Detaje të reja nga vrasja e 20-vjeçares në Greqi, ja si ishte jeta e së resë para se të vritej nga bashkëshorti

Fakte tronditëse kanë dalë në dritë nga krimi në Glyka Nera, që tronditi Greqinë, por jo vetëm. Prokurori Georgios Noulis ka treguar se 20-vjeçarja Caroline kontrollohej dhe manipulohej nga i shoqi.

Sipas mediave greke, Caroline ishte gjatë gjithë kohës nën kontroll, e madje, edhe kur dilte shoqërohej nga një taksi që ishte e shokut të pilotit.

Fillimisht, prokurori i referohet njohjes së çiftit në Alonissos, ku lindi dhe u rrit Caroline e më pas përshkruan martesën e çiftit dhe problemet që ata hasën. Babis e largoi Caroline nga aktivitetet shoqërore, marrëdhëniet dhe shoqërinë e saj që të mund ta manipulonte më lehtë.

Ndër të tjera prokurori thekson se banesa e çiftit ishte zgjedhur qëllimisht larg universitetit, ku kishte arritur të pranohej, por Caroline nuk shkoi se ishte e stërmbushur me punët e shtëpisë dhe rritjen e fëmijës. Gjithashtu Babis Anagnostopoulos ishte vazhdimisht i pranishëm në takimet e saj me miqtë. Pikërisht këto besohet se ishin arsyet që e reja kishte kërkuar ndarjen nga i shoqi, e ai, në mënyrë të përsëritur s’kishte pranuar të jepte divorcin, derisa ndërmori aktin ekstrem.