Nga Jetlir Duraj
Në mënyrë gati periodike, përsëriten parashikimet e rënies së ShBA-së nga pozicioni i tyre si superfuqi globale. Që prej fundit të Luftës së 1 botërore, kur ShBA u përzienë për herë të parë direkt në çështjet e brendshme të Evropës, çdo krizë apo sfidë drejt ShBA-ve është shoqëruar me parashikime të rënies që po afron. Si shembuj përmendim: në fillim të shekullit të 20 flitej se Gjermania do të ishte fuqia e re që do mbizotëronte politikën ndërkombëtare, pasi të zgjidhte çështjet e supremacisë brenda kontinentit evropian; më pas u fol se komunizmi dhe Bashkimi Sovjetik do të tejkalonte suksesin e kapitalizmit amerikan; në fund të viteve 80 dhe fillim të 90 e kishte rradhën Japonia të parashikohej si eklipsuesja e rradhës e ShBA-ve. Sot parashikohet të jetë Kina që më së fundmi do të ‘mundë’ ShBA-në. Ky artikull do të shpjegojë në mënyrë të kuptueshme themelet që mundësojnë rolin gjeopolitik të ShBA-së në botë, për të treguar se pse të gjitha parashikimet e mëparshme dhe ato të tanishmet për rënien e ShBA-së nuk kanë gjasa të vërtetohen. Të njëjtat argumente do të tregojnë se mbizotërimi ekonomik amerikan dhe influenca e ShBA në cështjet botërore me të gjitha gjasat do të vazhdojë për të paktën edhe disa gjenerata, në mos shekuj. Në fund të artikullit do të bëjmë një lidhje me Shqipërinë dhe mësimet e thjeshta për shqiptarët nga kjo situatë.
Avantazhi i jashtëzakonshëm gjeografik
Masa tokësorë ku shtrihet ShBA ka disa veti për t’u admiruar, një listë e pjesshme e të cilave vijon. Së pari, ShBA është vendi me sasinë e tokës potencialisht të banueshme më të madhe në botë. Amerika e Veriut është i vetmi rajon në botë që ka dalje në oqeanin Paqësor, Arktik dhe Atlantik në të njëjtën kohë. Kjo masë tokësorë mbizotërohet politikisht dhe ekonomikisht nga një shtet i vetëm: ShBA-të, e rrethuar nga dy fqinjë me potencial dhe ambicie shumë herë më të vogël, Kanadaja dhe Meksika. Këto veçori e bëjnë ShBA-në një fortesë gjeopolitike natyrale. Edhe sikur ShBA të tërhiqej plotësisht nga cështjet botërore, le të themi, për shkak të humbjeve ushtarake të mëdha jashtë ShBA-ve në ndonjë konflikt madhor botëror, është virtualisht e pamundur nga ana logjistike për një fuqi të huaj të imponojë në mënyrë afatgjatë vullnetin e saj në kontinentin e Amerikës së Veriut. Ky ‘izolim’ i përkryer gjeografik ka patur rrjedhoja historike të rëndësishme gjatë 2 shekujve të fundit. Ndërkohë që Euro-Azia ka qënë teatër i përplasjeve ushtarake me kosto të pallogaritshme njerëzore dhe materiale, ShBA që nga krijimi kanë patur vetëm një konflikt madhor brenda territorit të tyre: luftën civile në shekullin e 19, një konflikt vërtetë gjakatar, por që u zgjidh brenda 4 vitesh. Ndërkohë në Euro-Azi vetëm dy luftrat botërore kanë pasur një bilanc të pakrahasueshëm më shkatërrimtar sesa lufta civile në ShBA.
