Rikthehen vizat? Gjermania e Franca udhëheqin përpjekjet për pezullimin e lëvizjes së lirë me Shqipërinë (Dokumenti)

Kërkesa për azil dhe shkelja e rregullave të qëndrimit në BE në kuadër të lëvizjes së lirë ka ndezur zërat për pezullimin e regjimit të lëvizjes së lirë edhe për Shqipërinë.

Një dokument i brendshëm i Bashkimit Europian, i përgatitur nga presidenca sllovene, e që mban datën 27 shtator, një ditë para se Ursula von der Leyen të niste turin e vizitave në Ballkanin Perëndimor thotë se Gjermania dhe Franca po udhëheqin përpjekjet për rikthimin e vizave me disa shtete, përfshirë këtu Shqipërinë.

Në diskutime është përfshirë edhe Italia, që ndonëse jo aq e zëshme sa Franca e Gjermania mbështet idenë e pezullimit të këtij regjimi. Shqetësimi i këtyre vendeve është i njëjtë; shkelja e afateve 90-ditore të qëndrimit në BE dhe kërkesat e pabazuara për azil.

Bashkimi Europian ka në fuqi një mekanizëm për rikthimin e regjimit të vizave dhe aty parashikohen edhe rastet konkrete. Si kusht është rritja me 50 për qind e qëndrimeve të parregullta, ose përqindja e ulët e pranimit të kërkesave për azilkërkim. Të dyja këto kushte plotësohen nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Ukraina dhe Gjeorgjia.

Në dokumentin e brendshëm, Gjermania vlerësoi si më problematike kryesisht Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën, ndërsa identifikon edhe Shqipërinë dhe Serbinë mes 10 vendeve më problematike sa i takon kësaj çëshstje.

Gjermania thotë se ka regjistruar një rritje në shkeljet e afateve të qëndrimit nga shtetasit shqiptarë, moldavë dhe ukrainas, pavarësisht se vitin e kaluar këto shkelje ranë lehtë për shkak të pandemisë.

Dokumenti / Gjermania e Franca udhëheqin përpjekjet për

Franca, Holanda dhe Danimarka janë gjithashtu të pakënaqura me Shqipërinë dhe Gjeorgjinë. Sipas dokumentit të Presidencës sllovenn, vendet anëtare përmendin shembuj të shumtë abuzimi me lëvizjen e lirë dhe kërkesave të pabazuara për azil që mbërrijnë kryesisht nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Ukraina e Gjeorgjia.

Lexo edhe :  Zgjedhjet e Tiranës, zbulohet data kur Rama mbledh strukturat e partisë

Franca posaçërisht, thuhet në dokument, është ankuar për kërkesat e azilit të mbërritura nga Shqipëria. “Ne ndajmë vlerësimin e Komisionit Europian se posaçërisht në rastin e Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, për të cilat liberalizimi i vizave ka shkaktuar një rritje të madhe të migrimit ilegal dhe kërkesave të pabazuara për azil në Francë”, citohen autoritetet franceze.

Republika Çeke dhe Belgjika kanë shprehur shqetësim për rritjen e madhe të azilkërkuesve nga Maqedonia e Veriut dhe Moldavia. Ndërkaq, Austria ka shprehur shqetësim edhe për ardhjen e shtetasve të Bangladeshit në vendet e Ballkanit Perëndimor të cilët më pas hyjnë në shtetet e BE-së.

Presidenca sllovene nuk e ka komentuar deri më tani këtë dokument.