29 nëntor 1944/ Tërhiqen nazistët, brigadat partizane marrin Shkodrën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Leonard Veizi

Mesnata ishte lënë prapa, ndërsa partizanët e Brigadës XXII Sulmuese shkelnin mbi gjakun dhe trupat e ushtarëve gjermanë që kishin mbetur të vrarë në luftimin e ashpër për të marrë nyjen, e cila të lejonte të futeshe në qytetin e madh të veriut. E ndërsa forcat e tjera të Ushtrisë Nacionalçlirimtare kishin kapur pozicionet e reja në rrethinat e qytetit, trupat e fundit të Rajhut të Tretë, mbushën makinat me ushtarët e plagosur dhe u larguan drejt Malit të Zi ku pozicionet e tyre ishin pak më të sigurta. Mëngjesin e 29 nëntorit 1944 Shkodra, qyteti i fundit që mbahej shtrënguar nga trupat e gruparmatës “E”, më përbërje të së cilit ishte Korpusit XXII dhe Divizionit 133 e që po tërhiqeshin me shpejtësi drejt veriut të epërm, ra në dorën e partizanëve shqiptar. Vendi ishte çliruar…

…Në raport me të gjithë shtetet që morën pjesë në Luftën e Dytë Botërore, Shqipëria zë një vend të nderuar, pasi treguesit e saj ishin tepër pozitivë. Për numur popullsie dhe territor, shqiptarët dhanë një shifër të konsiderueshme dëshmorësh. Gjithashtu për shkak të masivizimit dhe të ngritjes së një ushtrie me 70 mijë vullnetarë, u rrëzuan dhe zakonet në trajtimin e femrës, pasi në këtë ushtri morën pjesë të paktën 6.000 gra dhe vajza. Kryeqyteti shqiptar, Tirana ishte i vetmi kryeqytet, i cili u çlirua pa asnjë ndihmë nga jashtë dhe, po pa ndërhyrjen e ushtrive të aleancës, u çlirua e gjithë Shqipëria. Një tjetër tregues, i cili e ngre lart moralin e shqiptarëve në opinionin ndërkombëtar është se Ushtria NAÇL mori urdhër për të kapërcyer kufijtë shtetërorë dhe për të shkuar në ndihmë të popullsisë së Malit të Zi e të Kosovës. Me moton “Deri në Berlin”, më shumë se 20 mijë luftëtarë shqiptarë të Ushtrisë NAÇL luftuan përtej kufijve shtetërorë.

Dëshmia e Nexhmi Menzelxhiut
Nexhmi Menzelxhiu një nga kuadrot e Brigadës XXII Sulmuese, gjatë një interviste ka dhënë disa hollësi mbi luftën e bërë për çlirimin e Shkodrës. Sipas tij:
-“Tërheqia e forcave të fundit naziste nga Shkodra, në orët e para të mëngjezit të datës 29 nëntor 1944 dhe çlirimi i saj me grykën e pushkës së 4 Brigadave partizane të Divizionit të II S është një fakt i pakontestueshëm historik, i shkruar me gjak.
Më daten 28 Nëntor, me brigadën qemë përfshirë në Operacionin e gjerë të Divizionit të II të UNÇSH, për Çlirimin e Shkodrës, bashkë me brigadën e VII, atë të XXIII e të VI “S”. Shkodra mbrohej me këmbëngulje nga nazistët, sepse siguronte tërheqien e forcave të Grup-Armatës “E”, duke patur një praparojë të fuqishme, që sipas shokëve guerilas të Shkodrës, mund të ishte prej 4000 vetesh. Ata kishin me vete edhe shumë mercenare ballistë, apo xhandarë. Gruparmata “E”, kish organizuar një tërheqie strategjike, me masa të forta praparoje, drejt Austrisë e më tej, sepse ofensiva e Ushtrisë sovjetike nga fronti i Ukrainës, po shkonte drejt Beogradit dhe mund të mbyllte si në thes forcat e kësaj force naziste, në tërheqje nga Ballkani.
Një pjesë e batalionit të Brigadës XXII, me datë 28 nëntor që përfshirë në sulmin për kapjen e urës se Kirit dhe gjithë ditë u përleshën me nazistët që përdoren edhe mjete të blinduara. Pasi që luftuar tërë ditën, të dyja palët mbetën në po ato pozicione edhe gjatë natës kur pati një pushim zjarri. Por nga ora 01 e mesnatës dhe para zbardhjes së ditës së 29 nëntorit, u dëgjua një si gjëmim i madh. Shokët më të vjetër na thanë, se me siguri nazistet kanë hedhur në erë urat e medha, si atë te Bunës atë të Baçallëkut. Pas kësaj forcat tona u hodhën në sulm, duke zbrapsur gjermanët që mbroheshin dhe bashkë me batalionin e dytë hymë të parët në Shkodër nëpërmjet itinerarit: Zalli i Kirit, – lagja Sereq, – Arra e Madhe në drejtim të qendrës se qytetit të shoqëruar nga guerilas shkodranë se mos binim mbi mina. Forcat të tjera të batalionit, në orën 02 të datës 29, në rrugën Shkodër-Koplik te Kodrat e Dobracit goditën bishtin e praparojës edhe zunë 30 gjerman robër që u dorzuan të demoralizuar. Gjatë këtyre luftimeve na ranë shoket: Faik Trenova, Irakli Toçi, Zef Pjeter Tanushi dhe Ndue Tanushi. U plagosen edhe disa shokë të tjerë. Qytetarë të Shkodrës na pritën plot dashuri e entuasiazëm. Irfan Celkupa, komisari i Batalioni të Dytë mbajti fjalim nga ballkoni i Bashkisë bashkë me shokë të tjerë të Frontit Nalional Çlirimtar. E kaluam natën në festë, mes shkodranëve, që na pritën në shtëpi si bijt e tyre me këngë partizane e hare.
“Janë me dhjetra dokumentat arkivore të Shtabit të Korparmatës së I “S”, apo fjalimi i Nako Spiros ditën e lajmit të 29 Nëndorit, se Shkodra u Çlirua; lajmin e saktë të Radio Tiranës; artikulli i Gjenaral Dali Ndreut në “Bashkimi”, që saktësuan po këtë gjë dhe po kështu luajten rol saktësimet e historianëve tanë, si Prof.Xhemil Frashëri e Dr. Refik Kuçaj, Mojkom Zeqo,etj. Janë po kështu, dokumentat e Shtabit të Korpusit XXI gjerman, ditare gjermane etje.etj. Dhe deri edhe përshëndetjet e ministrit të jashtëm amerikan Stetinius, si dhe të Gjeneralit Persi, që në urimet e tyre, me rastin e 28 Nëntorit, festës së Pavarësisë, theksojnë se Shqipëria ende nuk është e çliruar plotësisht. Po kështu deklarimet në librat e tyre historianë të huaj si: britanikut, Rexhinald Hibert, gjermani Bernard Fisher, etj. ku që në librat e tyre hedhin poshtë trillimet absurde të mohimit të Datës 29 Nentor si datë e saktë e Çlirimit e Shqipërisë. Dhe me në fund, vetëm pak vite më parë, koloneli gjerman Hofman i NATO-s në Shtabin e Përgjthshëm të Ushtrisë botoi një deklaratë nga dokumetin e Bundesverit Gjerman se praparoja e forcave ushtarake naziste e ka lënë Shkodrën, vetëm në mëngjezin e datës 29 Nëndor 1944”, – ka thënë në intervistën e tij Nexhmi Menzelxhiu.

