Nga Lorenc Vangjeli
Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim sapo u kthye nga Uashingtoni vrapoi menjëherë drejt selisë blu që “mos ftoheshin” diskutimet e bëra në DASH për Berishën dhe PD-në. Ajo la të kuptohej se e kishte informuar Bashën për “të dhëna të reja” kundrejt Berishës. A po përgatitet një dosje hetimore ndaj tij edhe në vendin tonë?
Ka minimalisht dy lloj përgjegjësish që ndëshkojnë individët e profilit të lartë: mëkatet penale dhe morale. Dhe të paktën njërën prej tyre, zoti Berisha e ka me llogari të hapur. Ai është konsideruar dhe është mëkatari kryesor dhe fajtori i padiskutuar moral për deformimet e frikshme qe ka pësuar shoqëria shqiptare në tre dekada. Krizës se saj të rëndë mbas shembjes së regjimit, ju mbivendos egërsia e anarkisë e një qeverisjeje që mori shpejt tiparet e regjimit. Nga kriminelët matufë e arkaikë që ikën nga pushteti monist, pushteti në pluralizëm nisi të krijojë tipare kriminale të të gjitha natyrave. Përgjegjësi unik e parësor për një gjë të tillë ishte dhe është trashëgimtari klasik i ish-komunistëve shqiptarë, Sali Berisha. Eshtë histori e gjatë të shpjegohen detaje të rrokopujës dhe marrëzisë totale që kulmoi në 97-ën dhe që 99-shi i politikës shqiptare vazhdon të mbjellë me 97-të edhe të sotmen. Vetëm naivët nuk e kuptojnë, por fshihen mbas frazave idiote të llojit sa kilometra rrugë ka ndërtuar, a thua se Doktori shkonte në punë në mëngjes me lopatë në dorë dhe shtronte asfalt në rrugë me rul në darkë. Të njëjtën llogjikë përdorin neonazistët e sotëm kur përmendin autostradat e djeshme të Adolfit apo neokomunistët qesharakë shqiptarë që flasin për digat e Enverit duke mos kuptuar as të parët dhe as të dytët që raporti me të mirën dhe të dobishmen është shumë herë më i komplikuar, se e tashmja e ligë nuk mund të projektojë amnisti apo aq më pak, shfajësim të së shkuarave kriminale.
Dosja penale për zotin Berisha është tjetër gjë. Eshtë tjetër bindja dhe tjetër prova qe kodifikohet në kod penal, është tjetër ndëshkimi publik dhe tjetër ndëshkimi penal. Zoti Berisha ka shumë skeletë të kyçur në dollapin e tij, por ai nuk do të përgjigjet për eshtrat e të gjithëve. Ndonjëherë mjafton edhe pjesa për të tërën. Megjithatë, ngjan se goditja ndaj tij është e mundshme në një tjetër pikë. Ajo që po gatuhet në ajër dhe ndjehet në atmosferë mund të jetë përtej imagjinatës së deri pak muajve më parë. Miti i paprekshmërisë është shembur dhe është vetëm kuriozitet tani për të parë se çfarë do të ndodhë më copëzat pasardhëse. Fati vetjak i zotit Berisha, i ngjitjes së tij të pabesueshme që kur zbriti nga malësia e Tropojës 60 e ca vjet më parë në ultësirën e Tiranës, lartësia marramendëse ku hipi dhe pritja për t’u zhytur aty ku herët a vonë kanë rënë pothuaj të gjithë politikanët e rëndësishëm të Shqipërisë, është kujtesë për të kuptuar sa i përkohshëm është shkëlqimi i pushtetit dhe sa i rëndësishëm është largimi në kohën e duhur. Berisha nuk e bëri sepse nuk e pa pushtetin si mjet për qëllime të mbara, por e rrëmbeu dhe mbajti me çdo mjet, si qëllim në vetvete. Në këtë kuptim, ambasadorja e sapokthyer nga Uashingtoni me shqiponjën e artë në xhaketë, pavarësisht sharmit të elokuencës së saj, nuk tha më shumë sesa shumica e shqiptarëve duan dhe dinë. Autoriteti i saj noterizoi me vulë besimi amerikan të vërtetat shqiptare të zotit Berisha. Madje më shume se kaq, ambasadorja Kim duhet parë si parashikuese e fatit të keq të mëkatërëve të tjerë të shumtë, që shkëlqejnë vetëm në pushtet. Ngjan se rrota e fatit kësaj here ka rënë në anën e Shqipërisë, e cila e vetme është e pafuqishme për të dënuar “bijtë” e saj “etër të kombit”, që shpesh janë sjellë me të më keq se armiqtë më të egër të saj.