Dendësia e popullsisë në ShBA është nën 35 banorë/km2, ndërkohë në Kinë është mbi 140, në Evropën perëndimore mbi 230, në Japoni mbi 330 dhe në Indi mbi 400. Rusia ka dendësi më të vogël, por shumica dërrmuese e tokës ruse është e pabanueshme. Edhe në rastin më të mirë ku ngrohja globale shkrin një pjesë të permafrostit siberian, toka e përfituar për banim do të ishte vetëm një pjesë e vogël e Siberisë. Këto fakte relative, së bashku me sasinë e pamatë të tokës së banueshme në ShBA, tregojnë se potenciali për emigrim të ShBA është akoma i jashtëzakonshëm, edhe pas më shumë se dy shekujve emigracioni të vazhdueshëm. Sikur kjo të mos mjaftonte, ShBA është gjithashtu edhe shumë e pasur me resurse natyrore. Kjo mbetet e vërtetë edhe pas një shfrytëzimi të pamasë të resurseve në 2 shekujt e fundit. Pavarësia e plotë energjitike e arritur pak vite më parë ilustron këtë gjë më së miri. Kontinenti amerikano-verior është në shumë aspekte i vetëmjaftueshëm ekonomikisht, gjë që e dallon atë nga praktikisht cdo pjesë e Euro-Azisë, Afrikës, apo Amerikës së Jugut. Këto rajone janë në të njëjtën kohë edhe tejet të fragmentuara politikisht. E kundërta është e vërtetë për Amerikën e Veriut. Si rrjedhojë, kur i krahasojmë me rajonet e tjera, ShBA-të kanë opsione të brendshme të dhuruara nga fati, të cilat i përdorin herë pas here për të arritur shkallë më të lartë pavarësie gjeopolitike nga bota e jashtme. Kjo gjë reflektohet edhe në pavarësinë tregtare: në kohën e sotme të globalizmit masiv, vetëm 27% e PPB vjetore e ShBA-së ka të bëjë me import-eksportin. Për kontrast, Rusia e ka këtë shifër 47%, Gjermania mbi 86%.
Së fundmi, ShBA zotërojnë një sistem lumenjsh të lundrueshëm shumë të mirë që ndërlidhi veriun industrial dhe jugun e ShBA gjatë periudhës kritike të industrializimit në fund-shekullin e 19. Ky sistem lumenjsh duhet të shërbejë edhe në të ardhmen gjatë periudhës së popullimit të mëtejshëm të brendisë së territorit amerikan. ShBA-të zotërojnë edhe territore në Paqësor dhe në oqeanin Arktik, si p.sh. ishujt e Hawaiit, Guam ose Alaska, që mundësojnë projektimin e sigurisë kombëtare përtej zonës imediate të influencës.
Këto arsye, ku theksojmë izolimin mbrojtës dhe vetëmjaftueshmërinë gjeografike në shkallë të madhe, shpjegojnë se pse cilido qytetërim, pa dallim prejardhje apo kulture politike, nëqoftëse do të arrinte unifikimin territorial të pjesës më të madhe të banueshme të Amerikës veriore dhe bashkimin e daljes në Paqësor me daljen në Atlantik, do të ishte i paracaktuar për të influencuar thellësisht aferat botërore. Këtë fat e patën 13 kolonitë angleze të shekullit 18.
Avantazhi politik dhe kulturor si vazhdimësi e avantazhit gjeografik
ShBA-të nuk janë një shtet kombëtar në kuptimin tradicional të fjalës. Amerika nuk është themeluar mbi baza etnike, fetare apo një tradite monarkike, si shumica e kombeve të Euro-Azisë. ShBA është një komb i krijuar mbi një ide abstrakte, idenë e individualizmit njerëzor. Shteti amerikan lindi si reaksion në shek. 18 ndaj shtet-kombeve tradicionale evropiane të qendërzuara te etnia, feja apo monarkia. Formimi i atyre kombeve çoi në një periudhe të gjatë despotizmi dhe konfliktesh identitare gjakatare në kontinentin evropian dhe më gjerë. Themeluesit e ShBA-së u distancuan nga ai model dhe e zëvendësuan atë me një eksperiment social: ideja themelore e kombit amerikan do të ishte liria e çdo individi për të ndjekur ambiciet personale private, pa dallim prejardhje, gjuhe, feje apo tjetër veçorie që krijon identitetin tradicional kombëtar në një komb tipik tjetërkund. Kjo ide abstrakte e themeluesve të ShBA-së do të kishte qenë një fantazi intelektuale, por është pikërisht avantazhi i jashtëzakonshëm gjeografik që e bën atë një mundësi reale. Këtë gjë themeluesit e ShBA-së e kuptonin mirë. Frika e madhe e tyre, se një ditë një fuqi Euro-Aziatike me kulturë identiteti kolektiv siç janë kombet tradicionale, do të kishte kapacitetin për të synuar kontinentin amerikano-verior, u bë katalizatori i madh i përpjekjeve për ekspansion drejt perëndimit dhe jugut të 13 kolonive fillestare.