Lexo edhe :  Burgu i Spaçit/ Ekspozohen foto dhe dëshmi nga ish-të dënuar: Dhimbjen deri në...

Sherbet Karuli ish- zv/komandanti i Mbrojtjes Bregdetare

Shkodra, forcat partizane u futën më 29 nëntor ‘44

Duke mbajtur pozicionin e luftimit për të marrë urën e Baçallëkut, Sherbet Karuli, atëherë pak më shumë se 16 vjeç, mendoi se ky duhet të ishte sulmi i fundit, dhe pas saj vinte liria. Ai ka shtrënguar fort automatikun gjerman 72 fishekësh, duke pritur shenjën e sulmit nga Komandanti i Batalionit, ndërsa toga e drejtuar prej tij ka bërë gati bombat e dorës me të cilat do të fillonte sulmi. Gjithsesi ai nuk e dinte se do ta gëzonte vetëm dy ditë lirinë, pasi urdhri i Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha, do të çonte Brigadën në të cilën bënte pjesë, në një rrugëtim të gjatë e të rrezikshëm, në malet e ish Jugosllavisë e cila do të përfundonte 23 muaj më pas.
Gjatë një interviste pë gazetarin Leonard Veizi Sherbet Karuli ka treguar se cila ishte situata mes 28 dhe 29 nëntorit të vitit 1944:

