Firmoset marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë dhe Ministrisë italiane të Shëndetësisë, për sigurimin e faktorit jetëshpëtues për të gjithë fëmijët me sëmundje të lindura të gjakut.
Marrëveshja 5-vjeçare u firmos sot në Romë, mes Ministres së Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu dhe Ministrit te Shëndetësisë së Italisë, Roberto Speranza.
“Me këtë memorandum mirëkuptimi ne hyjmë në një fazë të re të bashkëpunimit, duke siguruar faktorët e gjakut për fëmijët hemofilikë, jo vetëm për trajtimin, por tashmë edhe për profilaksinë. Me këtë marrëveshje do të mundësojmë edhe shtrirjen e rrjetit të qendrave kombëtare të trajtimit të të prekurve për sëmundje të lindura të gjakut”, tha Ministrja Manastirliu.
Ministri Italian i Shëndetësisë theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit midis dy vendeve tona.
“Ne kemi një memorandum mes vendeve tona por ne jemi vullnetplotë për ta forcuar akoma më shumë. E konsiderojmë vendin tuaj një vend mik, vëllazëror që e ndjemë afër dhe jemi shumë të angazhuar që të forcojmë marrëdhëniet mes dy vendeve tona”, – tha Ministri Speranza.