Nga Leonard Karaj
Kreu i PD-së, i është rikthyer institucioneve edhe pse ka lëshuar akuza për “kapje” nga ana e qeverisë. Basha kontestoi zgjedhjet e 25 prillit në Kolegjin Zgjedhor, dërgoi në SPAK disa dosje që lidhen me korrupsionin, iu drejtua gjithashtu Gjykatës Kushtetuese, por në fund u rikthye në Parlament, pas tri viteve bojkot. A lidhet ky veprim me atë që Basha tha në Kuvend, se nuk do të përsëriste më gabimet…
Më në fund Basha ka kuptuar se protestat dhe bojkoti nuk të sjellin në pushtet. Në 30 vjet demokraci Berisha dhe Rama kanë bërë protesta pafund, madje shumë herë më shumë sesa PD-ja nën drejtimin e Bashës. Por është fakt se as i pari dhe as i dyti nuk erdhën në pushtet me protesta, por vetëm me votë. Në këtë kontekst, Basha duket se iu kthye rrugës institucionale, por me një kosto jashtëzakonisht të lartë, për shkak të vendimeve të gabuara që ai ka marrë në të shkuarën e afërt. Le të kujtojmë disa nga bëmat e tij, nga ku gjithkush e ka të lehtë të dalë në përfundime: – Në pranverën e 2017, gjatë “Çadrës së lirisë”, Basha tha se KURRË nuk do të futje në zgjedhje me Ramën kryeministër. Por ja që jo vetëm që u fut në zgjedhje, por edhe bashkëqeverisi me atë për disa muaj, duke marrë si haraç humbjen më të rëndë historike të PD-së. – Fatmir Xhafaj, nuk do të bëhej KURRË ministër sipas Bashës, por ja që jo vetëm u bë, por ishte edhe ndër më të suksesshmit ndër ministrat dështakë të Ramës. – KURRË nuk do mund të bëhej me pagesë Rruga e Kombit dhe trau i saj do të hiqej menjëherë. Në fakt trau vërtet u hoq për disa ditë nga vetë kuksianët, por u rivendos me bekimin e Bashës. Arsyet, i di vetëm kryetari i PD-së…. – Sipas Bashës, KURRË nuk do të shembej Teatri Kombëtar, madje vetëm nëse do të kalohej mbi trupat e PD-istëve të drejtuar nga Ai. Por ja që pikërisht natën e rruspave të Lali Erit, kryetar i PD-së ishte në gjumë të thellë dhe vetëm rreth orës 10:00 të ditës tjetër, u kujtua të dilte para mediave për të treguar “trishtimin e madh” që e pikëllonte. – KURRË nuk do mund të zhvilloheshin zgjedhje lokale në 30 qershor. Por ja që zgjedhjet u bënë dhe PD-ja “falë” Bashës mori një shuplakë të rëndë nga zv/ndihmës Sekretari i Shtetit Amerikan, Methju Palmer. – KURRË nuk do mund të futeshin në institucionet bashkiake, kryetarët e zgjedhur nga PS-ja. Këta të fundit jo vetëm u futën, por patën edhe 100% të këshillave bashkiakë dhe do të qëndrojnë në detyrë të paktën deri në verën e 2023-it. – Basha tha se do bënte revolucion në politikën shqiptare teksa do të kufizonte mandatin e Kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate. Ndërkohë nga ana tjetër, me paturpësinë më të madhe, kandidoi për herë të tretë si humbës për postin e kryetarit të PD-së (pra, bëni si iu them unë, mos bëni ç’bëj unë). – Dhe bëma e fundit ishte kur tha se KURRË nuk do të mbledhë kuvend anti-amerikan (të mendosh që sot hiqet si pro-amerikani më i madh, kur bojkoti i parlamentit, bojkoti i reformës në drejtësi dhe mospjesëmarrja në zgjedhje kanë qenë vendimet më anti-amerikane që janë ndërmarrë ndonjëherë nga një lider opozite), por që është vulosur tashmë se Kuvendi do mblidhet më 11 dhjetor. Kësisoj, pas kaq shumë “KURRË” që më pas janë përkthyer në “HIÇ”, çfarëdolloj inisiative që të ndërmarrë lideri aktual i PD-së, ai mbetet minimalisht i paragjykuar dhe normalisht me besueshmëri tejet të cunguar.
Basha ka fuqizuar pozitat e kryetarit të partisë, duke dalë nga “lëvozhga” ku e kishin mbështjellë dhe u ka “hapur luftë” Ramës, Berishës dhe Metës. Nga i buron atij gjithë kjo siguri, teksa pohon se do të jetë ai përballë Ramës, dhe jo Berisha?
