Nga Leonard Karaj
Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim sapo u kthye nga Uashingtoni vrapoi menjëherë drejt selisë blu që “mos ftoheshin” diskutimet e bëra në DASH për Berishën dhe PD-në”. Ajo la të kuptohej se e kishte informuar Bashën për “të dhëna të reja” kundrejt Berishës. A po përgatitet një dosje hetimore ndaj tij edhe në vendin tonë?
Pikë së pari, nuk dimë nëse ka dosje hetimore në SHBA ndaj Berishës, pasi një gjë e tillë ende nuk është pohuar qoftë edhe jozyrtarisht. Vendimi “non grata” ndaj ish-kryeministrit mund të jenë (ose më mirë, është marrë) më shumë politikisht, dhe i ndikuar fort nga lobime sorosiane, të cilat kanë vënë ën shënjestër të djathtën në përgjithësi. Së dyti, më duket sa foshnjarake po edhe aq hipokrite kjo lloj skizme “alla shqiptarçe”, a thua se në DASH janë kaq të papunë sa Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe Sali Berishën ta kenë prioritet absolut. Ndaj le të bëhemi pakëz seriozë: Shqipëria është vërtet një vend i NATO-s, por krahasur me rëndësinë, është si një pikë uji në oqean për hallëmadhen Amerikë, ndaj ky entuziazëm militantesk tregon groteskun ku ka rënë shoqëria jonë.
Së treti, nëse ambasadorja Kim paskësh një dosje për Berishën, atëherë ky është një lajm shumë i keq, jo vetëm për ish-kryeministrin, por edhe për vetë Lulzim Bashën. Unë nuk besoj se PD-ja në përgjithësi dhe Basha në veçanti përfitojnë nëse ndaj Berishës ngrihen akuza penale. Përkundrazi, besoj fort se një pjesë e mirë e mbështetësve të këtij të fundit, jo vetëm që do të krijojnë një opinion tjetër ndaj Amerikës (kupto politikën amerikane), çka është vënë dukshëm re gjatë kohëve të fundit, por me gjasë do të bëhen dhunshëm kundërshtarët më të mëdhenj të Lulzim Bashës.
Të gjithë ata që mbështesin sot Berishën, do të bëjnë fajtor pikërisht Bashën, nëse ndaj ish-kryeministrit ngrihen padi penale. Dhe në këtë këndvështrim, me të tillë kundërshtarë, PD-ja nuk vjen më kurrë në pushtet, sa të jetë Basha në krye të kësaj force politike, madje edhe nëse në zgjedhjet e ardhshme voton haptazi Yuri Kim (çka është totalisht e pamundur), pro kreut aktual të PD-së.
Duhet thënë se kohët e fundit është vërejtuar njëlloj qasje kontradiktore, aspak normale për Shqipërinë dhe shqiptarët, mes opinionistësh, gazetarësh, politologësh, politikanësh dhe qytetarësh, në ndarjen e tyre mes “atyre të Bashës dhe atyre të Berishës”. Ata që janë me Bashën këmbëngulin gjithë ngulç, që Amerikës nuk i dilet kundër dhe çfarë thotë ambasadorja është gati apologjike, e parefuzueshme, e pakundërshtueshme. Ndërsa ata që mbështesin Berishës po yshten gjithnjë e më shumë drejt një urrejtje të pashpjegueshme (por të kuptueshme), sa ndaj Bashës dhe ndaj politikës totalisht një njëanshme të ambasadores amerikane.
Të parëve, atyre që hiqen si pseudo-idhtarëve pro-amerikanë, përkrahës të Bashës u duhet qartësuar fakti se asnjë forcë politike (PS-ja, PD-ja, LSI), nuk kanë ardhur asnjëherë në pushtet gjatë këtyre viteve, vetëm se kanë pasur mbështetjen e ambasadës amerikane. Asnjë. Kurrë nuk ka ndodhur dhe nuk ka sesi të ndodhë. Në të gjitha rastet kanë qenë shqiptarët që kanë votuar dhe kanë zgjedhur se kush duhet t’i drejtojë (as Yuri Kim dhe asnjë amerikan s’voton për Bashën apo për Ramën…). Ndërsa fanatikët e Berishës duket të kuptojnë se “Foltorja” e ish-kryeministrit, teorikisht është një nevojë imediate për hapjen e PD-së dhe riorganizimin e kësaj force politike, por të gjithë e dimë se moralisht vetëm Berisha nuk do duhej ta bënte një gjë të tillë, kur dihet se çfarë mbështetje i ka dhënë ai Bashës që nga dita e parë kur ky i fundit shkeli në PD në 2005-ën.
Berisha ka hapur “luftë” në shesh duke shkuar në çdo qark për të bindur bazën se Basha ka gabuar dhe se nuk do e sjellë kurrë PD në pushtet. Po dëmtohet Basha apo PD?
Po dëmtohet rëndë opozita dhe Basha njëkohësisht. Por për mua më shumë problem është kaosi që ka mbërthyer sot PD-në sesa e ardhmja e Bashës. Është absurde kur shikon sesi ky i fundit “lëshon” gjoja deputetët e tij në bazë që të sqarojnë mënyrën dhe arsyet e vendimit të marrë ndaj Berishës, dhe nuk ka guximin që këtë gjë ta bëjë vetë, në vetë të parë. Nuk e kuptoj sesi mund të bëhesh lider dhe të udhëheqësh partinë drejt pushtetit kur ke frikë të ballafaqohesh edhe me mbështetësit e tu, me anëtarët e partisë tënde(!?) Atë që bën sot Berisha do duhej ta bënte Basha.