-“Brigada XXII Sulmuese, e cila u formua nga 4 batalionet e Grupit të Pezës, kreu shumë luftime, në Shqipërinë e Mesme, por dhe në veri në çlirimin e Mirditës 20-26 tetor 1944, Shpal 19 tetor 44, Pukë 4 nëntor 1944. Luftimet për marrjen e Shkodrës ishin të ashpra, por një ndihmë të madhe dhe populli i qytetit të Shkodrës. Në atë kohë unë isha komandant toge në batalionin 4 të Brigadës XXII. Të gjithë luftimet u bënë me vendosmëri sepse ishin në prag të çlirimit të qytetit. Para nesh ranë shumë shokë dëshmorë. Unë vetë kisha qenë i plagosur nga luftimet e mëparshme. Gjermanët ngarkuan 4 ushtarë italianë për të minuar Shkodrën në katër pika të ndryshme dhe ta hidhnin në erë qytetin. Por italianët nuk i ndezën fitilat. Gjermanët i kapën ushtarakët italianë dhe i kanë varrosur të gjallë nga inati që nuk zbatuan urdhrin e tyre. Në datë 28 nëntor, Batalioni ynë luftonte tek ura e Baçallëkut. Deri në darkë nuk e kaluam dot urën pasi ajo mbrohej fort nga trupat gjermane. Luftimet vazhduan edhe natën e duke u gdhirë 29 nëntori. Vetëm mëngjesin e 29 nëntorit batalionet iu drejtuan qendrës së qytetit. Më kujtohet se në çlirimin e Shkodrës më 29 nëntor 1944, ku në orën 7:30 të kësaj datë, komisari i Batalionit I të kësaj brigade, Irfan Çelkupa, pati nderin e madh të ngrejë flamurin kombëtar në ballkonin e ish-bashkisë së asaj kohe si lajmëtarin që njoftonte çlirimin e plotë të Shqipërisë nga nazistët gjermanë. Njihet historikisht fjalimi që mbajti komisari nga ai ballkon, me anë të të cilit përshëndeti popullin e Shkodrës për kontributin që dha së bashku me forcat e brigadave partizane për çlirimin e qytetit të Shkodrës. Prandaj, është më se e ligjshme të flasim e të dëgjohemi ne pjesëmarrësit direkt, sepse jemi ne dëshmitarët e vërtetë për orën dhe datën e çlirimit të plotë të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë, më 29 nëntor 1944. Pas fjalimit të shokut Irfan Çelkupa, u bë dhe parakalimi i forcave partizane të brigadave pjesmarrëse VI-VII-XXII-XXIII-XXIV-XXVII, të cilat ishin pjesëmarrëse në çlirimin e Shkodrës. Edhe gjermanët vetë kanë një dokument, ku thotë se më 29 forcat e tyre të fundit u tërhoqën nga Shqipëria”, ka rrëfyer në intervistën e tij Sherbet Karuli.

Dokumenti
Gjermanët saktësojnë historinë shqiptare
Koloneli gjerman VVolfram D. Hoffman, në shkurtin e vitit 2002, i ka dhuruar ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Pëllumb Qazimi, dokumentin e largimit të ushtrisë gjermane nga Shqipëria. Kjo datë është 29 nëntori, ku Korpusi i XXI alpin, nën drejtimin e gjeneralit të këmbësorisë, Ernst von Leyser ka lëshuar qytetin e fundit të Shqipërisë, Shkodrën. Plani për largimin nga Ballkani e korpuseve gjermane është i treguar në “Ditarin e Luftës” së komandantit suprem “Juglindje”, në Agram, I a-KTB Nr.3, faqja 673 e 30 nëntorit 1944, mbi situatën në “Frontin e Adriatikut”. Këto janë pjesë e njoftimeve të Vermahtit gjerman më 30 nëntor 1944, që janë cituar edhe nga Mehner Kurt në “Njoftimet Ditore” sekrete të drejtuesve gjermane në Luftën e Dytë Botërore 1939-‘45, volumi 11.01.09-31.12.1944, Osnabruck 1984. Janë materiale shumë profesionale dhe përfshijnë të gjithë teatrin e luftimeve, që zhvilloheshin në ditët e fundit të nëntorit 1944 në Ballkan. Kryesisht në dokumentin e paraqitur janë qytete në ish-Jugosllavinë dhe vendet afër Shkodrës. Në këtë kuadër tregohet edhe largimi nga qyteti i Shkodrës, më datën 29 nëntor, të korrpusit alpin gjerman. Sipas dokumenteve urdhri për tërheqjen nga Shqipëria u dha më 3 tetor 1944. Korpusi i XXI alpin, nën drejtimin e gjeneralit të këmbësorisë, Ernst von Leyser (pjesa e grupit E të FT, e dislokuar në “Frontin e Adriatikut”) lëshoi më 29.11.1944 qytetin e fundit të madh të Shqipërisë, Shkodrën. Prandaj kjo datë mund të quhet si fundi i pushtimit të Shqipërisë.

Të fundit

Shpërblim për policët/ Qasje pozitive e qeverisë, bonuset ‘pasojë’ e rritjes ekonomike

TIRANË- Rreth 8 mijë efektivë policie të rolit bazë pritet të marrin shpërblim për festat e fundvitit. Burime për Abc...

Me varkë dhe dhurata, në Himarë babagjyshi vjen nga deti!

Për herë të parë pas shumë vitesh Himara i ka pritur krishtlindjet ndryshe, këtë vit babagjyshi nuk erdhi nga oxhaku por nga deti, me...

Krishtlindje në Kosovë, mesha u mbajt në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë

“Mjaft me urrejtje”, ky është mesazhi i ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergji për Krishtlindje. Në meshën kryesore për Krishtlindje në Katedralen “Nënë Tereza” në...

“Zhurma e armëve të ndalet”/ Papa Françesku bën thirrje t’i jepet fund luftës në Ukrainë

Papa Françesku bëri thirrje sot për bisedime mes Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës që nisi me sulmin në shkallë të gjerë...

Revista ‘Time Out’ zgjedh pemët më të bukura të Krishtlindjes në botë

Revista e njohur Time Out e shpalli pemën e Krishtlindjes në Krakov të Polonisë, e cila zbukuron tregun historik atje, “më legjendaren” në botë. E...

Lajme të tjera

Web TV