Recension për romanin e famshëm “Ëndërr”
Një nga kryeveprat e letërsisë psikologjike, me ndikim nga teoria e Freudit është padyshim romani “Ëndërr” i autorit austriak Athur Schnitzler, i përkthyer me këtë titull nga Afrim Koci, emër i njohur në fushën e përkthimeve. Ky roman i hershëm i fillimshekullit XX është i strukturuar me mjeshtëri narrative nga Schnitzleri, njëherit dhe mik i themeluesit të psikanalizës, Sigmund Freudit.
Lideri nazist Adolf Hitler i quante “ndyrësi hebraike” disa libra dhe kështu niste gjurmimin e më pas likuidimin e autorëve të tyre. Edhe Schnitzleri kishte origjinë hebreje; guximi i tij intelektual është i jashtëzakonshëm, ai vendos që në veprën më madhore (ani pse jo me volum) të trajtojë tema të diskutueshme si seksualiteti, nudizmi, antisemitizmi – që do t’ia vënë stampën e të qenit autor i papërshtatshëm. Schnitzleri u etiketua si pornograf, e prishës i moralit. Sidoqoftë, romani i famshëm “Ëndërr” trajton anën psikologjike dhe rrjedhën e ndërgjegjes së njeriut. Kemi të bëjmë me një romancë, por jo nga ato romancat bajate të njëtrajtshme; te “Ëndërr” plekset ndikimi/frymëzimi nga romantizmi por autori me mjete artistike moderne si introspeksioni bën eksplorim surreal të kufirit mes realitetit dhe iluzionit te historia e personazheve kryesore.
Në librin e tij “Psikologjia e turmave”, Freudi, teksa flet për hipnozën, shprehet se “hipnotizimi është objekti i vetëm, në krahasim me të cilin asnjë objekt tjetër nuk llogaritet. Fakti që te uni jeton një ëndërr, ajo që hipnotizuesi kërkon e afirmon, na kujton se kemi harruar pa përmendur që krahas funksionieve të unidealit, kërkohet të bëhet edhe prova e realitetit”. Pra, ç’t’i bëhet prirjeve seksuale? Tërheqjeve hipnotike që njerëzit kanë për njëri-tjetrin? Luftës me vetveten, me pasionet, frikët dhe realitetin? Ky konglomerat përjetimesh haset tek personazhet e këtij libri që më vonë do të ekranizohet nga regjisori i mirënjohur Stanley Kubrick, me aktorët Tom Cruise e Nicole Kidman, për t’u bërë njëri ndër filmat më të shikuar e komentuar.
Tani t’i kthehemi librit. Kemi doktorin Fridolin dhe gruan e tij Albertinën. Ata kanë një vajzë të vogël që e adhurojnë. Një mbrëmje ulen dhe në një çast hipnotik të përzier me sinqeritet nisin t’i rrëfejnë njëri-tjetrin përjetimet e tyre dhe ndjenjat e ndrydhura. Albertina qe tërhequr fort në plazhin danez nga një i ri biond kur këta kishin qenë për verime, kurse Fridolini nga një vajzë shumë e re, e brishtë, nga e cila gati sa “s’i kishte rënë të fikët”. Fantazitë seksuale të këtij çifti hapërdahen, megjithëse janë të vetëdijshëm për lëndimet që ia shkaktojnë njëri-tjetrit; Fridolini është i trazuar. Natyrisht dhe xheloz. Ai vihet në kërkim të aventurave, herë me njëfarë egërsie, herë i ftohtë dhe i butë – në kërkim të femrës së përjetshme – asaj që më vonë në një këngë solisti i Led Zeppelin, Robert Plant, i këndon me vargjet: “Po kërkoj ta gjej gruan që nuk ka lindur kurrë…” Nachtigall, një mik i vjetër i Fridolinit e fton t’i bie pianos në një ballo me maska të fshehtë në shoqërinë e lartë – aty ndodh historia me gruan misterioze që sakrifikohet për të kur ky zihet ngushtë nga ca burra tjerë në ballo dhe degdiset jashtë. Zonjusha Mariana që dikur ia pati pranuar se “e dashuron”, më s’shfaq interes për të, prostituta e re me të cilën pati kaluar ca çaste s’është më, – gruaja e ballos që dyshon se është e njëjta, ajo që është vrarë, siç e ka lexuar në gazetë nuk identifikohet dot. Kështu mbaron historia ëndërrimtare/surreale e këtij burri delikat; ai i kthehet Albertinës; megjithatë s’mund ta urrejë edhe pas ëndrrës së frikshme që ajo ia tregojë ku ky ka vdekur e është torturuar. Kjo është me pak fjalë historia e këtij çifti interesant, mes së cilëve shtrihet tisi i ëndrrës. Ky roman është vlerësuar si kritik për jetën martesore borgjeze, përshkrim i shoqërisë vjeneze të kohës, një trill psikologjik që zhbirilon ëndrrat, gjegjësisht natyrën e ëndrrave dhe funksionimin e tyre brenda pasioneve, dëshirave, fantazive seksuale, frikës e tundimit të psikikës njerëzore.