Situata e vështirë politike e Euro-Azisë me përplasje luftarake të shpeshta midis shteteve tradicionale mundësoi suksesin në konsolidimin gjeografik. Një territor prej më shumë se 2 milionë km2, një e treta e ShBA-ve të sotme, u ble në vitin 1803 nga Franca e Napoleonit për një vlerë qesharake të sotme prej 250 milionë dollarësh, po ashtu si Alaska në 1867 nga Rusia perandorake me vlerën qesharake të sotme 130 milionë dollarë. Shtetet tradicionale të Evropës shitën kaq lirë sepse ishin thellë në borxhe për shkak të luftrave midis tyre, por edhe sepse nuk vlerësuan drejt potencialin afatgjatë të projektit amerikan. Modeli i vjetër i kombit me baza identiteti etniko-fetar, mundësoi indirekt konsolidimin gjeografik të modelit të ri amerikan. Frika për të mbrojtur begatinë gjeografike, vetëmjaftueshmërinë ekonomike të kontinentit dhe mënyrën e jetesës amerikane, mbetet edhe sot e kësaj dite një nga parimet lëvizëse të politikës së jashtme amerikane. Hapësira e madhe gjeografike, e kombinuar me potencialin për zhvillim të vrullshëm ekonomik që lejon natyra e ShBA-së, mundëson integrimin paqësor nën të njëjtin sistem të qendërzuar të njerëzve me prejardhje dhe eksperiencë shumë të ndryshme jetësore. Fakti që kontinenti amerikano-verior është një fortesë natyrale, sjell stabilitet duke ulur më tej kostot e integrimit të masave emigruese gjatë shekujve. Si rrjedhojë, ShBA ka përfituar nga dobësitë e shteteve kombëtare tradicionale në formën e emigracionit: individët inovatorë në kombet tradicionale të Euro-Azisë, shpeshherë më të përndjekurit brenda kornizës së shtetit kombëtar tradicional, kanë gjetur si zgjidhje emigrimin drejt ShBA, ku kanë qenë më të lirë për të kontribuar në zhvillimin e ekonomisë. Për të ilustruar sesa pak ka ndryshuar ShBA në aspektin përfitues të emigracionit në 150 vitet e fundit, mjafton të krahasojmë Andrew Carnegie, manjatin amerikan të çelikut të fund-shekullit të 19, me një pasuri në vlerë të sotme mbi 100 miliardë dollarë, me Elon Musk, aktualisht njeriun më të pasur në botë me një pasuri rreth 200 miliardë dollarë. Carnegie ishte një emigrant skocez që emigroi në ShBA në moshën 13 vjecare, kurse Musk një emigrant nga Afrika e Jugut që emigroi në ShBA në moshën 24 vjecare. Historia e tyre është shumë e ngjashme, megjithëse ata i ndan një periudhë mbi 130 vjecare. Të dy janë emigrantë ambiciozë që gjetën hapësirën për të realizuar ambicjet personale në ShBA, dhe nga kjo përfiton në mënyrë afatgjatë vetë ShBA. Theksimi i lirisë për të ndjekur ambiciet personale, së bashku me hapjen e vazhdueshme drejt emigracionit, nxit inovacionin ekonomik dhe social. Kjo e bën ShBA tërheqëse për njerëz nga çdo cep i botës, një avantazh gjeopolitik unik në botë. Shumë evropianë shprehen se ‘Amerika nuk ka kulturë në krahasim me Evropën’, por kjo është sepse kultura e Amerikës është një kulturë globale, një amalgamë dinamike që e bën atë më tërheqëse sesa kulturat konservatore evropianë të përkufizuara në linja të ngushta tradite historike, etnike dhe gjuhësore. Historia e ShBA është pikë së pari një histori individësh. Ideja e lirisë personale e kombinuar me hapësirën e pamatë gjeografike i bën amerikanët, ndryshe nga kombet evropiane apo aziatike, më pak të prirur për krijimin e një shteti kolektiv social. Gjithashtu i mbush ata me një ndjesi përgjegjësie dhe ambicie më të madhe në jetën e tyre vetjake dhe profesionale. Kjo i bën përgjithësisht amerikanët edhe më pragmatikë në marrëdhëniet njerëzore. Amalgama dinamike sociale e ShBA priret të krijojë edhe më shumë dramë fiktive dhe sensacion mediatik, sesa mund të jenë mësuar banorët e kontinentit të vjetër evropian.