Berisha ka hapur “luftë” në shesh duke shkuar në çdo qark për të bindur bazën se Basha ka gabuar dhe se nuk do e sjellë kurrë PD-në në pushtet. Po dëmtohet Basha apo PD?
Metafora që përdori zoti Berisha për të shpjeguar turin e tij ishte e mrekullueshme. Ai tha se mëkatet e zotit Basha do të zgjonin edhe të vdekurit nga gjumi. Edhe ndjesa e tij që ka imponuar pasardhësin në politikë e pushtet, ishte zgjedhje e mençur. La pa thënë vetëm se çfarë ka bërë ai në këto tetë vjet së paku, dhe sa e thellë ishte letargjia e tij që nuk ka parë e nuk ka dalluar se çfarë ka ndodhur në Tiranë. Në fakt zoti Berisha nuk ishte në letargji. Atij thjesht nuk i interesonte të bënte ndryshe dhe për të kuptuar se çfarë po ndodh tani, ky çift duhet parë si një binom individësh që janë prishur në pazar. Është shumë më shumë se një hall sedre që Berisha të dalë rrugëve pikërisht tani. Njeriu që i mbijetoi si askush tjetër kurtheve që një vend si Shqipëria ngre pafund ndaj individit, njeriu që ngriti karriera nga hiçi për të tjerë dhe çoi në hiç karriera të merituara të të tjerëve, e sheh veten si sovjetiku Juri Gagarin: ishte njeriu i parë që doli në hapësirë dhe humbi në një aksident banal në tokë. Por qoftë dhe formalisht, këtu Doktori gabon. Atë nuk e vrau Lulzim Basha, siç e vajtojnë pasuesit dhe siç mendojnë kritikët e të dyve: Berisha është vetvrarë pak nga pak që nga ditët e para të pluralizmit kur sillej si komunist feudal në krye të PD-së e deri në momentin kur nuk diti të kontrollojë instiktin e mbrojtjes se krijesave të tij. Sikur t’ja kishte dorëzuar fatit, qoftë dhe hipokrizisht e përkohësisht dy bijtë e tij, njërin drejtësise dhe tjetrin disfatave vetjake, sikur të kishte mundur të ikte kur duhej, ai do të qendronte akoma. Edhe pse nuk do të duhej ta bënte.
Deri ku mund të arrijë Berisha me këtë aksion qe ka nisur?
Kush ka menduar që Basha ka qenë peng i Berishës, bën gabimin që kanë lënë të kuptohet se është kështu edhe njëri, edhe tjetri. Ka së paku katër vjet që Berisha është peng i kryetarit të PD-së dhe jo e kundërta. Ndjekja e gjurmëve të parave dhe interesave financiare e dëshmon një gjë të tillë. Pafuqia e Doktorit për të ndrequr pozitën e tij dhe për t’i bërë mirë vetes, është prova e pistoletës që tymon, por edhe pse koburja doli nga brezi i Bashës, nuk qëlloi ai. Që nga momenti që Basha shqiptoi ndëshkimin për Doktorin, ai nuk ka bërë asgjë rishtaz për të frymëzuar sagën e Doktorit. Ai është po aq fajtor sa ka qenë për humbjet e njëpasnjëshme në zgjedhje, drejtimin autokratik të partisë dhe rrudhjen e saj, por nuk ka faj në përzënien e Doktorit. Të gjitha këto Berisha i dinte dhe i pranonte më parë, por nuk reagonte. Kur pa se e përzunë edhe më me pak stil sesa Majlindën, kuptoi qe e kishin braktisur në bregun tjetër të historisë dhe u zgjua.
