Ish-lideri demokrat Sali Berisha do të mbledhë Kuvendin Kombëtar me gati 5000 firma ku do të kërkojë edhe shkarkimin e Bashës si kreu i PD-së. A do ti njohë Basha vendimet e Kuvendit? A do ta çojë çështjen në gjykatë për të “shpëtuar” veten për pak kohë? 12 dhjetori do të jetë përgjigjia e pikëpyetjes së madhe se çfarë do të ndodhë në Partinë Demokratike, fiks në ditën e themelimit të saj.
Nga Fernada Cenko
Në 11 Dhjetor pritet që të mbahet Kuvendi Kombëtar i PD-së, me të paktën 4200 firma të mbledhura deri tani, por që nga njerëzit e Berishës flitet se ditët e fundit janë mbledhur të tjera firma që mund të arrijnë edhe më shumë se 5000, nga 7600 që janë gjithë anëtarët. Foltorja e Berishës është e vendosur që do të mbajë Kuvendin, duke e konsideruar edhe si një “rithemelim të dytë të PD-së”. Ky institucion i partisë ose mblidhet me ftesë të kryetarit ose me kërkesën e ¼ së anëtarëve. Berisha ketë të dytën e ka nën kontroll, sepse ka mbledhur më shumë se 3800 firma që vënë në lëvizje Kuvendin Kombëtar. Por a do ta njohë Lulzim Basha 4200 firma që kanë hyrë në selinë blu por që nuk janë të protokolluara, siç thotë PD zyrtare? Kryetari i Kuvendit Kombëtar, Edi Paloka, hapi kutitë duke treguar një për një firmat para medias. Ngërçi mbetet protokolli! Të paktën kjo mund të përdoret nesër nga PD-ja e Bashës. Por sërish Berisha do ta mbledhë Kuvendin Kombëtar sepse ato nuk janë firma të njerëzve çfarë do, por të anëtarëve që do të jenë prezent më 11 dhjetor. Pikëpyetja është a do të jetë kryetari aktual i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Por kjo mbetet ose suprizë e minutës së fundit, ose do të zbulohet në ditët e fundit, para 11 dhjetorit. Kuvendi Kombëtar ka numrat e nevojshëm për të miratuar vendimet e Foltores. Një burim për gazetën tha se vendimet e marra në Kuvend hyjnë në fuqi menjëherë dhe nuk zhbëhen. Këtu PD e Sali Berishës do të kërkojë edhe shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar, duke kërkuar vota për t’u rikandiduar vetë. Por a do ta pranojë sërish PD-ja Zyrtare këto vendime kur vulën e Partisë e mban Lulzim Basha. Sigurisht që Berisha nuk e ndal tempin për ta çuar gjënë deri në fund. Nëse më shumë se 5000 anëtarë të kuvendit Kombëtar marrin vendim për shkarkim dhe Basha e kundërshton këtë vendim, demokratët e Berishës do të shkojnë në seli për ta nxjerrë Bashën nga PD. Lulzim Basha ka dy mundësi që do i jepen: ose do largohet ose çështjen do e dërgojë në gjykatë për të kundërshtuar vendimet e Kuvendit Kombëtar si të paligjshme por edhe të godasë procedurat e mbledhjes së firmave dhe mos protokollimit të firmave të demokratëve. Nëse Lulzim Basha nuk është dakord me shumicën e demokratëve, logjika është se Basha mbahet fort pas karriges. Por edhe nëse do karrigen dhe jo demokratët, si do të shkojë PD-ja zyrtare në zgjedhjet e pjesshme që do mbahen vitin e ardhshëm? Me logjikën e thjeshtë i bie që Basha nëse ka demokratët kundër, nuk mund ta mbajë dot postin e kryetarit, ndërsa me lapsin e politikës nuk i dihet se çfarë “zgjidhje” do të marrë 11 dhjetori.
Alternativa gjykatë
Kuvendi Kombatër përbëhet nga 7600 delegatë, ndërsa Berisha ka arritur të mbledhë deri në 4200 zyrtarisht deri tani, por personat që janë pranë “Foltres” llogarisin që do të jenë rreth 5000 pra më shumë se ¼ që kërkon mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Me vendimet që do të merren, Berisha dhe përkrahësit e tij do të rendin në zyrat e PD-së, aty ku Basha nuk lëviz, pasi nuk i njeh vendimet e Kuvendit Kombëtar. Të ndodhur përballë dy palëve, që pretendojnë se e “drejta” është me ta, duke pasur qëndrime tërësisht të kundërta, ligjërisht e vetmja që duhet të vendosë është gjykata. Për të fituar kohë, ose për të delegjitimuar një proces, njëra palë mund ti drejtohet gjykatës, deri në vendimin e saj përfundimtar. Cilido të jetë vendimi ose nisma, 11 dhjetori i këtij viti nuk do jetë vetëm dita në të cilën kujtohet 31 vjetori i themelimit të Partisë Demokratike, por do të jetë edhe kthesa e madhe në Partinë Demokratike. Kryedemokrati aktual Lulzim Basha deri para mbledhjes kishte një fjalor të ashpër ndaj ish liderit demokrat dhe babait të tij politik, ndërsa pas mbledhjes së firmave uli tonet, duke thënë se Berisha e ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo me Lulzim Bashën dhe me Partinë Demokratike. Ditën e djeshme Kryedemokrati Lulzim Basha ka postuar një video të shkëputur nga intervista ku shprehet se nuk ka patur kurrë një besë midis atij dhe Sali Berishës për t’i rënë me shkelm sakrificës së demokratëve. Basha shprehet se besë prerja është një nga sulmet më të ulëta që është bërë në këto 2 muaj nga Sali Berisha. “Tani sa i përket besë prerjes, që është një nga sulmet më të ulëta që është bërë në këto 2 muaj nga Sali Berisha. Nuk ka patur kurrë një besë midis meje dhe Sali Berishës për t’i rënë me shkelm sakrificës së demokratëve nëse cënohej interesi i njërit apo i tjetrit, për të mbrojtur shpinën e njërit apo të tjetrit. Jo! Me Sali Berishën na ka lidhur një tjetër besë nëse mund ta them këtë. Që e ka ditur ta vlerësojë edhe publikisht. Besa e vlerave euroatlantike, që na çoi dhe e çoi Shqipërinë në NATO, besa e interesit kombëtar për pavarësinë e Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare. Besa për interesat më të mira të shqiptarëve që nga heqja e vizave, tek ndërtimi i infrastrukturës moderne. Kjo ka qenë besa nëse mund të themi besë që kemi lidhur me njëri-tjetrin. Dhe jo t’i binim me shkelm sakrificës së demokratëve nëse cënoheshin interesat personale të tij apo të miat. Kjo është e vërteta! Dhe gjithçka tjetër është një spekulim i pastër për të mbrojtur hallet dhe problemet personale të Sali Berishës”, shprehet Lulzim Basha.
11 dhjetor 2021 mblidhet Kuvendi Kombëtar
4200 firma të depozituara në Partinë Demokratike
3800 delegatë duhet për të tu konsideruar legjitim mbledhja e Kuvednit Kombëtar
Fortorja e Berishës ka mbledhur më shumë firma se 50 për qind të anëtarëve që vënë në lëvizje Kuvednin Kombëtar