Basha nuk ka asnjë lloj sigurie. Përkundrazi, gjithë kjo “trimëri” i ka ardhur nga frika se po i rrëshket toka ndër këmbë. Jam i bindur se Basha nuk do ta përjashtonte kurrë Berishën nëse do të kishte parashikuar (edhe kjo një e metë e madhe), kundërvënien e demokratëve ndaj tij. Basha nuk po bën asgjë tjetër, përveçse është vendosur në pozita mbrojtëse, në një betejë që qartazi duket se e ka të humbur. Dhe kur them të humbur, nuk e kam fjalën këtu në beteja të ardhshme politike ndaj Ramës, pasi këtë të fundit, ai nuk arriti dot të mundte kur kishte një PD të bashkuar, me aleatët, LSI-në dhe Berishën në krah, imagjinoni, tani sesi mund të fitojë PD-ja e Bashës, me ikjen e Berishës, pa aleatët që i janë kthyer thuajse të gjithë kundër, dhe natyrisht edhe pa votat e LSI. Basha thjesht po mundohet të kapet pas një fije të vdekur shprese, kur theksonte se ai do ishte kundërshtari i Ramës. Sigurisht kjo gjë e lumturon akoma edhe më shumë Kryeministrin, duke parë tkurrjen e frikshme të forcës politike që ka ose mund të mbajë me vulë në xhep, kundërshtari i tij de jure, politik.
Nga ana tjetër kemi një Berishë që po garon për kreun e PD-së, dhe siguria iu rrit më shumë, kur ai deklaroi se është pranuar kërkesa për në gjykatën franceze për padinë ndaj Sekretarin Amerikan të Shtetit, Blinken. Çfarë po ndodh? A është situatë e qartë, apo po luhen skenarë që nuk po kuptohen?
Unë besoj dhe shpresoj që deklarata e Berishës për një rikandidim të mundshëm të jetë vetëm si një shashkë apo si një presion ndaj Bashës. Do dëshiroja që Berisha të mos kandidonte për kreun e PD-së, pasi kjo nuk do të ishte zgjidhje për opozitën. Të qenurit e z.Berisha “non grata” nga SHBA do të ishte një problem shumë i rëndë për këtë forcë politike. Ndaj unë besoj se skenari më i mirë do të jetë ngritja e një grupi prej 4 peronalitetesh që do të drejtonin partinë në një periudhë tranzitore të shkurtër, me synimin e hapjes reale të PD-së dhe realizimin e zgjedhjeve të vërteta të lira, me 1 anëtar, 1 votë, për kreun e ri të PD-së. Berisha, si një politikan me shumë eksperiencë, si dhe për të justifikuar në një farë mënyre gabimin që bëri me mbështetjen ndaj Bashës në 2013-ën dhe më tej, do duhej që të kontribuonte në ringritjen e kësaj force politike, por asesi të ndërhynte në zgjedhjen e drejtuesve të rinj dhe ca më pak që të ishte vetë ai kryetar.
Në momentin kur Berisha u shpall “non grata”, shumë menduan se një listë tjetër e gjatë do dilte edhe për personazhe të tjerë politikë, majtas dhë djathtas, por kjo nuk po ndodh. Po ashtu dy sondazhe të fundit tregojnë se ka një mosbesim të shtuar ndaj reformës në drejtësi, si dhe skepticizëm ndaj “pro-amerikanizmit”, përse ndodh kjo?
Nuk është thjesht skepticizëm, por një realitet që për fat të keq është “mbjellë” nga politika e njëanshme që ka ndjekur ambasada amerikane, sidomos me Donald Lu dhe Juri Kim. Po, shqiptarët janë ndër popujt më pro-amerikanë në botë, por qasja që ka pasur politika amerikane gjatë viteve të fundit, duke ledhatuar në çdo rast dhe dukshëm një qeveri tejet të korruptuar si kjo e Edi Ramës, dhe duke shpallur “non grata” një politikan si Berisha që ka 8 vjet që nuk mban asnjë post, ka sjellë një rënie të “dashurisë” për Amerikën. Duhet ta pranojmë se kryesisht populli opozitar ka ndjerë një lloj antipatie ndaj deklaratave të njënashme të ambasadores Kim, çka ka vënë në diskutim “pro-amerikanizmin”. Duket totalisht pa sens që Kim nuk lë rast për të bërë “tuit” ose status për çdo gjë kundër opozitës, teksa nuk ka thënë asgjë: asnjë deklaratë, asnjë reagim, për korrupsion e qeverisë Rama që ka mbërthyer Shqipërinë, të paktën që prej 2017-ës. Në këtë kontekst, duket se rënia e “pro-amerikanizmit” tek shqiptarët, për momentin të paktën, është goxha i justifikuar…
©Copyright Fjala.al
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Fjala, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Fjala dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.