“Rivalët”
Amerika u gjet e papërgatitur në pozicionin e hegjemonisë botërore, si në fund të Luftës së 2 botërore, ashtu edhe pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Për shkak të shkallës së madhe të vetëmjaftueshmërisë ekonomike, interesi primar afatgjatë i ShBA në politikën ndërkombëtare është pengimi i ndonjë fuqie që mund të mbizotërojë Euro-Azinë dhe të mësyjë drejt kontinentit amerikano-verior. Interesi dytësor është mbrojtja e rrugëve tregtare botërore nga të cilat ShBA përfiton si shteti me ekonominë më të madhe në botë. Sidomos interesi i parë kontraston me interesat që mund të kenë patur vende të tjera në historinë botërore si p.sh. Gjermania apo Japonia, për të cilat hegjemonia është shprehur në forma shpesh agresive në të shkuarën, pasi ishte bazuar në varfërinë e resurseve natyrore dhe tokësore. Varfëria në resurse natyrore dhe gjeografike nuk ka qenë ndonjëherë problem madhor për ShBA.
Rusia
Në kuadër të Bashkimit Sovjetik, ambicia e elitës ruse ishte sundimi (minimalisht ideologjik) botëror i metodës komuniste të qeverisjes. Gjatë rënies së Gjermanisë naziste, zbarkimi i ShBA dhe aleatëve anglo-saksonë në Normandi efektivisht bllokoi avancimin sovjetik para se të arrinte në brigjet perëndimore të Francës. Lufta e ftohtë tregoi supremacinë e modelit amerikan dhe ekspozoi dobësitë e atij sovjetik. Shek. i 21 e gjen Rusinë autokratike, me një ekonomi të pa-diversifikuar dhe në mëshirën e një krize demografike të pashembullt. Kjo e fundit është thembra e madhe e Akilit për Rusinë. Diferenciali i popullsisë në kufirin jugor me shtetet islamike, Turqinë dhe Kinën dhe gjatësia e madhe e territorit kufitar të Rusisë, do të vendosin kufizime të mëdha në opsionet gjeostrategjike të Rusisë. Deri më tashti, Rusia nuk ka treguar inovacion social dhe ligjor në krijimin e një forme të re qeverisje që do të çlironte energji të reja zhvillimi ekonomik dhe social. Në një moment të dytë Rusia me shumë mundësi do të detyrohet të pranojë fatin se mund të ketë influencë vetëm rajonale pa bërë aleanca me fuqi vërtetësisht globale. Megjithëse retorika e sotme dhe loja si macja me miun me ShBA në Ballkan e gjetkë e bëjnë këtë të vështirë për tu besuar, partneri potencial më i mirë për Rusinë në të ardhmen është ShBA. Kjo sepse, përveç faktit që popullata ruse është shumë e tërhequr drejt mënyrës amerikane të jetesës, ndryshe nga Kina, Japonia, Turqia apo edhe Evropa perëndimore, ShBA nuk mund të kenë ndonjëherë synime serioze afatgjata drejt territorit të Rusisë apo edhe drejt resurseve natyrore të saj. Arsyeja për këtë të fundit është prapë shkalla e madhe e vetëmjaftueshmërisë gjeografike dhe ekonomike të ShBA.
