Në një ceremoni shtetërore u mbajtën homazhe në nder të Dëshmorit të Atdheut, nënkomisar Saimir Hoxhës. Zbulohet video që filmoi momentin e vrasjes. Gjithçka ndodh brenda pak kohësh, sapo policia ndalon mjetin ku udhëtonte autori i krimit 21-vjeçari Aldi Rama.
Ende pa u hedhur dheu mbi arkivolin e Dëshmorit të Atdheut, nënkomisarit të policisë Saimir Hoxha, dolën edhe pamjet e fundit të jetës së tij, në operacion për të ndaluar tre të dyshuar. Një kamera e vendosur në Lagunën e Vainit për të monitoruar shpendët dhe gjallesat e tjera në Ishull Lezhë, ka fiksuar momentin e operacionit dhe më pas vrasjes së 44-vjeçarit Hoxha në krye të detyrës. Fillimisht shfaqet fuoristrada e policisë ku ndodheshin tre efektivët, shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë Leonard Palushi, oficeri i policisë kundër krimit Saimir Hoxha dhe specialisti i zonës Petrit Doda. Në vetëm një minutë dhe 35 sekonda ndodh e gjithë ngjarja që u mbyll me jetën e humbur të efektivit të policisë dhe më pas edhe autori i krimit pas disa orësh vrau veten duke mos pranuar që të dorëzohej.
Ngjarja
Tre efektivët zbresin nga mjeti dhe shohin që një automjet po vinte pas tyre dhe i bënë shenjë që të ndalonte, pasi vetëm 500 metra larg sapo kishin asgjësuar një arë me kanabis dhe dyshuan se personat mund të ishin kultivuesit. Mjeti ku udhëtonin tre të rinjtë ndalon dhe dy prej tyre, shoferi dhe pasagjeri që gjendej në vendin e parë zbresin, ndërsa i riu tjetër, Aldi Rama qëndron brenda mjetit në sediljen e pasme. Në pak sekonda afrohet nënkomisari Saimir Hoxha dhe i bën thirrje që të zbresë nga mjeti dhe japë dokumentin e indentifikimit. Sipas dëshmive, Rama është përgjigjur” “Nuk jam për tu kontrolluar” dhe në atë moment ka qëlluar me armë dy herë në drejtim të nënkomisarit Hoxha i cili edhe pse me dy plumba në trup tenton të largohet, por bie në tokë vetëm tetë metra nga vendi ku u qëllua.
Vetëvrasja e autorit
Pas disa orë ndjekjeje të autorit, duke përdorur dronë, qentë e kërkimit, si dhe helikopterin, është bërë i mundur lokalizmi i vendit ku fshihej autori i dyshuar i ngjarjes dhe konkretisht në afërsi të argjinaturës në Lagunën e Vainit. Forcat special Renea dhe FNSH kanë bërë rrethimin në një perimetër të gjerë të vendit, ku fshihej autori i dyshuar i ngjarjes dhe i kanë bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për rreth 45 minuta që autori të vetëdorëzohej. Shtetasi Aldi Rama nuk i është përgjigjur thirrjes për vetëdorëzim, por ëhstë vetëplagosur në kokë me armën tip TT, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. “Në afërsi të vendit ku u gjet i vetëplagosur autori, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë provës materiale një gëzhojë model 54 e kalibrit 7.62 milimetra si ato që përdorin pistoletat TT”-thuhet në njoftimin e policisë. Autori i vetëplagosur është transportuar me barelë menjëherë deri në vendin e quajtur “Postblloku i Zonës së Mbrojtur Kune Vain”, pasi ka qenë e pamundur futja e autoambulancës në vendngjarje, për shkak të terrenit. Më pas është dërguar në Spitalin Rajonal Lezhë me autoambulancë dhe më vonë nga autoritetet spitalore është dërguar për ndihmë mjekësore më të specializuar mjekësore në Spitalin e Traumës Tiranë ku edhe humbi jetën.
Homazhe nga Rama, Meta dhe Basha
Kryeministri Edi Rama ka folur pas homazheve të mbajtura në nderim të nënkomisarit Saimir Hoxha që u vra dje në krye të detyrës. Rama tha se është një çast i rëndë për të gjithë dhe i shprehu ngushëllimet familjes dhe kolegëve të tij. Ai theksoi se mbështetja financiare nuk e kompenson boshllëkun për familjen, por detyra e shtetit është që fëmijët e dëshmorëve që japin jetën në krye të detyrës të mos mbeten vetëm, por të ndihen deri në fund të mbështetur, të përkrahur dhe të inkurajuar për të hyrë në rrugën e jetës së tyre duke qenë krenarë jo vetëm për prindin, por edhe për shtetin. “Padyshim që është një çast i rëndë për të gjitha forcat tona të policisë së Shtetit. Patjetër edhe për shoqërinë dhe për shtetin, por mbi të gjitha për familjen dhe duke i shprehur ngushëllimet vëllazërore familjes, duke i shprehur ngushëllimet më të ndjera gjithë kolegëve që e kanë njohur nga afër këtë dëshmor të ri të atdheut, por edhe të gjithë punonjësve të policisë, e shoh të udhët të bëj me dije se qeveria ka vendosur sot mbështetje financiare të konsiderueshme për familjen, por njëkohësisht me të hyrë në fuqi ligji i përcjellë në parlament pas mbledhjes së parë të qeverisë për fëmijët, fëmijët e të ndjerit do të marrin 170% të pagës së tij deri kur të arrijnë moshën e pjekurisë”-tha ndër të tjera kreu i qeverisë. Ndërsa edhe kreu i opozitës Lulzim Basha mori pjesë në homazhe dhe shprehu ngushëllime për familjarët.