Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është gati t’ju bashkohet protestave të qytetarëve për rritjen e çmimit të energjisë dhe karburanteve. Ai tha se do ti nxisë qytetarët të dalin në protesta duke i përkrahur më pas PD. Kjo shihet edhe si “gjetje politike” e kreut demokrat për të zbehur konfliktin e hapur me Berishën.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka nisur “aksionin” e parë duke hyrë në Kuvend pas zgjdhjeve të 25 prillit dhe vetëm ditën e djeshme ai ngriti kauzën për të dalë në protestë dhe për t’ju bashkuar qytetarëve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Pas mbledhjes së grupit parlamentar, Lulzim Basha doli para mediave, duke mos u treguar i drejtëpërdrejtë, por la të kuptohej me shprehjen “Nxisim e përkrahim të gjitha format e reagimit popullor”, për të treguar se PD është e gatshëm t’i bashkohet çfarë do lloj proteste që ka të bëjë me “dëmin” që i vjen qytetarit nga politikat qeverisëse. Kryedemokrati në këtë mënyrë ka një mundësi për të dalë nga zyra dhe provuar veten edhe në elektoratin e djathtë ku forca e numrave matet edhe nëse do i binden ose jo thirrjes për të dalë në protesta. Gjithashtu mbetet një mënyrë për të zbehur disi nismën e Berishës që kërkon largimin e Bashës dhe mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së.
Duke marrë shkas nga paralajmërimi i kryeministrit se pritet rritje e energjisë elektrike si shkak i tregut botëror, Basha renditi disa dështime që sipas tij vijnë nga keqeverisja e vendit. Lulzim Basha, tha se rritja e çmimeve në tërësi dhe paralajmërimi për rritjen e çmimit të energjisë, është pasojë e dështimeve të qeverisë Rama dhe jo për shkak të zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare. “Të gjithë jemi dëshmitarë që çmimi i energjisë dhe karburante ndikon te biznesi i vogël dhe ai familjar. Të gjithë e dimë që kjo ndikon te gjithçka tjetër. Duhet të kujtoj se Edi Rama e premtoi uljen e çmimit të energjisë, kur në fakt e rriti. Dhjetëra kryefamiljarë kanë vrarë veten në qelitë ku janë plasur nga Edi Rama për shkak të rritjes së çmimeve nga Edi Rama”, tha kryedemokrati Basha. Sipas tij, jemi vendi i katërt sipas raporteve ndërkombëtare ku pjesa më e madhe e buxhetit shkon për energjinë elektrike dhe karburantin. “Nuk po na vjen për shkak të tregjeve ndërkombëtare, por e dështimeve të tij, të vendimmarrjes së tij gjakftohtë, por kriminale”, tha kreu i PD-së pas mbledhjes me deputetët e grupit parlamentar.
Propozimet
Kryedemokrati Lulzim Basha tha se përballë kësaj situate, opozita ka bërë disa propozime. “Do të bëjmë gjithçka për të ndalur këtë fatkeqësi të re që Edi Rama po përgatit, këtë sëpatë për qafën e holluar të shqiptarëve. Do të fusë duart në xhepat e shqiptarëve për të mbyllur gropën e korrupsionit. Por nuk mund të mbushet duke u marrë qindarkat e fundit shqiptarëve. Ka vetëm një mënyrë, që paratë e zhvatura me koncesione, PPP e tenderë korruptivë, të shërbejnë për të plotësuar hapat që ne kemi propozuar”, tha Basha. Kryedemokrati Lulzim Basha ka shtruar edhe një pyetje për shefin e qeverisë Edi Rama. “Pyetja shtrohet se çfarë u bë me reformën e energjisë? Ku shkuan paratë e vjelura të qytetarëve, apo gjoja të mirëadministraura”, tha krydemokrati duke shtuar se, “Ne e dimë se çmimi i energjisë u rrit dhe çmimi i karburantit u rrit dy herë, si një nga çmimet më të shtrenjta në rajon. Këto janë fakte që i di gjithkush”. Ai tha se shqiptarët kalojnë kufirin për Kosovë dhe Maqedoni vetëm për të blerë karburantin e lirë. “Është fabul, një anekdote se si në zonat kufitare kalojnë dhe blejnë karburant në Kosovë apo Maqedoni. Kjo është pasojë e keqqeverisjes së tij, e vendimmarrjes së tij gjakftohtë kriminale. Paratë që duhet të çonte për uljen e energjisë i ka marrë dhe ka pasuruar veten e tij dhe një grup oligarkësh që janë pjesë e thellimit të vjedhjes dhe problemit”, tha Basha.
Rritja e çmimit të energjisë/ Salianji: Plani me 7 pika, zgjidhja e duhur për qytetarët
Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, nga Korça tha se plani me 7 pika i paraqitur nga PD, është zgjidhja e duhur që qytetarët të mund të përballojnë jetesën, pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi rritje të çmimit të energjisë elektrike. “Energjia elektrike edhe sot e kësaj dite është pothuajse e papërballueshme për një pjesë të madhe të qytetarëve shumë qytetarë siç kemi treguar familjet e tyre janë pa energji ju është prerë për shkak të mospagimit të faturave pavarësisht se kanë vetëm dy llamba dhe asnjë pajisje tjetër ndërkohë që qeveria edhe në program ka premtuar që do të ulte çmimin energjisë. Gjithçka po shkon për keq për qytetarët por për qeverinë po i shkojnë gjërat për dreq dhe ne do të bëjmë gjithçka për të qenë pranë tyre në çdo formë rezistence. Plani prej 7 pikash që ka përgatitur partia demokratike dhe kryetari i saj ne mendojmë që është zgjidhja e duhur për të bërë të mundur të paktën përballimin e jetesës në kushte minimale dhe të mbijetesës në fakt të shumicës së qytetarëve shqiptarë”, tha Salianji. Nga Korça, Salianji u shpreh se PD do të ndërmarrë çdo lloj forme reagimi, duke mos përjashtuar as protestat. “Ne nuk përjashtojmë asnjë gjë, do të nxisim çdo formë reagimi dhe do të kemi çfarëdo lloj rezistence bashkë me qytetarët që të mos preket kafshata e përditshme edhe vaktet të cilat edhe sot siç besoj e keni parë shumica e familjeve nuk arrijnë t’i plotësojnë”, u shpreh ai. Në lidhje me publikimin e lajmeve për një përplasje me deputetin Edmond Spaho, Salianji nuk e mohoi, por u shmang duke thënë se në këto momente, fokusi duhet të jetë te qytetarët. “Gjithçka ka të bëjë me çdo interes apo marrëdhënie me njëri tjetrin pa diskutim që në këto momente s’është në interesin e publikut. Ata që s kanë para për të paguar faturat apo për të siguruar vaktet e fëmijëve nuk kanë këtë në fokus”, u shpreh ai.