Kina
Shteti kinez ka një traditë të jashtëzakonshme historike dhe ka arritur në dekadat e fundit një gjë të papreçedentë në histori: brenda pak dekadave kanë dalë nga varfëria drejt shtresës së mesme mbi 800 milionë njerëz, diçka më pak se 10% e popullatës botërore. Por nuk duhet të harrohet se kjo u arrit si pasojë e kërkesës për mallra të konsumatorit amerikan dhe evropian. Korporatat amerikane kanë përfituar shumë nga hapja kineze dhe shteti amerikan ka përfituar nga borxh-dhënia e shtetit kinez. Kina sot ndodhet e varur nga aksesi në tregjet botërore për të ruajtur ekspansionin e brendshëm ekonomik – më shumë se 38% e PPB-së së Kinës përbëhet nga import-eksporti. Gjithashtu, nuk duhet harruar se Kina është një shtet shumë tradicional, i bazuar mbi një identitet kombëtar të farkëtuar përgjatë shekujve në etni, fe dhe gjuhë. Kjo limiton shumë sesa tërheqës mund të jetë Kina për influencë ndaj njerëzve nga vende të tjera të botës. Në këtë aspekt Kina është më dobët sesa Bashkimi Sovjetik, i cili përdori ideologjinë komuniste për synime gjeopolitike, një ideologji që nuk bënte dallime etnike apo kombëtare. Nuk duhet harruar edhe dinamika demografike krejtësisht e pafavorshme e Kinës. Gjithashtu, Kina nuk është aq e pasur në resurse tokësore dhe natyrore sa ShBA. Më e rëndësishme se pikat më lart është pozicioni gjeografik i Kinës në lidhje me fqinjët. Kina është e rrethuar nga Koreja dhe Japonia në perëndim, India në lindje, një grup-shtetesh historikisht jo miqësore në jug, Australia poshtë tyre, dhe Rusia në veri. Sa më e fuqishme dhe ekspansioniste të bëhet Kina, aq më e madhe do të bëhet rezistenca e fqinjëve të saj. Më gjerësisht, çdo manifestim i fuqisë kineze jashtë territorit do të ketë konotacione të forta identitare kombëtare, duke vështirësuar implementimin e tyre afatgjatë. Kina ndodhet nën një darë natyrale gjeopolitike, ashtu siç e gjeti veten edhe Bashkimi Sovjetik me kalimin e kohës. ShBA nuk ndodhet në ndonjë darë të ngjashme gjeopolitike. Kina sot nuk ka arritur akoma të sigurojë një mburojë të mirë gjeografike të territorit të saj. Si pasojë e darës natyrale në të cilën e gjen veten, është e paqartë nëqoftëse do të arrijë të krijojë dot atë mburojë gjeografike, pa shkaktuar konflikte madhore të kushtueshme afër territorit të vetë. Këto janë disa nga arsyet pse potenciali gjeopolitik afatgjatë i Kinës është më i dobët sesa duket. Në terma afatgjatë, situata në Azinë lindore me shumë gjasa do të ekuilibrohet në një situatë të ngjashme me atë të Evropës perëndimore, ku një shtet si Gjermania është më i fuqishëm se çdo shtet tjetër në rrethinë, por jo aq i fuqishëm sa të imponojë lehtësisht vullnetin e vet te të tjerët.
Situata aktuale e ShBA
Publiku shpeshherë fokusohet te lajmi i ditës dhe harron që shumë fenomene përsëriten në mënyrë periodike gjatë historisë. Në publikun amerikan aktualisht kanë dalë nga vëmendja dy fakte historike.
Së pari, për pjesën më të madhe të historisë çështja e emigracionit është debatuar ashpër në ShBA. Valët e emigracionit gjatë shekullit të 19 dhe fillimit të shekullit 20, në fillim të popullsisë irlandezo-skoceze, pastaj gjermano-folëse dhe skandinave, pastaj çifute dhe italiane, evropiano-lindore, më pas aziatike etj, kanë çuar gjithmonë në diskutime të nxehta dhe përplasje sociale. Por në fund të ditës, me kalimin e dekadave, situata gjithmonë është qetësuar, të ardhurit janë bërë më amerikanë se vetë amerikanët që gjetën në vend, dhe emigracioni ka vazhduar. Për shkak të kapaciteteve gjeografike të përmendura më lart kjo nuk është surprizuese.
Së dyti, është harruar sesa e ashpër ka qënë lufta e brendshme politike në pjesën më të madhe të historisë amerikane. Edhe baballarët e kombit, që shumëkush i mban si hyjni, kanë pasur përplasje shpeshherë shumë të pakëndshme midis tyre, për të mos folur fare për kohën e luftës civile në shek. 19. Për shkak të periudhës së stabilitetit social të viteve 40-50 apo 80-90 brenda ShBA, është harruar sesa shumë `dramë’ ka pasur tradicionalisht jeta politike amerikane. Pika e referimit, vitet 40-50 apo edhe vitet 80-90 të stabilitetit, janë në fakt një shmangie nga norma historike.