Tani kjo është lojë e mbyllur. Mëkati i vetëm që mund t’i llogaritet si i ri Bashës është që ai nuk ishte në gjendje që të bënte një akt të dyfishtë: të bashkëlargohej me Doktorin. Por është e kotë t’ja kërkosh një akt të tillë moral një njeriu që ka hesape të tjera.
Lulzim Basha ka të drejtë dhe nuk është vetëm edhe në këtë vjeshtë vetmie. Për paradoks, miqtë e tij janë në rradhët e atyre që deri dje i kërkonin kokën fiks se pse nuk largonte Doktorin, që është i humburi i madh i një valleje, të cilës ja çau vetë daullen. Maksimumi Berisha mund të vazhdojë edhe pak vallen e shpatave me Bashën, mund ta tërheqë nën ujë edhe atë, por ai vetë është i mbytur dhe nuk del dot më në sipërfaqe. Madje do të zhytet më thellë nëse mbas pak ditësh, demokratë të zemëruar, mes tyre edhe shumë idealistë e besnikë, do të mblidhen në mënyrë “spontane“ tek selia për të përzënë kryetarin e PD-së. Tani tempujt nuk janë te besimtarëve, tani ato ju përkasin tregtarëve.
Ka dhe diçka tjetër që i komplikon gjërat e lidhura me fate individuale në fshatin e vogël, cinik e shpesh qesharak shqiptar. Zhvillimet e papritura në veri të Kosovës, spiralja e rrezikshme e luftës së nervave mes shqiptarëve dhe serbeve, ballafaqimi me helikopterë që fluturojnë në ajër dhe blinda që i marrin në shënjestër nga toka, janë tmerrësisht serioze për t’u anashkaluar e mbuluar me sherr shqiptaro-shqiptar. Aftesia e pabesueshme dhe tragjike e racës sonë që humb në paqe nga marrëzia atë që fiton me gjak në luftë, është klithma që duhet të kujtojë sa vulgare është gjithçka që krijon ndarje në Tiranë apo Prishtinë mes shqiptarësh apo edhe më keq akoma, krijon diferenca mes Tiranës dhe Prishtinës. Është momenti për të reflektuar sesa e rëndësishme është paqja me çdo kusht mes shqiptarësh kur përballë tyre “improvizohet” rishtaz armiqësia e vjetër me të tjerë.
Ish-kryeprokuri Adriatik Llalla u dënua me dy vite burgim, por urdhër arresti nuk u ekzekutua pasi ndodhet jashtë vendit. Flitet edhe se mund të kërkojë azil politik në një nga vendet e BE-së, nëse i aprovohet azili a ësthë kjo një goditje për drejtësinë e re?
Ditët që lejojnë ende dorëzimin vullnetar të ish-prokurorit janë në mbarim. Ai do të shpallet në kërkim ndërkombëtar në një botë që sot është tmerrësisht e vogël për t’u fshehur. Nëse nuk ndodh kështu, përpjekja e tij për azil politik është e kuptueshme si rruga e vetme qe i mbetet. Por edhe dhënia dhe refuzimi i tij do të jetë një akt politik i vendit ku do të trokitet. Hungaria, Polonia apo Cekia, ndoshta, janë tre destinacione ku zoti Llalla do të mund të kishte shanse të presë me shpresë se duke u bërë më keq, fati i tij mund të përmirësohet disi. Ndërkohë do të ndodhin të tjera hatara në Shqipëri dhe pakkush do ta kujtojë njeriun që premtonte arreste çdo shtator dhe përfundoi vetë i dënuar penalisht në këtë shtator të fundit.