Pra, do duhej që kryetari i PD-së të dilte në bazë në çdo cep të vendit dhe tu shpjegonte demokratëve se përse e mori atë vendim (pavarësisht nëse është i drejtë apo jo). Dhe sigurisht, nuk duhej të kishte pikën e kompleksitetit që jo vetëm të kërkonte takim publik me Berishën, por edhe të mos krijonte alibi prej “nxënësi të klasës së parë”, për refuzimin e mbledhjes së kuvendit. Është totalisht absurde, e pakonceptueshme të thuash që nuk mblidhet kuvendi, organi më i lartë vendimarrës, boshti real i një force politike, se ne gjoja, nuk diskutojmë vendimet e marra nga Amerika.
Po mirë, si është e munduar atëherë që ky “pro-amerikani i madh” që nuk diskuton vendimet e DASH, në të paktën tre raste ka qenë 100% kundër Amerikës (reforma në drejtësi, djegja e mandateve në kuvend dhe bojkoti i zgjedhjeve vendore)?! Ka qenë kjo PD me në krye Lulzim Bashën që i ka dalë të paktën 3 herë zyrtarisht kundër SHBA-ve, ndaj si mund të fshihemi sot pas gishtit dhe të themi: “ky është vendim i Amerikës dhe nuk diskutohet”.
Unë mendoj se në rast se PD-ja nuk do të mbledhe kuvendin dhe të diskutojë jo thjesht “çështjen Berisha”, të cilën për mendimin tim asqë duhet ta prekë fare, pasi është një çështje tejet personale e ish-kryeministrit, por të krijojë bazat reale të një organizimi nga baza drejt qendrës, atëherë kjo forcë politike është e destinuar që të zhduket totalisht. Imagjinoni pak, se çfarë arrogance do të ketë më pas Basha në rast se arrin që të bllokojë mbledhjen e kuvendit, duke mos lejuar debatin e brendshëm, kaq shumë të rëndësishmë në këto momente për PD-në?!
Basha ka bërë shumë gabime gjatë 8 viteve në krye të PD-së dhe ky do të ishte rasti më i mirë që ai të mund të fitonte mbështetjen edhe të kritikëve më të flaktë të tij. Por sigurisht një gjë e tillë bëhet duke treguar përulësi, qasje pozitive ndaj gjithkujt dhe lidership, gjëra të cilat deri tani Basha nuk i ka treguar në asnjë rast. Dhe është për të ardhur keq, pasi duke parë mënyrën sesi po vërtitet historia ditore në PD, atëherë ka shumë të ngjarë që Basha vërtet të mbajë me pahir vulën e kësaj partie, por ka zero shanse që ta sjellë këtë forcë politike në pushtet në zgjedhjet e 2025-ës. Zero shanse. Absolutisht zero!
Deri ku mund të arrij Berisha me këtë aksion që ka nisur?
Unë uroj që “Foltorja” e Berishës të mos jetë vetëm për të mbrojtuar gjoja dinjitetin e këtij të fundit. Të mos jetë thjesht që të largojë Bashën nga karrigia e kryetarit. Madje do ishte shumë gabim nëse qëllimet krysore do të ishin pikërisht këto të fundit. Ndaj aksioni i nisur do duhet të mos targetojë vetëm Bashën, si problemi akut, por të japë sinjalet e qarta mbi të ardhmen e afërt të PD-së. “Foltorja” nuk duhet asesi të vërë në pah direkt ose indirekt qasjen qoftë edhe aspak profesionale dhe të njëanshme të amabsadores Kim, pasi në fund të fundit, kjo forcë politike ka lindur si një parti me qasje pro-atlantike, ndaj nuk do ishte e zgjuar që tek populli opozitar të krijohet një lloj fryme anti-SHBA.
Politika amerikane përgjithësisht ka qenë dhe është me liderin e fortë, të besueshëm, me aleatin besnik. Në këtë këndvështrim duhet të jemi të ndershëm dhe të pranojmë se gjatë 8 viteve të fundit, të paktën SHBA, nuk ka parë partnerin e duhur tek Partia Demokratike. Kjo, sa për shkak të lidershipit të dobët të Bashës, poaq edhe falë punës së jashëtzakonshme lobuese të sorosianëve të Ramës. Përndryshe nuk ka sesi të justifikohet fakti që gjatë gjithë kësaj kohe politika amerikane ka qenë thuajse haptazi pro Ramës (për mendimin tim, në mënyrë tejet të padrejtë), edhe pse qeverisja e këtij të fundit ka qenë ndër më të korruptuarat, në të paktën 30 vite demokraci.
Ish-kryeprokuri Adriatik Llalla u dënua me dy vite burgim, por urdhër arresti nuk u ekzekutua pasi ndodhet jashtë vendit. Flitet edhe se mund të kërkojë azil politik në një nga vendet e BE-së, nëse i aprovohet azili a është kjo një goditje për drejtësinë e re?
Jo aspak. Për mendimintim, mjafton që drejtësia e re të funksionojë, çka do të thotë që zyrtarë të lartë të hetohen dhe të dënohen për krimet e kryera për shkak të pushtetit që kanë mbajtur, pavarësisht sesa dënohen. Personalisht mendoj se është e rëndëisshme që të krijohet ideja se askush nuk është i paprekshëm, qoftë ky edhe ish-kryeprokuror, si në rastin në fjalë.