Meta dhe “Foltorja” e Berishës mund të bashkohen në ditët në vijim. Përplasjen me kreun aktual demokrat Lulzim Basha, kreu i shtetit po e përdor për tu afruar edhe më shumë me Berishën, ku edhe ky i fundit është gati për ta mirëpritur. Dyshja Berisha-Meta gati për rikthim dhe bashkëpunim.
Deri më 25 prill, presidenti Ilir Meta ishte ndër më agresivët në fushatë, me akuza të forta gjithnjë në një drejtim, që mbylleshin me trekëndëshin; Rama-Kim-Drejtësi e re. Ra në heshtje të plotë pas 25 prillit, duke hequr “tutat sportive” të fushatës dhe riveshur kostumin e kreut të shtetit, që tashmë i rri shumë ngushtë dhe është gati të dalë sërish nga ai zhguall i rëndë. Shansin po ia jep Sali Berisha, i cili menjëherë pasi u shpall “non grata” nga SHBA, nisi betejën ligjore me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, duke e hedhur çështjen në gjyq në një gjykatë në Paris. Për Berishën nuk do jetë beteja e vetme. Më 9 shtator nisi sulmet edhe me Lulzim Bashën, pasi ky i fundit e përjashtoi nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, i kushtëzuar nga presioni amerikan. Berisha nisi turin “anti-Bashë” me nismën “Foltorja”, në mbarë vendin dhe tashmë ka thirrur Kuvendin Kombëtar më datë 11 dhjetor ku nëse plotësohet koourumi i duhur me anëtarësinë, atëherë Basha rrezikon që të shkarkohet nga kreu i PD-së dhe drejtimin e partisë më të madhe opozitare ta marrë sërish Berisha. Metës ka qi mjaftoi, madje është shumë më shumë nga çfarë priste. Shansin për të shpërthyer pas akumulimit të gjatë ia dha vetë Lulzim Basha, i cili në atë që e quajti “trekëndëshi i Bermudës” përfshiu Ramën, Berishën dhe Metën. Kreu i shtetit reagoi ashpër ndaj Bashës, duke u shprehur se bëri gjithçka për të shkatërruar opozitën dhe i dorëzuar pushtetin Edi Ramës, me dy vendimet që mori, për djegien e mandateve të deputetëve të shkurt të vitit 2019 dhe bojkotimit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit të po atij viti.
Meta në “Foltoren” e Berishës
Presidenti Ilir Meta ka paralajmëruar rikthimin në politikën aktive pas përfundimit të mandatit si president i vendit. Tashmë Meta ka kapur sërish “foltoren”, por atë të presidencës, në rastin më të mirë deri më 22 korrik kur i mbaron mandati dhe në rastin më të keq, është i “papunë” në janar nëse shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese. Pas ikjes nga presidenca Metën e pret menjherë karrigia e Kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe në këtë pikë as që mund të mendohet se do ketë garën me bashkëshorten Kryemadhi. Metës i ka ardhur një bonus në duar dhe ai është Sali Berisha, për të cilën gjithnjë ka shprehur vlerësime për kohën kur kanë qeverisur bashkë, në mandatin 2009-2013. Meta shpreson se me kthimin e tij do të gjejë në krye të PD-së Sali Berishën, ose një kryetar tjetër i ardhur me “frymën e Berishës”. Kjo do ishte ideale për Metën i cili do shkrinte me dëshirë “foltoren” e tij me atë të Berishës. Ndërsa gjithçka do të ndryshonte nëse Basha do arrijë të mbajë drejtimin e Partisë Demokratike, sidomos me shtysën që do i vijë nga SHBA, e cila jo më indirekt, por në mënyrë të drejtëpërdrejtë është investuar që të bëjë një zgjedhje të detyruar mes Berishës dhe Bashës, duke përzgjedhur këtë të fundit. Zhvillimet politike në vijim brenda kampit opozitar priten me shumë interes, sidomos me dy Kuvendet Kombëtare të thirrur më datë 11 dhjetor nga Berisha dhe atë të 18 dhjetorit nga Basha.
PS: Presidenti aktor politik
Prej disa ditësh mes kreut të PD-së, Lulzim Basha, dhe Presidentit Ilir Meta po shkëmbehen akuza dhe kundërakuza në distancë, që po hedhin dritë mbi raportet e padukshme mes dy politikanëve të lartë, dikur pjesë e Qeverisë Berisha, në mandatin 2009-2013. Basha në deklaratat e tij shprehet se PD nuk i ka ndonjë borxh Ilir Metës, ia njeh bëmat dhe gjëmat dhe nuk mund t´i zgjidhë hallet që ai ka. Në anën tjetër, Meta ka zbuluar disa raporte me Bashën, që sipas Presidentit i është lutur me lot në sy, madje edhe në gjunjë, për të anulluar zgjedhjet e qershorit 2019. Damian Gjiknuri, Sekretari i Përgjithshëm i PS, e komenton përplasjen si përcaktimin e të ardhmes politike nga ana e Presidentit. “Nuk e kam ndjekur çfarë ka thënë Presidenti, por nuk është se pres ndonjë gjë të re. Presidenti është një aktor i deklaruar politik, po përcakton të ardhmen e tij të re politikë në dinamikën që po zhvillohet brenda opozitës,” u shpreh Gjiknuri.