendimin e Bashës si “thikë pas shpine”, ai tha se kryedemokrati, në vend të mendonte për partinë, mendoi për karrigen.

Lexo edhe :  Napoleon Bonaparti dhe shqiptarët

Qëndrimi i tij ndaj vendimit të amerikanëve, që prej 19 majit, nuk ka ndryshuar.

Padia ndaj Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, është depozituar sipas Berishës. Por çështja e tij e hapur me amerikanët, është lënë mënjanë. Rëndësi më të madhe, ka fituar retorika mediatike ndaj Bashës.

Një retorikë, që duket se nuk do të ndryshojë në kohën e afërt. Teksa mbledhjet e dashamirësve të Berishës, do të mund ta “shijojnë” atë nga pranë, në takimet që ai do të zhvillojë me anëtarë të PD-së e dashamirës.

Sidoqoftë, një mundësi reale për të rrëzuar Bashën, Berisha nuk e ka. Ose të paktën, nuk po e merr.

Parabola e Bashës

Vendimi për të përjashtuar Berishën, siç e ka deklaruar ai vetë, nuk i erdhi i thjeshtë Lulzim Bashës.

Fjalën e fundit, ai e tha in-extremis, veç 14 orë përpara fillimit të punimeve të Parlamentit të ri.

Ky i Bashës, nuk ka qenë që në fillim qëndrimi i formësuar.

Krey i demokratëve, mbeti fillimisht në qetësi mbi çështjen Berisha. Më pas, me takimin e ambasadores Kim, ai filloi të kërkonte prova konkrete nga ana e amerikanëve.

Kështu, ai i doli në mbrojtje ish-liderit historik të PD-së, karshi SHBA-ve. Por, kjo retorikë ndryshoi me kohën, pas një heshtjeje mbi një-mujore për Berishën.

E, gjithsesi, 16 shtatori i Bashës, ishte i vetmi larg sagës, por pjesë e saj.

Në foltoren e Parlamentit, Basha nuk foli për Berishën. Për Kim apo amerikanët, aq më pak.

Ai vijoi akuzat ndaj rivalit të tij politik, duke e çelur kështu sezonin e ri parlamentar. Pas mungesës dy-vjeçare në tempullin e demokracisë, Basha është rikthyer në foltore, për t’u përballur me kundërshtarin e tij.

Ndërsa të tjerë, kërkojnë në mënyrë indirekte përballjen me të.

Tre – për dy – me një

E gjithë saga nisi me një trekëndësh që fliste për emrin e vetëm të Sali Berishës. Vetë Berisha, i referohej vetes në vetën e tretë, për ta mbrojtur nga akuzat amerikane.

Me kalimin e kohës, diskursi i Bashës në mbrojtje të Berishës u zbeh. Kështu, ish-kryeministri, mbeti i vetëm përballë akuzave të Departamentit të shtetit amerikan. Vetë ai, filloi ta zhvendoste më pas linjën mbrojtëse drejt sulmit.

Ndërkohë që sulmonte Dash-in dhe specifikisht Sekretarin e Shtetit, Anthony Blinken, për padrejtësinë që i ishte bërë, akuzonte edhe Bashën për mungesë të theksuar lidershipi.

Një lidership që kreu i PD-së, të paktën deri më tani, vijon ta ruajë në Grupin e tij Parlamentar.

Ndërsa retorikën, e ka zhvendosur drejt një emri të vetëm, Edi Ramës.

Kështu, në pasditen e 16 shtatorit, ekrani u nda në tresh.

Të tre personat e një sage të përbashkët, filluan të flisnin, por ndërsa dy, qarkoren e kishin brenda trinomit, një prej kulmeve, e kishte jashtë.

Saga e verës, lulëzoi edhe në vjeshtë kështu, por më ndryshe. /Albanianpost.com

Të fundit

Ter Stegen vijon “luftën” me Barçën, nuk nënshkruan asnjë raport mjekësor

Marc-Andre ter Stegen vazhdon t’i rezistojë me vendosmëri presionit nga Barcelona dhe refuzon të nënshkruajë raportin mjekësor që klubi po...

Son prezantohet tek Los Angeles: “Nuk ishte zgjedhja ime e parë, më mbaruan energjitë”

Pas dhjetë vitesh te Tottenham, Son Heung-min mbërrin në MLS dhe tashmë po i jep flakë Los Angelesit. Sulmuesi korean është prezantuar zyrtarisht si lojtar i ri për...

Kush po e sulmon prodhimin vendas?

Nga Leonard Veizi Duket sikur jetojmë brenda një rrethi vicioz nga i cili nuk po gjejmë dot rrugë shpëtimi. Një mjegull mosbesimi, frike dhe përçmimi...

Ecuria e transportit ajror, TIA kalon për herë të parë 51 mijë pasagjerë në një ditë

Transporti ajror në Shqipëri po përjeton një rritje të qëndrueshme, si në numrin e fluturimeve, ashtu edhe të pasagjerëve. Sipas INSTAT, gjatë tremujorit të dytë...

Drafti i Kodit Penal godet gazetarinë investigative, masa deri në mbyllje të mediave

Elvin Luku Prej afro dy javësh opinionit publik shqiptar i është prezantuar një draft mbi Kodin e ri Penal. Dokumenti i punuar nga një grup ekspertësh...

Lajme të tjera

Web TV