Sot flitet shumë edhe për sasinë e lartë historikisht të borxhit si përqindje e PPB-së së ShBA. Por nuk duhet harruar që është përqindja e borxhit si pjesë e pasurisë totale (net worth) dhe pasurisë potenciale (potential net worth) që është shifra logjikisht e saktë për tu analizuar. Për ta shpjeguar me një analogji të një situate individuale, mendoni për një moment që një shoku juaj i ka të ardhurat 20 milionë lekë në vit dhe ka borxh te të tjerë 30 milionë lekë në total. Këtu mund të mendoni se ai ndodhet në vështirësi financiare. Po sikur të dini se shpenzimet e fundit kanë ndodhur prej disa krizave të paparashikuara që ka hasur ai vitet e fundit, dhe që ai ka të investuara në bursë më shumë se 150 milionë lekë? Po sikur ai të ketë gjithashtu në pronësi plot prona të patundshme në zona të lakmuara, vlera e të cilave do rritet mekalimin e kohës, a do mendoni prapë se shoku është në vështirësi prej atyre 30 milionë borxh? E pra, ShBA ndodhet aktualisht në një situatë më të mirë se shoku në shembullin e mësipërm. Në analogjinë e mësipërme do të ishte sikur shoku ua ka marrë borxh ato 30 milionë disa njerëzve që janë më pak të pasur se ai, dhe që nuk bëjnë dot pa të për shkak të disa pronave të patundshme që ai zotëron. Këto `prona të patundshme’ në rastin e ShBA përfshijnë aksesin te tregu i madh konsumator i ShBA, ndihmën në sigurinë kombëtare që jep ShBA për shumë vende të botës, tregun e brendshëm të lakmueshëm të punës, zhvillimin më pozitiv demografik dhe potencialin gjeografik, etj. Është e vërtetë se shumë shtete të tjera do të gjendeshin në vështirësi për rifinancim nëqoftëse do të kishin borxh publik mbi 100% të PPB-së, por kjo është sepse pasuria totale e akumular e tyre (net worth) është shumë e ulët në krahasim me PPB. Në rastin e ShBA-së net worth është një shumëfish i konsiderueshëm i PPB-së vjetore, potential net worth është ndërkohë shumë herë më i lartë. Paranoja për situatën afatgjatë financiare të ShBA-së nuk i reziston një analize të ftohtë.
Një pjesë e mirë e problemeve politike aktuale amerikane, që duken dramatike kur harrohet perspektiva historike, kanë të bëjnë me ndryshimet e përbërjes së popullatës si pasojë e emigracionit dhe me ndryshimet marramendëse teknologjike të dekadave të fundit. Të fundit kanë bërë të domosdoshëm inovacionin në mënyrën e funksionimit të shtetit federal të ShBA. Por ky tip konflikti social dhe politik i nisur nga emigracioni dhe ndryshimet teknologjike është një histori e përsëritur në historinë e vendit, dhe nuk ka se si të çojë në zbehjen e avantazheve të përmendura në filllim të artikullit. Historikisht në momente të tilla, pasi drama e konflikteve sociale është vetë-zgjidhur dhe inovacioni social ka gjetur rrugën e gjatë e të dhimbshme të shpaloset tërësisht, ShBA ka dalë gjithmonë më e fortë se përpara krizës. E gjithë kjo nuk do të thotë që nuk ka potencial për keqmenaxhim të situatës nga ana e ShBA, që do të komplikonin situatën përgjithësisht të favorshme. Strukturat institucionale të nevojshme për menaxhimin e situatës gjeopolitike botërore ku e gjen veten ShBA janë relativisht të reja dhe në evolucion e sipër. Gjithashtu, është goxha më e vështirë dhe e ngadaltë të implementosh politika në shkallë kombëtare në një vend ku jeta e brendshme ekonomike është multi-polare dhe ku parimi bazë është liria individuale. Megjithatë, është shumë e vështirë të gjesh kombinacione rrethanash në të cilat avantazhi gjeografik dhe politik i ShBA-së i shtjelluar në fillim të artikullit do të cënohej në mënyrë të prekshme në të ardhmen. Dhe ai avantazh përbën bazamentin nga të cilat rrjedhin gjithë të tjerat: avantazhi ekonomik, teknologjik, madje edhe ushtarak.
