Qeveria do të marrë borxhe për 10 vjet me eurobond, por ndërkohë edhe do të investojë në sektorin energjetik por edhe në procesin e rindërtimit për qytetarët që u preken nga tërmeti i 26 nëntorit.
Këshilli i Ministrave ka vendosur dje se vendi do të dalë në tregun ndërkombëtar në fillim të nëntorit me eurobond 700 milionë euro. Ky borxh do të shlyhet nga 7 deri në 10 vite dh do të përdoret për disa sektorë. Ndërsa data e saktë se kur do të dilet në treg nuk është vendosur pasi do të shihen normat e interesit. Gjithashtu një tjetër vendim i qeverisë ishte edhe kalimi në pronësi të plotë të qytetarëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Shpërndarjet e para do të bëhen nga 20-26 nëntorit ku 1050 apartamente dhe banesa individuale u kalojnë qytetarëve. Familjet në nevojë do të jenë të parat që marrin banesat, ndërsa shpërndarja e të tjerave do të bëhet me short publik. ”Sapo filloi procesi i kalimit të shkollave në pronësive të bashkive pas përfundimit të një numri të madh të shkollave të rindërtuarave që i kalojnë bashkive për mirëmbajtje dhe administrim në vazhdim. Ky muaj do të jetë muaji i rëndësishëm për rindërtimin. Në vigjilje të dyvjetorit të tërmeti ne kemi procesuar për të kaluar në pronësi të plotë të qytetarëve shtëpitë e rindërtuara, njësitë individuale dhe apartamente. Do ndiqen dy korsi për shpërndarjen e tyre. Një është lista prioritare ku trajtohen familje në nevojë. Për këto familje shpërndaja bëhet menjëherë, ndërsa për pjesën tjetër shpërndarja do të bëhet me short publik. Vetëm me 20-26 nëntor do të shpërndahen 1050 apartamente dhe njësi individuale. Deri tani janë shpërndarë vetëm nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit 1100 njësi individuale dhe mbi 800 grante për familjet e dëmtuara nga tërmeti”, tha Arben Ahmetaj. Gjithashtu dje u vendos marrja e një granti nga Gjermania për zhvillimin e qëndrueshëm rajonal duke nxitur punësimin dhe arsimin profesional, si dhe krijimi një asgjësie së sigurimit të cilësisë dhe shërbimeve të kujdesit shëndetësorë, që do të merret me edukimin dhe trajnimin e profesionistëve të shëndetit.
Investimet
Në mbledhjen e qeverisë ka kaluar projektligji për shpronësimet për dy linjat 110 kilovolt dhe 220 kilovolt. Kjo u bë me dije nga Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Në një kohë ku qeveria i ka ndaluar investimet OSHEE dhe OST, Balluku tha se investimi për dy linjat është kritik. Po ashtu Balluku tha se Këshilli i Ministrave mori vendimin për ofrimin e garancisë sovrane për të vënë në dispozicion të sektorit energjetik 10 miliardë lekë. “Kemi patur një sërë projekt vendimesh, ato të energjisë dhe infrastrukturës. Për fushën energjetike është marrë vendimi për ofrimin e garancisë sovrane për të vënë në dispozicion 10 mld lekë në dispozicion të sektorit të energjisë për të mbrojtur familjet dhe biznesin e vogël. Ajo që po bëjmë, po krijojmë mundësi për të siguruar sasitë e nevojshme të energjisë me kontrata të gjata që të kemi çmime të mira e ato sot në treg përmes bursave. Kanë kaluar edhe projektligji për shpronësimet për dy linjat 110 kilovolt dhe 220 kilovolt”, tha Balluku. Sipas saj, këto investime quhen si investime kritike. “ Ne i konsiderojmë investime kritike, pasi investimet e tjera janë stopuar. Prioritet është krijimi i mburojës për abonentët familjarë dhe biznesi i vogël. Dua të përmend dy ndryshime në VKM për rregullimin e burimeve të energjisë së rinovueshme. Janë ndryshime për të facilituar investimet vendase në energjinë e rinovueshme që të bëhen pjesë garave pa i vënë detyrime që i pengojnë si eksperiencë apo sasia e parave që duhet të kenë në dispozicion para nisjes së projektit”, tha Balluku.
Rindërtmi
Zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj tha se të gjitha grantet nga Konferenca e Donatorëve për tërmetin janë angazhuar dhe në proces disbursimi. Ai deklaroi se janë 3 kredi që janë negociuar dhe në negocim e sipër brenda gjithë kuadrit të konferencës së donatorëve dhe pjesa tjetër që është e pambuluar nga donatorët nga buxheti i shtetit. “Janë angazhuar dhe në proces të disbursimit total të gjithë grantet nga 17 shkurti i 2020, pra nga Konferenca e Donatorëve. Janë të gjithë të firmosura me marrëveshje, të gjitha në proces pune. Nuk kemi asnjë kontratë të pafirmosur me donatorët dhe asnjë fond të paangazhuar me donatorët, që nga BE deri tek Abu Dhabi. Janë 3 kredi që janë negociuar dhe në negocim e sipër brenda gjithë kuadrit të konferencës së donatorëve dhe sigurisht që pjesa tjetër që është e pambuluar nga donatorët, ka shkuar dëmi i llogaritur gati 1.15 mld dhe donatorët grant kanë sjellë afërisht 300 mln euro. Pjesa tjetër sigurisht që është buxheti i shtetit ose kur merret me kredi që gjithsesi janë para të buxhetit të shtetit që do paguhen nga tatimpaguesit shqiptarë, kjo varet nga hapësira fiskale që kemi ne për borxh”, deklaroi Ahmetaj.