Kryeministri Edi Rama dhe kreu i Demokratëve Lulzim Basha teksa kanë folur për buxhetin kanë akuzuar njeri tjetrin. Basha ka kërkuar vettingun e politikanëve, ndërsa Rama i ka kujtuar bolorinë e Sali Berishës
Seanca parlamentare ku u diskutua buxheti për vitin e ardhshëm është shndërruar në një arenë debatesh mes kryeministrit dhe kryetarit të opozitës, të cilët kanë folur për pjesën më të madhe të kohës që nga nisja e punimeve. Në buxhetin e vitit 2022, janë parashikuar 5,2 miliardë lekë të ardhura, ndërsa niveli i shpenzimeve pritet të jetë më i madh, duke thelluar deficitin. Biznesi është shprehur kundër paketës fiskale që shoqëron buxhetin, pasi sipas tyre rrit kostot dhe dobëson prodhimin vendas. Kryeministri Edi Rama i tha kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, se atë nuk e besojnë as kolegët deputetë të PD-së, e jo më shqiptarët. “Mirë, dakord. The se ne nuk na beson më njeri. Po kë besojnë shqiptarët?! Ty?! Sa nga këta rreth e rrotull të besojnë ty?! Sa?! Sipas teje? Bëj një reflektim, shikoji mirë… Dhe ty more zotëri nuk të besojnë gjysma e këtyre që ke këtu në sallë, e pretendon të të besojnë shqiptarët. Mbahu mër burrë, mos e lësho veten fare se u bërë komplet…”, tha Rama. Kreu i PD-së iu kundërpërgjigj duke thënë se Rama ka vetëm besimin e kriminelëve. “A ka socialist të ndershëm në Shkodër që nuk e dinë se kriminelët janë shefat e vërtetë aty? Apo në Elbasan, në Durrësin e Vangjush Dakos… Pushteti grabitet me kriminelë, që të vazhdojë grabitja me të ashtuquajturin buxhet. Borxhi është rritur, taksat janë rritur, çmimet janë rritur. Ku shkojnë paratë? Rama ka vetëm besimin e kriminelëve, madje mosbesimin, sepse edhe ata sjellin këtu në Kuvend njerëzit e tyre, sepse nuk i besojnë. Dhe çfarë bën? I kundërvihet një partie që ka ardhur me votat e pastra”, tha Basha. Qasjes pozitive për financat shqiptare iu kundërpërgjigj Lulzim Basha duke e cilësuar si buxhetin që çon financat shqiptare drejt xhepave të oligarkëve. Kryeministri Edi Rama tha gjatë diskutimit për buxhetin e vitit 2022 se do të donte të hiqte vetëm një koncesion të përfshirë në draft, atë të skanimit. “Do të doja të hiqja vetëm një gjë nga buxheti, skanimin, që e kemi trashëgim nga ju. Ky është dallimi mes dy civilizimeve tona. Ne jemi jep sa të mundësh, ju jeni kap çfarë të kapësh. Skanimi është një shërbim që duhet ta garantojë shteti. Pse duhet të paguajë qytetari që shteti të vendosë siguri. 20 milionë çdo vit nga buxheti për koncesionin tuaj dhe nuk e kemi përmbysur dot sepse nuk ka arbitrazh që e pranon. I vetmi koncesion i bërë në këtë republikë ku qytetarët nuk përfitojnë asgjë dhe kur paguajnë nga xhepi është kjo”, tha Rama. Ai iu rikthye edhe një herë koncesionit të kontrollit teknik të makinave, të ndërprerë të mars të vitit 2021. “Nuk po flas për kolaudimin që shyqyr e hoqëm. Dhe shikojeni si është tani që e ka marrë shteti”.