8 mijë kilometra larg por më afër se kurrë
Shqiptarët janë një komb i vogël për të cilët arritja më e madhe përgjatë historisë ka qenë mbijetesa përkundër sfidash të shumta ekzistenciale. Momenti kritik i mbijetesës në 1912 u tejkalua me shpalljen e pavarësisë nën mbështetjen e Austro-Hungarisë. Momenti i dytë kritik i ekzistencës në 1920 u kalua me ndërhyrjen e Woodrow Wilson, presidentit të 28 të ShBA-së. Ka disa dallime midis këtyre dy ndërhyrjeve. Së pari ShBA ishte një fuqi në ngjitje, kurse Austro-Hungaria në rënie. Së dyti, Austro-Hungaria kishte interesa afatshkurtra dhe miopike të lidhura me përplasjen e saj me kombet e reja sllave në Ballkan, kurse ndërhyrja e Wilsonit ishte më parimore. ShBA ndërhynë për të ndihmuar krijimin e një parimi të ri në politikën ndërkombëtare. Ky parim, i shkelur pa teklif nga fuqitë koloniale të Evropës së atëhershme, ishte që kombet e vogla kanë po aq të drejta vetëvendosje sa kombet e mëdha. Ky parim është në linjë me ADN-në e vetë krijimit të ShBA-së: atë të së drejtës për të shpalosur individualizmin njerëzor pa ndërhyrjën me forcë të të tjerëve. Ndërhyrja e ShBA në 1920 nuk qe për të `luajtur lojën’ e momentit, por për të ndryshuar tërësisht rregullat e lojës. Fakti është së e drejta e shqiptarëve për të ekzistuar është asistuar në mënyrë të përsëritur nga ShBA gjatë shekullit të kaluar. Gjërat nuk kanë gjasa të ndryshojnë shumë në të ardhmen e afërt, sepse dhe arsyet pse ShBA ndërhynë në 1920 nuk kanë ndryshuar — shqiptarët edhe sot e kësaj ditë mbeten një shembull konkret i zbatimit të preçedentit Wilsonian në politikën ndërkombëtare. Shumë nga shtetet evropiane nuk qenë të gatshme të ndërhynin gjatë krizës së Kosovës në fund të viteve 90, dhe e kanë njohur Kosovën vetëm pas lëvizjeve diplomatike të ShBA. Vende si Kina apo natyrisht edhe Rusia, as nuk kanë ndërmend ta njohin Kosovën, sepse janë akoma shumë të lidhura me mentalitetet dhe lojrat e vjetra shekullore të Euro-Azisë për të ndryshuar politikën e tyre të jashtme në mënyrë aq drastike, sa të ndryshojnë qëndrimin ndaj Kosovës, apo më gjerësisht të pranojnë plotësisht të drejtën që duhet të ketë etnia shqiptare për barazi ekzistenciale dhe qeverisëse, kudo që të gjendet në Ballkan.
Shqiptarët, ndoshta për herë të parë në ekzistencën e tyre mijë-vjeçare dhe si pasojë e angazhimit amerikan, kanë rastin e shtet-formimit pa patur frikën e zhdukjes si pasojë e pazareve të fuqive të mëdha. Për më tepër, shqiptarët mbeten me diferencë populli më pro-amerikan në Ballkanin perëndimor, kudo që ndodhen. Ky është një aset gjeopolitik që duhet kultivuar në trojet shqiptare. Aq më tepër që miqësia midis popullit shqiptar dhe ShBA është një investim me risk shumë të ulët afatgjatë për shqiptarët, sepse pozicioni gjeopolitik i ShBA në botë do të jetë stabil për një kohë të gjatë. Megjithatë duhet kuptuar së ShBA nuk ka shans të ketë ndërhyrë në favor të shqiptarëve për të zëvendësuar problemin sllav në Ballkan me një `problem’ shqiptar në të ardhmen. Prandaj u takon shqiptarëve që, si populli më i vuajtur i Ballkanit, të jenë në të ardhmen edhe më të mençurit në sjelljen e tyre në rajon. Shansi historik që iu ka ardhur në derë shqiptarëve duhet shfrytëzuar sa më mirë, sepse siç shpresojmë është bërë e qartë nga analiza paraardhëse, ShBA nuk duhen nënvlerësuar asnjëherë për opsionet që mund të gjenerojnë në lojën gjeopolitike botërore.
Rreth autorit: Jetlir Duraj ka lindur në Tiranë, jeton në ShBA dhe është një studiues në Ekonomi dhe Matematikë. Ai zotëron dy doktoratura, një në Matematikë nga Universiteti i Mynihut në Gjermani, dhe një në Ekonomiks nga Universiteti i Harvardit në Cambridge, MA në ShBA.